Politika

Naço, letër qeverisë: Jam kundër, nisma të rishikohet

Nisma e ndërmarrë nga Kryeministri Edi Rama për ndryshimin e Kodit Penal për ta kthyer në një vepër penal shpifjen, duke burgosur zyrtarët dhe median, ka hasur kontestime edhe brenda ministrave të qeverisë. Gazeta “Shqip” ka zbuluar një letër të shtatorit të këtij viti, e firmosur nga ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ku i kërkon ministres së Shtetit, Ermonela Felaj, përgjegjëse për hartimin e drafteve të qeverisë, që të rishikojë nismën, pasi ka përplasje. Nuk dihen arsyet se nëse kjo letër është dhe si një nga shkaqet e largimit të Nasip Naços, si ministër i Drejtësisë, ku vetëm disa ditë më parë dha dorëheqjen nga ky post. Ai e argumentonte largimin si ministër si pasojë e shmangies nga procesi i reformës në drejtësi dhe mosbashkëpunimit. Letra tregon se ka pasur jo pak përplasje dhe ndërmjet vetë ministrave për një nismë të tillë, e cila kësaj here vjen pikërisht nga ministria që duhet të kalojë nëpërmjet filtrit ligjor, në mënyrë që draftet e qeverisë të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe me konventat ndërkombëtare. Letra e Naços mban numër protokolli 5929, e datës 17.09.2015 dhe i është drejtuar ministres së Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, e për dijeni sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.

Shkresa e plotë

Është e nevojshme të mbahet në konsideratë nëse propozimi për nenin 238/a është në proporcion me nevojën për të mbrojtur lirinë e shprehjes. Kjo ka qenë një ndër arsyet që me ligjin nr. 23/2012, një ndër nenet me përmbajtje të ngjashme është shfuqizuar nga Kodi Penal. Në Republikën e Shqipërisë, të drejtat nuk mund të cenohen më tepër sesa lejon Konventa Europiane. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në një sërë vendimesh, në interpretimin që i ka bërë nenit 10 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ka mbajtur qëndrimin se punonjësit publikë duhet të kenë tolerancë më të lartë ndaj kritikës dhe diskutimit në publik, por si minimum nuk mund të kenë të drejta më të larta për mbrojtjen e reputacionit sesa shtetasit e thjeshtë. Për pasojë, nevojiten argumente bindëse dhe vlerësim i kujdesshëm nëse mbrojtja që ofrohet përmes kësaj dispozite është e justifikuar dhe nuk cenon parimin për një mbrojtje të barabartë për të gjithë. Nga ana tjetër, nga mënyra se si dispozita është formuluar, e lidh konsumimin e kësaj vepre penale me qëllimin e posaçëm për atribuimin ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale. Në këtë pikë, është e paqartë se si do të provohet vërtetësia e çdo pohimi, se subjekti pasiv i kësaj dispozite ka kryer një vepër penale apo jo, për të konkluduar nëse nga subjekti aktiv është konsumuar vepër penale e parashikuar nga neni 238/a që propozohet të shtohet. Do të duhet të provohet jo vetëm me anë të një vendimi të formës së prerë që tregon se si funksionari i lartë shtetëror apo i zgjedhuri nuk e ka kryer faktin që parashikohet nga ligji si vepër penale? Në këtë pikë, natyrshëm lind pyetja nëse mund të lejohen provat e tjera për të provuar një pohim të tillë. Sa më sipër, jemi të mendimit se dispozita nuk është e qartë, çka do të sillte vështirësi në zbatimin në praktikë. Kur në legjislacionin penal duhet të shtohet një vepër e re penale, janë një sërë elementesh që duhen analizuar paraprakisht: shtyrjet e veçanta që justifikojnë propozimin, si interes i fortë publik apo praktika gjyqësore, vlerësim i faktit nëse veprimi është aq i rëndë sa të parashikohet si vepër penale dhe nëse veprimi përthithet apo jo nga legjislacioni penal ekzistues. Në këtë drejtim, nëse do të duhej të shtohej një dispozitë që mbron në mënyrë të posaçme nga shpifja funksionarët e lartë shtetërorë apo të zgjedhur, pasi konsiderohet se neni 120 i Kodit Penal nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për këto subjekte të posaçme, parashikimi duhet të paraprihet nga analizimi i çështjeve të mësipërme dhe më pas mund të konkludohet në qëllimin që do të ketë dispozita e re. Vende të ndryshme europiane kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mbrojtjes së subjekteve të posaçme nga vepra penale e shpifjes. Disa vende nuk kanë të parashikuar mbrojtje të ndryshme në varësi të subjekteve. Ka edhe vende të tjera që ofrojnë një mbrojtje të tillë, si Gjermania, por që nuk kanë të specifikuar në dispozitë qëllimin e posaçëm, që është i vështirë për t’u provuar në praktikë, po ndalen në përcaktimin e detajuar të anës objektive të veprës. Kështu, Gjermania, në nenin 188 të Kodit Penal, parashikon si vepër penale “Përhapjen e fjalëve dashakeqe dhe shpifjen ndaj personave të përfshirë në jetën politike”. Sipas kësaj dispozite, dënohet përhapja e thënieve dashakeqe e kryer publikisht, në një mbledhje apo përmes shpërndarjes së materialeve të shkruara, kundër një personi të përfshirë në jetën politike, të bazuar në pozitën e atij personi në jetën publike, dhe nëse ky veprim mund ta bëjë aktivitetin e tij publik thelbësisht të vështirë. Pra, rëndësi në këtë rast i jepet edhe pasojës, që ka ardhur nga kjo vepër penale. Ky model, në vlerësimin tonë, duhet të merret në konsideratë. Në përfundim, sugjerojmë që propozimi juaj të rivlerësohet sa më sipër, duke argumentuar me kujdes arsyet që çojnë nevojën për parashikimin e një vepre të re penale, qëllimin që do të ketë kjo vepër e re, për të përcaktuar më pas edhe elementet e anës objektive dhe subjektive që duhet të përmbushen për t’u quajtur vepër penale e konsumuar. Gjithashtu, kjo nismë duhet të kalojë në një proces të gjerë diskutimi dhe konsultimi në përputhje me ligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, jo vetëm si një detyrim ligjor, por duke pasur veçanërisht në konsideratë se neni 240 “Shpifja për shkak të detyrës”, u shfuqizua nga Kodi Penal në ligjin nr. 23/2012, pikërisht me kërkesë të ekspertëve ligjorë të shoqërisë civile, gjatë diskutimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button