Na duhet një marrëveshje me Edi Ramën
Qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, lidhur me skandalin më të fundit, atë të inceneratorëve, ka rihapur një debat të vjetër mbi përgjegjësinë e kreut të qeverisë kur ministrat e zyrtarët e tij vihen nën akuzë. Ndërkohë që vetë Rama këmbëngul për gati një dekadë se fajësia është personale, se ai vetë e lëshon ujin të pastër por ia turbullojnë vartësit e tij, se kryeministri nuk ka përgjegjësi, as politike, kur ministra, deputetë, kryetarë bashkish të përzgjedhur prej tij kapen në krim e korrupsion, një pjesë e madhe e opinionit mendon se një kryeministër, sado i pastër të jetë vetë, do duhej të ishte dorëhequr karshi skandaleve që rëndojnë mbi kabinetin dhe administratën që ai drejton.
Do të duhej të dorëhiqej, në mos për implikim, të paktën për paaftësi. Kryeministri ka në dorë mekanizma shumë të fuqishëm për të ushtruar kontroll mbi veprimtarinë e vartësve të tij. Ka audit të brendshëm, ka verifikim procedurash, ka raporte të Kontrollit të Shtetit, ka informacione nga organet e hetimit dhe ato të shërbimeve inteligjente. Çdo raport, akuzë apo dyshim, i ngritur nga institucione të kontrollit zyrtar, nga opozita dhe mediat, mund të verifikohet lehtësisht nga shefi i qeverisë.
Por le të supozojmë për një çast se Edi Rama ka patur besim të verbër tek vartësit e tij dhe mosbesim total tek opozita dhe media. Ai nuk ka dyshuar se përse ngritja e beftë e inceneratorëve iu besua të njëjtës kompani pa përvojë në këtë fushë. Nuk ka gjetur arsye të bazuar për të hetuar për mënyrën e tenderimit dhe as për nevojën e investimit të qindra miliona eurove në tre djegësa në një trekëndësh as 70 kilometra në distancë nga njëri- tjetri. Kryeministri, nisur nga emergjenca e pastrimit të mjedisit, nuk ia ka vënë veshin raporteve të Kontrollit të Shtetit dhe as alarmit nga prokuroria se kompania e inceneratorëve dyshohej për evazion fiskal me faturat e tvsh. Madje as argumentimet e ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, nuk e kanë bindur të hulumtojë më tej se ku dhe si do të përdoreshin milionat e inceneratorëve.
Natyrisht, nuk kishte pse të shqetësohej as nga akuzat e opozitës dhe mediave për këtë aferë, të cilat gjithnjë kishin nxirë punën e tij në të mirë të vendit. Kryeministri ka vazhduar të besojë tek ky projekt, edhe kur inceneratorët nuk respektuan kontratat e tyre me qeverinë, edhe kur ish ministri i Mjedisit dhe një deputet socialist përfunduan në pranga, edhe kur bosët e djegësave u shpallën në kërkim. Vizionin e tij për një Shqipëri më të pastër, nuk mund ta bënin pis disa individë të tunduar nga vesi.
Edi Rama qëndroi besnik në këtë linjë edhe kur SPAK kërkoi arrestimin e ish zëvendësit të tij. Projekti i inceneratorëve është i duhuri, kryeministri beson tek kjo ndërmarrje dhe skandali ka të bëjë me dobësitë njerëzore dhe jo me ndonjë plan të qeverisë për të përfituar në kurriz të shqiptarëve nga një aferë shumë milionëshe.
A mund të bindë shqiptarët kryeministri me këtë strategji 10 vjeçare të justifikimit të përgjegjësisë së tij, ky është ai debati i vjetër sa herë skandalet shpërthejnë në dritën e diellit. Nëse në një vend europian, ky debat as do të hapej fare dhe qeveria do të duhej të dorëhiqej, ne këtu në Shqipëri nuk kemi rrugë tjetër veçse t’i propozojmë kryeminsitrit një marrëveshje të re me ata që ka marrë përsipër të qeverisë.
Në pikën ku ndodhemi, le t’i marrim të mirëqena të gjitha pretendimet e Edi Ramës. Ai nuk ka ditur gjë se çfarë luhej pas shpinës së tij këto 7 vitet e fundit në aferën e inceneratorëve. Marrëveshja e re hipotetike do të konsistonte në atë se çfarë do të marrë përsipër dhe do të premtojë Edi Rama, tashmë që dosja voluminoze e SPAK është edhe në tryezën e tij.
A do të kërkojë ai, tani që skandali ka marrë dhenë, të kontrollohen të gjitha procedurat e dyshimta për ngritjen e inceneratorëve? A do të analizojë raportin e Kontrollit të Shtetit dhe dosjen e SPAK? A do t’u rikthehet letrave që ka firmosur “pam- pam- pam” dhe të kërkojë audit të brendshëm për zyrtarët e dyshuar si të përfshirë në këtë aferë? A do të pyesë kryetarin e Bashkisë së Tiranës për miratimin në parim, në emër të këshillit bashkiak, të ngritjes së inceneratorit të Sharrës dhe skemën e financimit të tij? A do të vërë alarmin që vendimet zyrtare hartoheshin më parë në kompjuterin e Klodian Zotos dhe se zyra e avokatisë që punon për bashkinë është e lidhur me bosin e inceneratorit? A do të nxisë ai hetimin për të zbuluar kush qëndron pas djegësit të Tiranës?
Dhe më kryesorja, që do ta bënte të qëndrueshme këtë marrëveshje të re besimi, a do të kërkojë kryeministri të ndërpriten pagesat për inceneratorin e Sharrës, tashmë që kemi të bëjmë me një aferë korrupsioni dhe për më tepër kur privati nuk i është përmbajtur kontratës për ndërtimin e djegësit por kryen vetëm groposjen e mbetjeve? Një akt i tillë, jo vetëm do të shpëtonte çka mbetur nga “djegia” e taksave tona, por do t’i rikthente kryeminisrit kreditet e rrënuara nga një skandal i përmasave historike.
Tani që Edi Rama i di të gjitha këto, është para provës së besimit dhe jo monologëve të justifikimit. Ai e ka humbur shansin të na bindë me fjalë, prandaj i mbetet vetëm të veprojë. Nëse vazhdon si në këto 10 vjet me fabulën e përgjegjësisë personale, atëherë në rastin më të mirë i bie të jetë një tutkun naiv që nuk kontrollon dot vartësit e tij dhe në rastin më të keq, i përfshirë edhe vetë në një projekt gjigand zhvatjeje kombëtare.
Kryeministri ose vepron sot që ka gjithçka të dokumentuar përpara syve, ose nesër nuk mund të thotë prapë se unë nuk dija asgjë. I ka të gjitha çfarë duhet të dijë. Prandaj le t’i japim benefitin e dyshimit për atë ç’ka ndodhur më parë dhe ta vëmë në provën e veprimit për atë që vjen më pas. Nga kjo “marrëveshje” ai ka mundësinë të pastrojë ç’ka mbetur nga krimi dhe të shpëtojë ç’ka mbetur nga financimi. Nëse ka fuqinë dhe duart e lira, është koha ta “nënshkruajë”. Kjo është prova për të.