Muzike

Nadja Jankoviç merr trofeun shqiptar

Për tri ditë rresht në Tiranë u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Kitarës

Nadja Jankoviç nga Mali i Zi është fituesja e çmimit “GRAND PRIX” në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës, që përgjatë tre netëve u mbajt në Akademinë e Arteve në kryeqytet.

Mes shumë konkurrentëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës, Nadja Jankoviç arriti të mblidhte pikët maksimale, duke fituar kështu çmimin e madh “Grand Prix”, i cili u shoqërua me dhurimin e një kitare profesionale koncertesh, prodhuar nga mjeshtri grek, Giannis Sentoylas. Gjithashtu, fituesja e këtij çmimi do të ketë mundësinë të performojë në Festivalin Ndërkombëtar të Tiranës 2016 dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës, Zagreb 2016. Ka qenë një juri profesioniste e përbërë nga tetë anëtarë, figura të njohura të kitarës akustike në botë, me president prof. Anders Miolin, që votoi për pjesëmarrësit sot në konkursin ndërkombëtar të këtij viti.

Sipas gjashtë kategorive të këtij konkursi, me çmime u vlerësuan këta kitaristë: Edis Hamiti nga Kosova, Nadja Jankoviç nga Mali i Zi, Melani Skopljakoviç nga Zvicra, Exacquo Alexandër Gil nga Zvicra, Victor Valisena nga Italia, Aljaz Cvirn nga Sllovenia dhe Pichawhat Assaw Arungseekul nga Tajlanda. Në fjalën e tij, presidenti i jurisë, Anders Miolin, e konsideroi këtë festival si të rëndësishëm veçanërisht për edukimin e të rinjve.

“Muzika është energji e komunikim dhe këto janë elemente të rëndësishme për rininë”, u shpreh ai. Një event që u zhvillua për të tretën herë në Shqipëri, ky festival ka arritur të sjellë në kryeqytet emrat më të njohur të kitarës në botë, pedagogë dhe profesionistë të këtij instrumenti. Festivali është hapur nga dyshja “Amadeus Guitar Duo”, e përbërë nga kitaristët gjermanë Dale Kavanagh dhe Thomas Kirchhoff, të cilët kanë luajtur me mjeshtëri dhe origjinalitet pjesë të njohura të kompozitorëve të famshëm. Në natën e tij të dytë, festivali ka vijuar me ansamblin virtuoz të gjashtë kitaristëve “Ensemble GUITARRA A SEIS”, të cilët gjithashtu janë mirëpritur nga publiku.

Në mbrëmjen finale, pjesë e koncertit kanë qenë performancat artistike të dy kitaristëve, Anders Miolin nga Suedia dhe Callum Henshaw nga Australia. Pjesë e gjithë elementeve përbërëse të festivalit kanë qenë edhe masterklasat e organizuar me studentet e “PreCollege Music” nga Universiteti i Arteve të Zyrihut dhe profesori i tyre Daniel Knecht, të cilët për një javë kanë qëndruar në Tiranë për të studiuar dhe performuar muzikën ballkanike me profesorë të Akademisë së Arteve. Ky festival e rendit Shqipërinë mes vendeve që organizojnë një event të ngjashëm të përvitshëm, duke mbështetur artistët e rinj dhe promovuar vlerat e këtij instrumenti. Aktiviteti u organizua nga Fondacioni Shqiptar i Kitarës dhe Akademia e Arteve me mbështetjen e “Alpha Bank Albania” si sponsor gjeneral.

Pjesëmarrës në këtë event ishin ambasadori gjerman në Shqipëri, Hellmut Hofman; ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri; Periklis Drougkas, drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania; znj. Holstein, zëvendësambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri; Konstantinos Piperigos, zëvendësambasador i Greqisë në Shqipëri etj. Ky event është një nga takimet më të rëndësishme në jetën kulturore të kryeqytetit shqiptar, duke i ofruar publikut performanca të shkëlqyera artistike nga artistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button