Naço: KLD ka axhendë personale, nuk shkohet në BE duke shkelur ligjin
Këshilli i Lartë i Drejtësisë është duke ndjekur një axhendë personale, e cila është në shkelje të ligjit, tha të martën, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, gjatë një prononcimi për një prej mediave vizive.
Duke iu referuar debatit që prej kohësh vlon mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, Naço tha se ngjarja e djeshme (mbledhja e KLD-së për plotësimin e 4 vendeve vakante), nuk është rasti i parë kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shkelur ligjin.
“KLD prej kohësh është duke ndjekur një axhendë personale. Nuk është rasti i parë që shkelet ligji nga ky institucion. Rasti djeshëm, sqaron Ministri është flagrant, pasi kisha lajmëruar që nuk do të isha. Edhe Presidenti i Republikës nuk ishte në mbledhje, por pavarsisht kësaj sërisht mbledhja vazhdoi.”
Përpos kësaj, Naço bëri të ditur se kanë ndodhur edhe shkelje të tjera. “Personat e prezantuar dje për vendet vakante në gjykatë, muaj më parë ishin pjesë e kabineteve politike. Ndërsa nga krahu tjetër ka muaj të tërë që gjyqtarët e lushnjes nuk marrin paga. Pra, duket qartë axhenda personale e KLD, interesat e saj dhe emërimet në mënyrë selektive që po bëhen”, theksoi Naço.
Ministri Drejtesise Nasip Naço në Komisionin e Sigurisë. Foto Arkiv
Ministri i Drejtësisë duke rrjeshtuar shkeljet, që sipas tij ka bërë KLD, tha se nuk mund të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian duke shkelur ligjin dhe veçanërisht kur emërimet janë të njëanëshme. “Kam kërkuar shumë herë që të bashkëpunojmë me KLD-në. Si ministër i kam propozuar të shpallen vendet vakante. Por, kjo nuk ka ndodhur, pasi KLD ka emëruar ata gjyqtarë që ka dashur vetë. Nuk mund të bëhemi pjesë e BE nëse nuk respektohet ligji. Nuk ka transparencë nga ana e KLD, këtë gjë e vërtetojnë dhe ankesat e qytetarëve. Ndërkombëtarët tashmë e kanë kuptuar, po ashtu dhe vetë qytetarët e shohin këtë gjë çdo ditë”, tha Kreu i Ministrisë së Drejtësisë.
Nën dritën e asaj që u tha më lartë, Ministri i Drejtësisë i bëri apel parlamentit të vijoi punën për realzimin e reformës në sistemin e drejtësisë. “Parlamenti duhet të vazhdojë reformat në sistemin e drejtësisë, një sistem i përgojuar dhe i përfolur. Gangrena e sistemit të Drejtësisë është Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Mjafton të bëni një sondazh, dhe qytetarët e votojnë që KLD nuk respekton ligjin. KLD është një ishull i izoluar që nuk respekton”, përfundoi ministri Naço, në prononcimin e dhënë për një media vizive shqiptare. Kujtojmë se një ditë më parë, Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate zyrtare e cilësoi të paligjshme mbledhjen e KLD-së, që u zhvillua mesditën e djeshme.
Në përgjigje të akuzave të Ministrisë së Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka theksuar se procedura e ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për plotësimin e 4 vendeve vakant në Gjykatën e Tiranës, ka qenë totalisht konform ligjit, dhe duke u mbështetur tek Kushtetuta
Ja deklarata e plotë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë:
ministria-e-drejtesise dhe KLD
Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e datës 30 Qershor 2014, kishte në rendin e ditës shqyrtimin e kandidaturave për plotësimin e 4 (katër) vendeve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vende të shpallura vakant me vendimin nr. 41, datë 11.04.2014 të Këshillit.
Si çdo herë, procedura e ndjekur në përzgjedhjen e tyre, ka qënë totalisht konform ligjit “Për organizimin dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, konform të gjitha standarteve të përcaktuara nga Këshilli, si dhe në një proces votimi të hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore për emërim në këtë gjykatë.
Përkundrejt pretendimeve të Ministrit të Drejtësisë se KLD ka shkelur ligjin, gjejmë rastin të informojmë opinionin publik se vendimmarrja e sotme apo dhe ajo e datës 11 Prill 2014, me anë të së cilës janë shpallur vendet vakant, janë kryer në respektim të plotë të Kushtetutës e cila i ka atribuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të drejtën e patjetërsueshme të propozimit për emërim apo edhe të transferimit të gjyqtarëve nëpër gjykata. I gjithë kuadri ligjor në fuqi në zbatim të Kushtetutës, i ka dhënë Këshillit dhe jo Ministrit të Drejtësisë autoritetitin e duhur për të qënë administruesi i sistemit gjyqësor dhe njëkohësisht i kontrollit të tij përsa i përket gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit.
Përkundrazi, Ministri i Drejtësisë në veprimtarinë e tij, nuk ka respektuar detyrimet për të propozuar shpalljen e vendeve vakant, jo vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, por dhe në të gjithë gjykatat e vendit, duke shtyrë gjykatat drejt një anormaliteti në funksionimin e tyre.
Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, do të kishte vepruar prej kohësh në caktimin e ndihmësave ligjorë në gjykatat administrative.
Megjithëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mënyrë të përsëritur, i ka bërë atij thirrje që të ushtrojë kompetencat ligjore të parashikuara në nenin 6 të ligjit nr.49/2012, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Emërimi sa më shpejt i ndihmësave ligjorënë gjykatat administrative, do të ndihmojë ndjeshëm trupat gjyqësore gjatë ushtrimit të veprimtarisë e tyre, do të shërbejë në balancimin e ngarkesës së punës në gjykata. Këto janë detyrime që Ministri i Drejtësisë duhet të plotësojë jo si një nder apo favor ndaj gjykatave, por si një detyrim ndaj ligjeve të vendit.
Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, ekzkluziviteti që ai ka në fillimin procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve nuk duhet të bazohet në standarte të dyfishta, me qëllim në fakt për të goditur vetë KLD. Përkundrazi kjo kompetencë duhet ushtruar nga Ministri me transparencë, objektivitet dhe larg çdo lloj dyshimi të arsyeshëm për afera të çdo natyre.
Deklarimet e Ministrit të Drejtësisë, bërë publike sot në media, se KLD ka shkelur hapur ligjin, apo thirrjet e tij për “ndihmë” drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjore vërteton edhe një herë se qëllimi i tij nuk është përmirësimi i sistemit gjyqësor, por vendosja e tij në kontroll.
Këto tentativa në rastin më të mirë mund të konsiderohen padijeni ndaj ligjit dhe interpretimit të tij dhe në rastin më të keq janë gjetja e një preteksti për të realizuar një skenar ndërhyrje qëllimplotë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor nga pushteti ekzekutiv.
Këto tentativa janë revansh i pastër politik ndaj Këshilit të Lartë të Drejtësisë, ndaj sistemit të drejtësisë, për të përfituar nënshtrimin e gjyqtarëve.
Në mbledhjen e sotme nuk ka ndodhur asngjë nga e gjithë ajo antiligjshmëri që pretendon Ministri i Drejtësisë. Sot, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka bërë detyrën duke plotësuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në mënyrë që ajo të funksionojë me një trupë të plotë gjyqësore, çka do të ketë veçse pasoja pozitive në shpejtësinë dhe në cilësinë e punës të asaj gjykate.
Këshilli është dhe do të jetë gjithmonë i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët politikë ose jo, në përmirësimin e sistemit të drejtësisë si një domosdoshmëri që e kërkon koha, që e kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha nevojat e qytetarëve.