Kosova

MSA-ja stimulon investimet e huaja në Kosovë

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila do të hyjë në fuqi më 1 prill ka për qëllim stabilitetin politik, tranzicionin drejt ekonomisë së qëndrueshme dhe përafrimin gradual me standardet e BE – së në të gjitha fushat.

Kështu u tha në një konferencë informuese me institucione, të organizuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane, në të cilën u përmenden edhe obligimet që duhet të përmbush Kosova në mënyrë që të përfitojë nga kjo marrëveshje.

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi e ka quajtur MSA-në, marrëveshje historike mes Kosovës dhe BE-së, zbatimi i së cilës do të përafrojë Kosovën me standardet e Evropës.

Ilazi theksoi se qëllim i MSA-së është themelimi i marrëdhënieve formale dhe kontraktuale mes dy palëve, me qëllim të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“MSA do të hyjë në fuqi me 1 prill të këtij viti, e zbatimi i MSA–së do të jetë 10 vjet, përderisa rishikimi do të bëhet pas 5 viteve. Në 597 faqe, MSA-ja ka katër pjesë kryesore: çështjet politike, përafrimin e legjislacionit, politikat bashkëpunimit dhe çështjet tregtare…Me hyrje në fuqi të MSA-së Kosova ka fituar të drejtën zyrtare drejt anëtarësimit në BE dhe tani Republika e Kosovës është pjesë e procesit formal të anëtarësimit njëjtë sikur të gjitha vendet e rajonit. Procesi i zbatimit të MSA – së do të kërkojë bashkëpunim dhe koordinim të gjithë aktorëve, duke përfshirë komunat, shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit”, tha Ilazi.

Obligime nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit dalin edhe për pushtetin lokal. Ylli Valla nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tha se është një hap i mirë meqë në bashkëpunim me komunat kanë bërë plane individuale për masat dhe veprimet që dalin nga kjo marrëveshje, shkruna Telegrafi.

Sipas tij, deri më tani janë nxjerrë 165 masa dhe veprime që janë në kompetencë të komunave, për të cilët janë vendosur indikatorë të matshëm për të parë regresin apo progresin e 38 komunave të Republikës së Kosovës.

Drejtori i Departamentit për Koordinimin e procesit të Stabilim – Asociimit, Artan Çollaku tha se kjo marrëveshje krijon marrëdhënie kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së, krijon kornizën bazë që të përkrahet përforcimi i demokracisë, sundimit të ligjit, stabilitetit politik, ekonomik dhe institucional të Kosovës.
Në aspektin ekonomik, MSA do të vendos marrëdhënie ekonomike dhe tregtare duke krijuar gradualisht një zonë të tregtisë së lirë në mes të BE – së dhe Kosovës, do të ofrojë qasje në produkte të cilësisë së lartë me çmime të favorshme për qytetarët dhe bizneset si dhe ofron mbështetje teknike dhe financiare për reformat ekonomike të Kosovës drejt një ekonomie funksionale të tregut.

Drejtori i Departamentit të Kritereve Ekonomike dhe Tregut të Brendshëm, Jeton Karaqica, sqaron se në aspektin ekonomik kjo marrëveshje është asimetrike sepse BE-ja heq për Kosovën pothuajse të gjitha tarifat doganore, por në anën tjetër një gjë të tillë nuk mund ta bëjë Kosova, pasi që si vend me ekonomi në zhvillim do të vazhdojë të mbrojë me tarifa doganore një numër të madh të produkteve.
“Disa nga efektet shumë pozitive do të jenë stimulimi i eksportit, sepse me largimin e tarifave të BE-së do të jenë më lirë për prodhuesit kosovar të eksportojnë në BE. Pritet që një nga efektet pozitive të jetë edhe rritja e konkurrencës, ku do të hapet tregu, gradualisht hapet tregu jonë dhe i BE së, ku hapja e tregut sjell konkurrencë shtesë në mes të bizneseve”, tha Karaqica.

Në aspektin e përafrimi të legjislacionit dhe politikave të bashkëpunimit, me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, Kosova do të marr përsipër që të përafrojë legjislacionin vendor me atë të BE-së dhe të zbatojë në mënyrë efektive. Po ashtu brenda pesë vjetëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes Kosova duhet të sigurojë nivel të ngjashëm të mbrojtjes së pronësisë intelektuale, industriale dhe komerciale të BE-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button