Opinion

NATO: Të ndërtojmë stabilitet në një botë të paparashikueshme

NICHOLAS CANNON*

Nicholas-CannonMë 4 dhe 5 shtator, Uellsi do të presë takimin më të madh të udhëheqësve ndërkombëtarë që ka ndodhur ndonjëherë në Britani. Ky është Samiti i parë i NATO-s në Mbretërinë e Bashkuar që nga Samiti i Londrës 1990. Samiti i Uellsit vjen në një moment historik për NATO-n. Samiti duhet të demonstrojë se NATO është e fortë dhe e bashkuar, e aftë për të përballur, penguar dhe, nëse është e nevojshme, për të mundur çdo kërcënim. Tranzicioni ushtarak në Afganistan dhe përkeqësimi i marrëdhënieve NATO-Rusi, e bëjnë Samitin e NATO-s 2014 në Uells një moment kritik për të adresuar sjelljen e ardhshme ushtarake të NATO-s. Ngjarjet e tanishme në Irak dhe Siri, ndër të tjera, përforcojnë këtë kontekst. Ne jemi të gjithë të qartë se NATO duhet të vazhdojë të përshtatet dhe reformohet në mënyrë që të jetë në gjendje për të trajtuar kërcënimet dhe sfidat e sigurisë së sotme dhe të nesërme që mund të lindin.

Konteksti strategjik, sidomos në drejtim të marrëdhënieve tona me Rusinë dhe situatës në Ukrainë ka ndryshuar qartë në mënyrë të konsiderueshme gjatë muajve të fundit. Aleatët e NATO-s do të duhet të bien dakord mbi implikimet afatgjata të krizës Rusi-Ukrainë dhe se si Aleanca do të vazhdojë të ofrojë sigurinë kolektive të të gjithë aleatëve. Ne duhet të marrim vendimet e nevojshme për të forcuar aftësinë e NATO-s për të reaguar shpejt ndaj kërcënimeve, duke përfshirë edhe ato të reja, për të siguruar ata që kanë frikë për sigurinë e tyre dhe për të zmbrapsur agresionin e mëtejshëm nga Rusia ose diku tjetër. Ne duhet të jemi në gjendje për t’u përshtatur ndaj kërcënimeve të ndryshme dhe të forcojmë aftësinë tonë për të ndaluar që sfidat e mundshme të Aleancës – qoftë nga Rusia apo aktorë jo-shtetërorë – të bien në kriza të plota.

Aleatët do të diskutojnë situatën në Afganistan, ndërkohë që misioni ISAF përfundon dhe do të konfirmojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për qeverinë afgane. Ne duhet të zbatojmë angazhimet tona të bëra në Samitin e Çikagos në maj 2012 për të siguruar mbështetje financiare për të mbështetur Forcat e Sigurisë Kombëtare afgane. Ne duhet të njohim përparimin e bërë nga forcat afgane, ndërsa ata kanë marrë përgjegjësi për ofrimin e sigurisë në të gjithë Afganistanin. Ne duhet gjithashtu të shfrytëzojmë këtë rast për të njohur sakrificat e bëra nga forcat tona të armatosura të NATO-s, ato të partnerëve tanë afganë dhe ndërkombëtarë, si dhe popullit të Afganistanit.

NATO gjithashtu do të mblidhet së bashku me organizata të tjera ndërkombëtare për disa diskutime të nivelit të lartë, duke demonstruar forcën dhe natyrën plotësuese të bashkëpunimit tonë. NATO është në qendër të një rrjeti të gjerë, global, të aktorëve bashkëpunues të sigurisë, dhe bashkëpunimi më i ngushtë me këta partnerë duhet të jetë një temë kryesore e Samitit. Pra, ne kërkojmë të theksojmë partneritet, duke u bazuar në besim, miqësi dhe shprehitë praktike të bashkëpunimit, të zhvilluara përmes punës së përbashkët në Afganistan dhe në Ballkan gjatë dy dekadave të fundit. Diskutimet dhe vendimet për zgjerimin në takimin e qershorit të ministrave të Jashtëm të NATO-s na japin një rrugë të mirë përpara në këtë çështje. Ne kemi bërë të qartë angazhimin tonë për rrugën e secilit aspirues për anëtarësim në të ardhmen, kemi siguruar një paketë të fuqishme mbështetjeje për Gjeorgjinë, kemi iniciuar bisedime të intensifikuara në ndjekje të anëtarësimit të Malit të Zi dhe kemi rënë dakord për hapat e ardhshëm për të dy kandidatët e tjerë.

Shpenzimet e Mbrojtjes do të jetë një temë kryesore në samit. Ne jemi duke kërkuar angazhimin e përbashkët për rritjen e sasisë dhe cilësisë së shpenzimeve për aftësinë mbrojtëse në të gjithë Aleancën. Ne kemi nevojë për të siguruar që, pas Afganistanit, NATO ka aftësitë që i duhen për fazën e ardhshme. Ne kemi nevojë t’i dërgojmë një sinjal të qartë atyre që do të dëmtonin NATO-n, se ne jemi seriozë në lidhje me mbrojtjen tonë. Dhe kemi nevojë për të siguruar që aleatët të mbajnë mbi supe ngarkesën në mënyrë të barabartë, si një mburojë për unitet dhe solidaritet. Pavarësisht ndikimit të vazhdueshëm të krizës financiare dhe burimeve të kufizuara në dispozicion të disa partnerëve, ne do të dëshironim çdo aleat të bëjë angazhimet më të forta të mundshme për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe caktimin e fondeve për pajisje të reja. Premtimi i shpenzimeve ka të bëjë me angazhimin afatgjatë të NATO-s dhe do të na mundësojë të demonstrojmë bashkim dhe forcë në Samit pa vendosur objektiva jorealiste.

Një tjetër temë do të jetë ajo e “Pengimit të Plotë”. Ne ndeshim kundërshtarë potencialë të gatshëm për të vepruar në hapësirën ndërmjet paqes dhe luftës. Ne kemi nevojë për ta treguar veten të aftë dhe të gatshëm për t’iu përgjigjur – dhe në këtë mënyrë për të penguar – kërcënimet e të gjitha llojeve. Ne kemi nevojë t’i kuptojmë më mirë kërcënimet “e reja” që ndeshim dhe se si mund t’i pengojmë në mënyrë të mjaftueshme dhe të besueshme.

Ne duhet t’i forcojmë partnerët tanë jashtë NATO-s. Ne duam të ndihmojmë partnerët e NATO-s të zhvillojnë apo përmirësojnë kapacitetin që ju duhet për të përballuar gamën e plotë të kërcënimeve ndaj sigurisë së tyre – që gjithashtu sfidojnë edhe sigurinë tonë. NATO është pozicionuar në mënyrë unike për të ndërtuar kapacitetin e institucioneve të mbrojtjes dhe për këtë arsye mund të plotësojë punën për reformën e sektorit të sigurisë të kryer nga institucionet e tjera. Kjo është një fushë ku NATO ndihmon duke mbështetur kombe në pjesë të paqëndrueshme të botës për të forcuar strukturat e tyre të mbrojtjes dhe forcat e armatosura në mënyrë që ata mund të merren me sfidat lokale dhe rajonale të sigurisë. Ne gjithashtu do të forcojmë lidhjet tona me aleatët tanë më të ngushtë jashtë zonës së NATO-s, duke u mbështetur në përvojën tonë të operacioneve të përbashkëta në Afganistan dhe gjetkë.

Qëllimi themelor dhe jetëgjatë i NATO-s është të ruajë të gjithë anëtarët me mjete politike dhe ushtarake. Kjo arrihet përmes përzierjes së duhur të aftësive dhe forcave, nga asetet bërthamore deri te çdo ushtar, operacion, stërvitje, vullnet politik, financim dhe vendimmarrje të zgjuar. NATO e ka bërë këtë me sukses për 65 vjet. Me agresionin e fundit rus dhe konfliktin në kufijtë juglindorë të NATO-s, Samiti është një mundësi për të reflektuar dhe për të përmirësuar përgatitjen e plotë penguese të Aleancës dhe rolin dhe aftësinë e saj për të penguar kërcënimet ndaj interesave të saj. Ne duam që Samiti t’i japë NATO-s mjetet afatgjata për të përballuar sfidat dhe kërcënimet e reja në të gjithë kufijtë e tij.

Parimi themelor udhëheqës i Aleancës është siguria e përbashkët dhe bashkëpunimi: nëse një anëtar është kërcënuar, të gjithë janë të prekur. Duke nënshkruar Traktatin e Atlantikut të Veriut, çdo shtet anëtar merr një angazhim për të respektuar këtë parim, duke ndarë rreziqet dhe përgjegjësitë, si dhe avantazhet e mbrojtjes kolektive. Pra, të gjitha shtetet anëtare mund dhe në të vërtetë duhet të luajnë rolin e tyre në aktivitete politike dhe ushtarake të NATO-s: nga aleati ynë i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri te shtetet anëtare më të vogla dhe më të varfra; nga shtetet anëtare origjinale të vitit 1949 tek anëtarët më të rinj; nga ata që janë në vijën e frontit të kërcënimeve aktuale, tek ata më larg. Mbretëria e Bashkuar, e cila ka nderin e organizimit të këtij samiti, është e vendosur të luajë rolin e saj të plotë në analizimin e sfidave me të cilat përballemi dhe hartimin e përgjigjeve efektive. Jam i sigurtë se të njëjtën gjë mund të them edhe për Shqipërinë, anëtarin e ri, por të vlerësuar lart të Nato-s.

* Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button