Naço: Rishikimi i kompetencave, jo sulm personal. Presidenti s’duhet në krye të KLD-së
Nga: Klodiana Lala*
Rishikimi i kompetencave të presidentit, nuk janë një sulm personal ndaj tij dhe nuk lidhen me emrin e presidentit…”. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, gjatë një interviste për “GSH”, flet për herë të parë për dokumentin analitik që i ka dorëzuar Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe sqaron se rishikimi i kompetencave të kreut të shtetit, vjen si domosdoshmëri për reformimin e sistemit.
“Mendimi im personal është që Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që Gjykata e Lartë duhet të përfshihet brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që do të thotë se vetë gjyqësori duhet të menaxhojë sistemin”, thekson ministri. Mandej, flet për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, institucionet që do të reformohen. Duke u ndalur tek ngjarjet e fundit kriminale që tronditën Tiranën, ministri i Drejtësisë, dënoi rëndë aktet terroriste dhe bëri thirrje për bashkëpunim institucional për të vënë përpara përgjegjësisë autorët.
Do të ndalemi tek një çështje shumë e rëndësishme, siç është reforma në drejtësisë. Pak ditë më parë, ju keni dorëzuar në Kuvend një dokument analitik, i cili në fakt është një informacion i detajuar mbi sistemin e drejtësisë. A mund të na thoni konkretisht se cilat janë pikat ku jeni bazuar dhe cilat janë shtyllat kryesore mbi bazën e të cilave do të reformohet drejtësia në Shqipëri?
Ne kemi më shumë se një vit që nuk e kemi fshehur në asnjë rast se çfarë duam të reformojmë. Janë bërë tashmë publike nëpërmjet konferencave të zhvilluara, takimeve të ministrit të Drejtësisë, me të gjitha institucionet e tjera, apo tryeza e organizuar nga Presidenti i Republikës dhe ministri i Drejtësisë më datë 6 tetor, konferenca e organizuar më 31-tetor, një konferencë tjetër e organizuar nga misioni EURALIUS, më datë 19 nëntor, të gjitha bashkë të shpien në një emërues të përbashkët, që në Shqipëri është e nevojshme, që të reformohet sistemi gjyqësor. Ne kemi identifikuar institucionet, kë duam të reformojmë, si duam ta reformojmë, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Shkollën e Magjistraturës dhe institucionet e tjera të varësisë. Sigurisht që materiali është një punë voluminoze e bërë nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë material përmblidhen qëndrimet e Ministrisë së Drejtësisë, qëndrimet e misionit EURALIUS, 2, 3 dhe 4, konkluzionet e arrita gjatë konferencave apo tryezave të zhvilluara për reformimin e drejtësisë. Të gjitha këto janë përmbledhur në një material analitik, të cilat i janë bërë prezentë komisionit të posaçëm të Kuvendit, për reformimin e sistemit të drejtësisë. Po të lexoni në këtë material, do të duket se ka dhe gjëra kontradiktore, për mendimin tuaj, po për mua nuk ka.
Të ndalemi pak këtu z.ministër, në dokument ju flisni për ndryshime rrënjësore në Kushtetutë. Mund të na thoni se cilat do të jenë këto ndryshime dhe ku do të preket Kushtetuta, nëse do të arrihet në këtë pikë?
Nuk besoj se ne kemi qenë kaq të prerë dhe kemi thënë që duhen bërë një, dy apo tre ndërhyrje. Ne kemi bërë analizë të sistemit, kemi thënë dhe domosdoshmërinë e ndryshimeve që mund të vijnë në Kushtetutë, që kanë të bëjnë qoftë te zgjedhja e presidentit, pra, si do të zgjidhet presidenti, që vazhdon me kompetencat e tij, që kanë të bëjnë me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, qenia e tij në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Të gjitha këto ka ardhur momenti, nëse do të bëhet kjo reformë, siç mendojnë juristë, analistë të ndryshëm, duhet filluar me ndryshimet në Kushtetutë pastaj me ndryshime ligjore. Personalisht ndaj të njëjtin qëndrim, i cili në pjesën kryesore të këtij materiali është parathënë, që do të thotë mendimi im personal është që Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që Gjykata e Lartë duhet të përfshihet brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që do të thotë vetë gjyqësori duhet të menaxhojë sistemin. Gjyqësori është një pushtet që duhet të menaxhohet nga vetja. Duhet të marrë më shumë kompetenca kryetari i Gjykatës së Lartë, të barabarta me ato që ka sot Presidenti i Republikës. Nuk po kërkoj që kompetencat që ka sot Presidenti i Republikës t’i marrë ministri i Drejtësisë, ti marrë kryeministri, apo dikush tjetër, ne po themi që një pjesë të kompetencave që ka sot presidenti ti marrë kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili është njëkohësisht kryetar i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, përfaqëson gjyqësorin, dhe besoj është një nga variantet më të mundshme siç aplikohet edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Modele ka të ndryshme, e rëndësishme është të ruhen parimet kryesore të pavarësisë së sistemit gjyqësor të integritetit të këtij sistemi, pra të japë atë produkt, që kemi dëshiruar si klasë politike, apo shoqëria civile, partnerët tanë ndërkombëtarë, për të ardhur sistemi jonë gjyqësor në ato parametra, që kërkohen nga BE, një vend të cilin dhe ne aspirojmë. Mendimi im, që qenia e presidentit në krye të unitetit të popullit, të garancive kushtetuese dhe të emërojë të gjithë prokurorët, prokurorin e përgjithshëm, të gjithë kryetarët e gjykatave dhe të mos mbajë përgjegjësi për sistemin në gjendjen që është, ky është një non sens dhe këtë kemi kërkuar që…
Pikërisht kjo pikë pritet të ngjallë jo pak debat, pasi ju flisni në të ardhmen, për një president, i cili nuk do të jetë më kryetar, nëse sigurisht reforma votohet Parlament, i KLD-së, nuk do të ketë të drejtë të emërojë gjykatësit apo prokurorët. Pra duket në pamje të parë, si një tentativë e maxhorancës qeverisëse, për ta zhveshur presidentin nga funksione që në fakt ja jep Kushtetuta. A është ky një sulm i qeverisë apo maxhorancës në tërësi që po i bëhet Presidentit të Republikës. Pasi, duhet të kujtojmë këtu faktin që nuk është hera e parë që presidentit i hiqen kompetenca mjaft të rëndësishme?
Gjendja e sistemit gjyqësor sot nëse do tu themi juve, si do ta vlerësonit nga 1 deri tek 10, është në çështjen tuaj sesi do ta vlerësoni, por nëse ju, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë, janë të kënaqur nga ky sistem, atëherë ne e kemi gabim dhe po i heqim kompetencat Presidentit të Republikës. Nëse ne themi, që ky sistem nuk ka funksionuar edhe nga ndryshimet ligjore që ne kemi bërë, përsëri ky sistem nuk ka funksionuar dhe sigurisht do të kërkojmë një zgjidhje, e cila është e pranueshme dhe zgjidhja do jetë bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, zgjidhja do jetë me gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, qoftë me Presidentin e Republikës, qoftë me opozitën, qoftë me trupën gjyqësore. {Pra ne nuk kërkojmë të marrim një iniciativë ligjvënëse, pa opozitën, pa presidentin, pa partnerët tanë ndërkombëtarë. Po fakti që gjendja e sistemit gjyqësor lë sot për të dëshiruar, ku askush nuk është i kënaqur, po shikojmë një model tjetër të njëjtë me ato të vendeve të BE-së, që ti përshtatet kushteve të vendit tonë. Për sa kohë sistemi ynë gjyqësor nuk është në lartësinë e duhur, po kërkojmë rrugë të reja, për ta përshtatur këtë sistem, brenda standarteve të BE-së. Ky nuk është sulm personal ndaj Presidentit të Republikës, nuk ka të bëjë me emrin e Presidentit të Republikës. Reformat kanë filluar prej më shumë se një vit e gjysmë, është bërë një raport analitik, janë dhënë mendime të ndryshme, vetë fakti që është krijuar një Komision i Posaçëm në Kuvend, ka disa nënkomisione, ku pjesën kryesore, sigurisht e ka Ministria e Drejtësisë, ka përfaqësues të opozitës nën nënkomisione, sepse dihet që në komisione ka përfaqësues të opozitës, do ketë përfaqësues nga presidenca, nga shoqëria civile, nga Shkolla e Magjistraturës, pra janë rreth 1 mijë ekspertë, të cilët do të japin mendimet e tyre, sipas një raport- analize. Ky është një raport-analizë dhe ne nuk themi, se nuk ka vend për ta përmirësuar më. Ne kemi bërë një analizë të detajuar sesi e mendojmë ne reformën në sistemin e drejtësisë, kemi bërë një përmbledhje me disa kapituj, të cilën ja kemi vënë në dispozicion komisionit të posaçëm për të bërë reformën. Komisioni i posaçëm, ekspertët mund të ndodhë të bien dakord që sistemi ka funksionuar, por duhen ndryshuar njerëzit, ky është qëndrimi që do mbajë komisioni i posaçëm, ne nuk po merremi me njerëzit, ne nuk po merremi me kompetenca të veçanta, ne po merremi me sistemin dhe ky sistem nuk ka funksionuar deri më sot. Nuk është çudi që presidentja e Kosovës nuk është në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ja pra që është një model, që miratimi i ndryshimeve është bërë vitet e fundit. Në Itali nuk është. Ja pra ka modele të ndryshme, ne do gjejmë një model që ti përshtatet zhvillimeve të vendit, ti përshtatet sistemit tonë parlamentar, ku presidenti duhet dhe është mbi palët të mos jetë aktor kryesor, siç është ai në sistemin e drejtësisë. Unë e kam thënë dhe e përsëris, sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk ka fytyrën e qeverisë, por ka fytyrën e sistemit gjyqësor. Pra, është qeveria e gjyqësorit dhe nëse qeveria e gjyqësorit, ju e perceptoni në atë që është KLD-ja kjo është fytyra e sistemit, jo e qeverisë. Dhe unë jam pjesë e KLD-së, dhe kam bërë përpjekjet në maksimum që ky sistem të reformohet e të ndryshojë, të tregojë integritet në qëndrimet e veta, por nuk e ka treguar. Në një vit e gjysmë, nuk e ka treguar në ato nivele që do dëshironim ne dhe partnerët ndërkombëtarë. Kjo nuk i referohet vetëm fjalës time si ministër i Drejtësisë, por i referohet të gjithë progres-raporteve të viteve të fundit, apo aktorëve të tjerë në sistemin e drejtësisë.