Mustafa: Dialogu për liberalizimin e vizave me BE-në një nga prioritetet kryesore
Kryeministri Isa Mustafa tha sot se dialogu për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian mbetet një nga prioritetet kryesore afat-shkurtër të qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Ne mbetemi të përkushtuar të mbyllim këtë kapitull në afatin sa më të shpejtë të mundur në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen dhe gjithnjë në përputhje me rregullat dhe normat e Schengen-it”, tha Mustafa në takimin e Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave.
Ai shtoi se që nga fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave në janar të vitit 2012, institucionet dhe administrata në përgjithësi kanë bërë një punë të madhe në plotësimin e kritereve që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizim të Vizave dhe e gjithë kjo ka ndodhur falë angazhimit dhe përkushtimit të zyrtarëve përkatës, anëtarëve të Grupit të Punës për Liberalizim të Vizave dhe koordinimit shumë të mirë të Sekretariatit për Liberalizim të Vizave.
“Përkundër angazhimit, përkushtimit dhe progresit të arritur në adresimin e kërkesave që dalin nga të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, fatkeqësisht qytetarët tanë ende nuk munden të lëvizin lirshëm në shtetet e zonës Schengen dhe ballafaqohen me procedura të tepërta dhe burokratike për t’u pajisur me viza Schengen. Por, më shqetësues është fakti i një numri të madh të qytetarëve tanë që largohen nga Kosova dhe emigrojnë në mënyrë të parregullt përmes Hungarisë në shtetet e tjera të zonës Schengen. Ky është një realitet i dhimbshëm për mua dhe për tërë institucionet e Republikës së Kosovës dhe ne si qeveri jemi të përkushtuar që të ndryshojmë këtë realitet dhe t’ia kthejmë shpresën dhe prosperitetin ekonomik dhe social qytetarëve tanë”, u shpreh Mustafa.
Në këtë drejtim, vijoi ai, ne kemi filluar dhe do të marrim masa konkrete dhe të shpejta për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, duke ofruar perspektivë ekonomike, do të punojmë për krijimin e kushteve për rritjen e punësimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës, në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, shërbimeve të arsimit, për aktivizimin e jetës kulturore dhe gjithë jetës sociale të qytetarëve tanë.
“Reformat, të cilat qeveria e Republikës së Kosovës do t’i ndërmarrë bazohen në politikat ekonomike dhe sundim të ligjit dhe është pjesë e aspiratave për t’u bashkuar në familjen evropiane, tani veçanërisht kur jemi në rrugën e duhur për të lidhur marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, ku së shpejti do të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në si dhe zbatimin e kësaj marrëveshje që do të rezultojë edhe me mbështetjen e BE-së për reformat në shumë sektorë e në veçanti në atë të zhvillimit ekonomik, rritjes së efiçiencës ekonomike dhe rritjes dhe hapjes së vendeve të reja të punës”, tha Mustafa.
Qeveria, vijoi ai, ka aprovuar programin e punës për këtë vit, ndërsa javën që vjen do ta shqyrtojmë dhe aprovojmë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.
“Kemi aprovuar edhe programin e reformave ekonomike. Këto dokumente tregojnë përcaktimin tonë që të marrim përgjegjësi për t’i zgjidhur çështjet vitale me një qasje të qëndrueshme dhe sistematike. Pjesë e angazhimit tonë do të jetë që të evitojmë edhe faktorët shtytës të cilët ndikojnë në migrimin e qytetarëve tanë. Do t’i bashkërendisim në vazhdimësi veprimet e ministrive dhe agjencioneve qeveritare për të parandaluar migrimet e parregullta”, shtoi kreu i qeverisë kosovare.
Ai tha se do të kërkojë raporte të rregullta nga ministritë përkatëse për angazhimet ditore të tyre në fushën e migrimit dhe për masat që duhet t’i ndërmarrin në hapjen e perspektivës për jetë të qëndrueshme të gjithë qytetarëve kosovarë.
“Do të ndërmerren masa, gjithashtu ndaj të gjithë atyre që bëjnë pazare dhe kontrabandojnë me qytetarët tanë, për interesa të tyre materiale dhe për interesa politike”, tha Mustafa.
Ai theksoi se janë të qarta për neve dhe po ashtu duhet të jenë të qarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës qëndrimet e vendeve të Bashkimit Evropian, se ato nuk do të japin azil për qytetarët nga Kosova, sepse Kosovën e konsiderojnë si vend të sigurt.
“Të gjitha institucionet e vendit duhet ta bëjnë punën e vet për integrimin e njerëzve tanë të cilët që do të kthehen së shpejti në Kosovë. Do të kërkojmë edhe bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare nga fusha e migracionit që të na ndihmojnë me ekspertizën e tyre dhe me mbështetjen e tyre në këtë drejtim, si dhe të ndihmojnë kthimin dhe riintegrimin vullnetar të qytetarëve tanë”, përfundoi kryeministri Mustafa.