Bota

“Nafta e kontaminuar” paralizon linjën naftësjellëse Druzhba

Nafta e ndotur nga Rusia vazhdon të paralizojë linjën më të rëndësishme naftësjellëse për disa vende. Të prekura janë kryesisht Bjellorusia, Polonia dhe Gjermania. Ende janë të paqarta pasojat financiare.

Gjermania ka një problem serioz me furnizuesen e saj më të madhe të energjisë, Rusinë. Prej dy javësh rruga më e rëndësishme e përçimit të furnizimeve me naftën ruse në vendin me ekonominë kryesuese të Europës është bllokuar. Fjala është për linjën naftësjellëse Druzhba (miqësia). Qysh në kohën e Bashkimit Sovjetik përmes kësaj linje furnizohej ish-RDGJ si dhe vende të tjera komuniste. Që nga 25 prilli vendet sot anëtare të BE-së Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia gjithashtu nuk mund të marrin më furnizime me naftë nga Rusia përmes linjës Druzhba. Varshava, Budapesti dhe Praga ndërkohë janë detyruar të përdorin rezervat shtetërore. Konsumatorët në Gjermani tani për tani nuk kanë arsye të shqetësohen për këtë ndërprerje të furnizimeve. Furnizimi me benzinë, naftë dhe gaz është i siguruar, komunikuan autoritetet gjermane. Ka rezerva të mjaftueshme.

Miliona ton naftë e papastër

Problemi është i natyrës teknike. Në linjën naftësjellëse në territorin rus, sipas të dhënave nga Moska, me sa duket në zonën Samra të Vollgës ka depërtuar naftë e papastër. Nafta përmban kloride, që përdoren aktivisht për nxjerrjen e naftës nga burime të shfrytëzuara intensivisht, por që më pas duhen pastruar detyrimisht. Kjo për faktin, se kloridet mund të shkaktojnë dëme të rënda korrozioni në rafineri.

Nga përqëndrimi maksimal i lejueshëm prej 10 ppm (parts per million) nafta në linjën Druzhba duhet të ketë pasur deri në 330 ppm kloride. Meqënëse rafineritë refuzuan ta pranonin këtë lëndë të ndotur rëndë, përçimi i saj përmes linjës Druzhba u ndalua në të gjitha vendet pjesëmarrëse. Sikurse siguroi në një prononcim për DW, Shoqata e Mineralit të Naftës, nafta e ndotur nuk ka mbërritur deri në Gjermani.

Ende vazhdon të jetë e paqartë se sa naftë e kontaminuar është depozituar përmes linjës prej mijëra kilometrash në territorin bjellorus, polak, ukrainas, hungarez, sllovak dhe atë çek. Me gjasë në Rusi në këtë sistem është depozituar deri në pesë milionë ton ose 37 milionë fuçi. Kjo i përgjigjet kapacitetit mujor të linjës Druzhba tashmë të bllokuar. Burime të tjera bëjnë fjalë për tre milionë ton.

Bjellorusia vendi më i prekur

Deri tani më së shumti është prekur Bjellorusia. Ekonomia bjelloruse është shumë e varur nga nafta ruse, që furnizohet atje me çmime të favorshme dhe në dy rafineri shndërrohet në benzinë, produktin më të rëndësishëm të eksportit dhe prurësin kryesor të valutës në këtë vend. Minsku merr gjithashtu para edhe për tubacionet që kalojnë përmes Bjellorusisë.

Ndaj pezullimi i Druzhbës dhe ulja e prodhimit të benzinës është një goditje e rëndë për ekonominë gjithësesi të dobët të drejtuar nga shteti në këtë vend.  Impiantet e rafinerisë gjithashtu janë dëmtuar në mënyrë serioze prej naftës me përmbajtje klori. Në fund të prillit Minsku i vlerësoi me rreth 100 milionë dollarë humbjet, por llogaritja përfundimtare ndaj Rusisë do të jetë edhe më e lartë.

Bjellorusia e ndërpreu segmentin e Druzhbës qysh më 24 prill, naftë e re “e pastër” nga Rusia ka nisur të rifurnizohet që nga 6 maji, njoftoi rafineria në Masyr. Në të njëjtën ditë edhe Ukraina njoftoi, se ka rifilluar furnizimi nga Rusia drejt BE-së.

Në Masyr të Bjellorussië Druzhba ndahet në dy degë. Linja më e vogël, ajo jugore, kalon përmes Ukrainës në Hungari, Sllovaki dhe Çeki. Sipas menaxhuesit ukrainas të linjës naftësjellëse nafta “e pastër” ruse mund të rifillojë të furnizohet në këto vende të BE-së nga 18 maji. Kjo do të nënkuptonte një ndërprerje të furnizimeve për më shumë se tri javë.

Eshtë e paqartë se sa gjatë do të duhet të presi për naftën ruse tani Polonia dhe Gjermani. këto dy vende furnizohen përmes degës më të gjatë të Druzhbës, e cila duket të jetë dëmtuar nga sasitë e mëdha të naftës  së kontaminuar. Fillimisht duhet të riparohet dëmi. Ministri rus i Energjetikës Aleksander Novak njoftoi për rifillimin e eksporteve javën e ardhshme: “Sa ka të bëjë me normalizimin e situatës, mund të themi se kjo do te jetë e mundur në gjysmën e dytë të muajit maj”, tha ai të martën (07.05).

Pyetja se me çfarë kostoje do të arrihet kjo deri tani nuk ka marrë përgjigje në publik. Qeveria ruse sidoqoftë ka zhvilluar deri tani me shtetet e prekura dy herë bisedime (diskrete), sikurse vuri në dukje (07.05) ministri i Energjetikës Aleksander Novak.

Ndërprerjet e furnizimeve dhe problemet e cilësisë me artikullin numër 1 të eksportit rus, naftën, janë një “dëm serioz ekonomik, material dhe një goditje imazhi” për Rusinë. Këtë e ka pasur të qartë presidenti rus Vladimir Putin teksa mbrëmjen e festës së 1 Majit thirri në Kremlin shefin e kompanisë shtetërore Transneft. Në atë mbrëmje e madje as edhe tani ende nuk janë të qarta humbjet faktike. Sidoqoftë, sipas ministrit rus të Energjetikës Novak, ndërkohë janë arrestuar të dyshuar. Po hetohet për vjedhje, dëmtim të objekteve të rëndësishme dhe krijim të një grupi kriminal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button