Na e ndani, është apo jo elektorale reforma territoriale?
Nga Ylli Manjani
PD vijon të jetë kakofonike në qëndrimet e saj publike. Nuk është çështje mendimi ndryshe, por qëndrimesh të ndryshme brenda të njëjtit mendim që përjashtojnë njëri-tjetrin. Ndërkohë që qytetarëve u kërkohet të protestojnë për njërin prej tyre.
Përfaqësues zyrtarë të PD-së, në emisionin e Erla Mëhillit të ditës së hënë, deklaruan fare qartë se harta e re territoriale nuk është problem elektoral.
Arsyetimi i tyre ishte madje logjik. Bashkitë e vogla që mund të përthithen nga bashkitë më të mëdha nuk kanë një peshë të tillë elektorale sa të ndryshojnë rezultatin politik të njësive të mëdha ekzistuese. Si ilustrim u përmendën raste si Rrogozhina apo Fushë-Arrëzi.
Mirëpo PD-ja zyrtare ka artikuluar ndërkohë tezën tjetër se ndryshimi i hartës territoriale bëhet pikërisht me qëllime elektorale.
Atëherë na e ndani cila është e vërteta? Është apo nuk është elektorale reforma territoriale?
Të dyja bashkë nuk mund të jenë të vërteta.
Nëse ndryshimi i hartës nuk ndikon realisht në rezultatin elektoral, atëherë akuza për manipulim elektoral duhet lënë mënjanë dhe debati duhet zhvilluar atje ku ka kuptim. Pra te funksionaliteti i pushtetit vendor, decentralizimi, shërbimet, përfaqësimi dhe kostot.
Nëse, përkundrazi, harta po ndërtohet për të favorizuar elektoralisht PS-në, atëherë kjo duhet provuar. Duhet treguar ku, si, në cilat bashki dhe me çfarë efekti konkret mbi votën.
Nuk mjafton të thuash “është elektorale”. Duhet të tregosh mekanizmin elektoral.
Në fakt, dje dhe sot Berisha nuk duket se ngul këmbë më fort te kjo tezë. Argumenti po zhvendoset te një formulë edhe më e përgjithshme, sipas të cilës harta e re qenka “në dëm të popullit”.
Mirë. Po si është në dëm të popullit? Cili shërbim përkeqësohet? Cila zonë mbetet e papërfaqësuar? Cila kompetencë largohet nga qytetari? Sa rritet distanca me administratën? Çfarë humbet financiarisht një komunitet? Cili është modeli alternativ?
Pa këto përgjigje, “në dëm të popullit” është një deklaratë politike kaq e përgjithshme sa mund të përdoret kundër çdo ligji, çdo reforme dhe çdo vendimi qeveritar.
Vetëm kaq deklarim nuk është argument i mjaftueshëm për t’u thënë njerëzve lini punët, dilni në rrugë dhe ejani të përleshemi me qeverinë te kangjellat e Parlamentit.
Pse duhet ta bëjnë njerëzit këtë, kur vetë PD-ja nuk ua shpjegon dot qartë përse?
Për momentin, argumenti më konkret duket të jetë fakti se PD kërkon rreth 100 njësi vendore, ndërsa PS propozon 46.
Por numri, në vetvete, nuk është politikë publike. Pse 100 janë më mirë se 46? Pse jo 80? Pse jo 60? Pse jo 120?
Një hartë territoriale nuk bëhet duke luajtur pazarin e kungulleshkës: “jo 46, po 100”.
Numri i bashkive mund të ketë kuptim vetëm nëse mbështetet mbi konceptet e efiçencës administrative, afërsisë të shërbimit me qytetarin, autonomisë financiare, përfaqësimit territorial, identitetit komunitar, zhvillimit ekonomik apo thellimit të decentralizimit.
Nëse PD mendon se 100 bashki e realizojnë më mirë këtë model, atëherë duhet të na paraqesë modelin, jo vetëm numrin.
Në këtë debat, madje, mund të ketë shumë më tepër vlerë argumenti konkret si ai i Erion Braçes, nëse ai prek realisht mënyrën se si organizimi territorial ndikon mbi komunitetet, sesa beteja sterile mes numrit 46 dhe numrit 100.
Pa dyshim që për një argument real ia vlen të debatosh. Për një padrejtësi konkrete ia vlen edhe të protestosh.
Por për një numër? Për një slogan? Për një reformë që të hënën nuk është elektorale, të martën është elektorale dhe të mërkurën është thjesht “kundër popullit”?
Këtu është problemi më i madh i PD-së, dhe nuk është vetëm reforma territoriale. Është qartësia e mesazhit politik.
Një opozitë serioze nuk ka detyrë vetëm të thotë “jo”. Duhet të shpjegojë pse jo dhe, mbi të gjitha, çfarë propozon në vend të asaj që kundërshton.
Përndryshe mbetet ajo që shohim prej kohësh. E paqartë në tezë, kakofonike në argument, gjenerike në denoncim dhe e varfër në propozimin për të ardhmen.
Kur nuk është e qartë opozita se përse duhet protestuar, është pak e tepërt t’u kërkojë qytetarëve të jenë më të qartë se ajo.
Sidoqoftë, protestë të mbarë për kombin e opozitës!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.