Opinion

Muzikë për veshët e Prishtinës, jo të Brukselit

Arben Manaj

Arben Manaj

Prononcimet e Ramës dhe Thaçit për llojet e bashkimit të shqiptarëve, në një analizë të fundit janë kundërproduktive, pavarësisht nga objektivi i nënkuptuar dhe i kamufluar i tyre.

Si të tilla, ato çuan ujë në mullirin e diplomacisë serbe dhe retorikën e Vuçiçit dhe nuk ka përse fajësohet as Brukseli që bëri një prononcim të nivelit të ulët, por gjithsesi parimor në bazë të korrektesës politike.

Personalisht, mendoj se kjo deklaratë e Ramës ka pasur si objektiv presionin ndaj Brukselit për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përfshirjen e saj më seriozisht në proceset integruese, gjeste tejet të vonuara, sidomos liberalizimi i vizave, pasi duket se lobimi panshqiptar në këtë pikë, për momentin ka dështuar dhe nuk po gjen vesh për t’u dëgjuar.

Pavarësisht nga arsyet reale apo subjektive të një mungese vendimmarrje hëpërhë të Brukselit për këtë çështje, e cila do të duhet të bëhet sa më shpejt, për një mijë e një arsye, gjetja e Ramës në duel me Thaçin, për të gjetur këtë formë presioni ndaj Brukselit përmes shantazhit nacionalist bie ndesh me perceptimin që ekziston në qarqet e epërme të vendimmarrjes politike në Union për Ramën, i cili konsiderohet gjerësisht si njeri i paqes, kompromisit, realizimit dhe konstruktivitetit politik në çështjet e Ballkanit.

Praktikisht, eksodi i shqiptarëve, përmes Serbisë dhe Hungarisë, janë forma presioni e ndërgjegjësimi më efektive për vendet e BE-së ndaj mosliberalizimit të qarkullimit të shqiptarëve që nuk duan t’i fusin nga dera, por po i detyrojnë t’u hynë nga dritaret e kontinentit.

Një lëvizje e tillë diplomatike, si këto prononcime atipike nga Shqipëria dhe Kosova, të kujtojnë lëvizjet e çekuilibruara të Ciprasit në lojën disfatiste, diletante dhe të keqkalkuluar që bën ai me Rusinë, për të detyruar BE-në dhe kreditorët ndërkombëtarë, e mbi të gjitha Gjermaninë, që të përfitojnë ende pa bërë detyrat e shtëpisë, siç duhet dhe në kohë.

Frika ime është se Kryeministrit të Shqipërisë ka filluar t’i hyjë vetja në qejf në raport me ndërkombëtarët dhe një arrogancë e tillë nuk është se shkon, siç i shkon në marrëdhëniet me aktorët politikë në Shqipëri.

Për më tepër, kam droje se këshilltarët e tij për çështjet e Kosovës, të gjithë shqiptarë të Kosovës, mund të jenë njohës shumë të mirë të rrethanave politike të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë, por jo domosdoshmërish edhe të çështjeve përtej fshatit.

Nëse Rama do të dëgjojë këshilla nga ndihmës që mendojnë se ai është Kryeministër i Kosovës dhe votohet prej shqiptarëve të Kosovës (gjë që teorikisht mund të kishte vlerë për Thaçin apo Mustafën), dhe Rama jo dhe aq nacionalist deri përpara vizitës në Serbi për sytë e shqiptarëve të Kosovës do të duhet të përkëdhelë dëshirat përbashkuese të shqiptarëve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, fatalisht nxitohet.

Është tjetër gjë të bësh presion proporcional ndaj Brukselit për një çështje që e ritheksoj është parimisht e drejtë, e stërvonuar dhe e pandershme për nga historia e vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës për lëvizjen e lirë nëpër Europë dhe është tjetër gjë të provokosh BE-në se mund të bësh njëlloj si Sali Berisha me premtimin e pambajtur të dhënies së pasaportave që mori atë përgjigje që mori atë mot nga ndërkombëtarët.

E meqë jemi te Berisha dhe opozita, është i frikshëm mosreagimi i saj ndaj deklaratave të tilla të Kryeministrit.

Kjo mund të shpjegohet ose me kënaqësinë që i jep dështimi identik i Ramës dhe kritika ndërkombëtare për këtë çështje ose mossinqeriteti i saj për çështjen e bashkimit kombëtar në rrugën më të logjikshme, të mundshme sipas parametrave të pritshme ndërkombëtare të Bashkimit Europian, por edhe diplomacisë ndërkombëtare e më gjerë.

Deklarimet e Ramës janë lajm i mirë vetëm për pozicionin e Vuçiç në politikën e brendshme serbe, por edhe në plan ndërkombëtar, pasi dobëson imazhin e Ramës e Shqipërisë dhe përbashkon qëndrimin e Serbisë me atë të BE-së për një çështje që diplomacia ndërkombëtare lëviz ngadalë, për shkak të rrethanave globale dhe qëndrimeve të aktorëve kryesorë vendimmarrës.

Bashkimi i shqiptarëve ose dy shteteve të një kombi, do të duhet të kalojë vetëm dhe as në ëndrrën më të bukur jashtë sesa përmes integrimit europian, të cilën nuk e ndalon as Serbia e as ata që janë përbetuar se nuk do ta njohin kurrë Kosovën.

Përmendja e rrugës klasike është cektësi diplomatike e Shqipërisë e jo e Brukselit dhe fatkeqësisht as e Serbisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button