Kosova

Mustafa dhe Thaçi të hënën te Presidentja, ftesë edhe për opozitën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ftuar në një takim kryeministrin Isa Mustafa dhe zv/kryeministrin Hashim Thaçi për të diskutuar për daljen nga kriza politike që ka përfshirë vendin.

Në një konferencë për shtyp, Mustafa dhe Thaçi konfirmuan se takimi me Presidenten Jahjaga do të zhvillohet në 8 shkurt.

Mustafa tha se “çështjet duhet të zgjidhen me dialog dhe nuk ka asnjë arsye që të mos jetë në takim”.

“Natyrisht që unë si kryeministër kam bërë ftesë vetë që të takohemi dhe nuk kam asnjë arsye që të mos jem dhe po ashtu edhe zëvendëskryeministri Thaçi ka treguar interes dhe gatishmëri që të marrë pjesë. Ne i bëjmë ftesë edhe liderëve të opozitës që të jenë aty, sepse mendojmë që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialog”,  tha Mustafa.

Ndërsa zv/kryeministri Hashim Thaçi u shpreh se “dialogu është procesi përmes të cilit mund të arrihen objektivat e përbashkëta”. Thaçi konfirmoi para mediave pjesëmarrjen e tij në këtë takim, duke bërë thirrje në të njëjtën kohë që edhe opozita të reflektojë në këtë ftesë.

“Ftojmë edhe liderët opozitarë që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës, t’i bashkëngjiten dialogut, pasi është zgjidhja e vetme dhe mundësia më e mirë. Ky është edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe në të njëjtën kohë është edhe këshilla e Bashkësisë Ndërkombëtare. Në çdo rrethanë duhet të ulemi, duhet të bisedojmë e kemi axhendën e qartë të interesave të shtetit të Kosovës dhe mendoj që ky dialog tejkalon çdo interes partiak. Prandaj besoj që sot do të kemi edhe përgjigje pozitive të opozitës, sepse është edhe në interesin e tyre”, tha Thaçi.

Zëvendëskryeministri shtoi se nuk do të ketë zgjedhje të reja deri në vitin 2018.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button