“Vdekja e Dantonit” me regji të Edin Mustafiç u shpall shfaqja më e mirë e festivalit, që rikthehet në Tiranë pas 20 vitesh mungesë.
Filloi me një parodi dhe u mbyll me një vdekje Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, i cili u mbajt nga data 23-30 shtator në Qendrën e re artistike “arTurbina” dhe skena e Universitetit të Arteve. Pas një shfaqjeje prej gati dy orësh dhe një pritjeje prej 30 minutash, deri sa juria mori vendimin, u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve. “Shpresoj, duke pasur ministren këtu, që të jetë një festival i përvitshëm dhe për këtë kam mbështetjen e gjithë komunitetit artistik”, tha drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, duke falënderuar gjithë paskuintën, që mundësoi realizimin e festivalit.
Sipas tij, kjo punë ka nisur 6 muaj më parë dhe u bë i mundur me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës, Universitetit të Arteve etj. E pranishme në këtë natë mbylljeje, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, pas falënderimeve të rastit, premtoi se do t’i shqyrtojë të gjitha propozimet për të zhvilluar këtë festival një herë në dy vjet apo vit për vit. “E kam ndjekur me vëmendje propozimet, ia vlen të diskutojmë. Një nga gjërat më të mira të këtij festivali, gjykoj që ka qenë debati. Të tilla takime vlejnë për të qenë mes njëri-tjetrit”, tha ajo.
ÇMIMET
Pa skenar, e moderuar nga vetë drejtori Hervin Çuli, me batuta dhe të papritura, me mungesa fituesish, u ndanë çmimet për aktorët më të mirë, kostumografinë, skenografinë, regjinë dhe më fund, ajo e shumëpritira, shfaqja më e mirë, që qëlloi të ishte pikërisht ajo që mbylli festivalin.
Juria përbëhej nga Ndriçim Xhepa, kryetar, Josif Papagjoni, Luli Bitri, Qëndrim Rijani dhe Shkumbim Istrefi. Shpallja e çmimeve filloi me aktorët e rinj më të mirë, për të vazhduar me joprotagonistët e tek ata kryesorët. Shumë kandidatura për shfaqjet e ardhura nga Prishtina, Prizreni e Shkupi, madje edhe për shfaqjen e Eksperimentalit dhe Metropolit. Teatri Kombëtar u përfaqësua vetëm me një nominim për kostumografinë më të mirë.
Me sa duket, teatri pritës nuk e kishte zgjedhur mirë kalin e betejës, shfaqjen “Tag” të Bashkim Hoxhës. Çmimin si aktori më i mirë protagonist e mori Reshat Arbana për rolin e tij në shfaqjen “Babai” të Teatrit “Skampa” të Elbasanit, me regji të Spiro Dunit. “Hera e parë që marr një çmim në karrierën time dhe u jam mirënjohës dashamirësve të mi dhe jurisë që më akordoi këtë çmim. Kam bërë një rol që më ka lodhur shumë dhe më ka kushtuar nga ana shëndetësore dhe ky simbol do të më kujtojë vuajtjet, dilemat, preokupacionet. E kam lënë tri herë dhe familja dhe regjisori Spiro Duni këmbëngulën.
Të kemi sa më shumë festivale që të njohim më mirë njeritjetrin”, u shpreh Reshat Arbana. Aktorja më e mirë u shpall Luiza Xhuvali në rolin e Medeas, në tragjedinë me të njëjtin titull të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Për regjinë më të mirë u nderua Altin Basha, për një përshtatje të “Gomarit të Babatasit” të Fishtës, me trupën e Teatrit “Migjeni”. “Faleminderit Teatri ‘Migjeni’. Pak e vështirë për mua që të gjej vend për shfaqje. Faleminderit Rita Gjeka që më prite. Është bukur të dalësh nga Tirana.
Tirana është bërë e mërzitshme”, tha Basha duke falënderuar bashkëshorten për skenografinë dhe mbështetjen, por nuk mbeti pa ia thënë dy fjalë edhe drejtorit Çuli. “Drejtor po t’i fal kusuret, shpresoj ta bësh më mirë vitin tjetër, edhe pse shpresoj të jetë një tjetër”, tha ndër të tjera Basha, duke kërkuar më shumë vëmendje për dramën shqipe. Dhe në fund shfaqja më e mirë, pikërisht “Vdekja e Dantonit”. Trofeun e tërhoqi drejtori i Teatrit shqiptar të Shkupit, Adem Karaga. “Jam i nderuar të falënderoj gjithë stafin organizator, ministren, trupat e këtij festivali, që të ketë jetë, sa diell të ketë. Ne sytë kemi nga Tirana”, tha Karaga. Me shpresën që ky festival t’i rikthehet traditës, u mbyll mbrëmë Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, i cili përuroi një sallë të re teatri, e cila fatmirësisht iu shtua kryeqytetit, por që të gjithë e kuptuan se nuk mund të jetë një Teatër Kombëtar.
“Vdekja e Dantonit” dhe viktimat e revolucionit
“Revolucioni është si Saturni, ha bijtë e vet”. Kështu do të shprehej Dantoni, një nga frymëzuesit dhe viktimat e Revolucionit Francez. Shfaqja teatrore “Vdekja e Dantonit”, me regji të Dino Mustafiç mbylli Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit (FMT). Një vepër që u qëndron të gjitha kohërave për nga mesazhet dhe përplasjet. Kësaj pike i mëshon edhe regjisori, i cili fut elementë të së përditshmes, si në kostumografi, ashtu edhe në tekst, përmes monologësh, në formë lutjesh të aktorëve. “Vdekja e Dantonit” përcjell ngjarjet historike dhe fatin e njërit prej udhëheqësve të Revolucionit Francez, Georges Danton, në kohën kur frika dhe terrori bëhen kornizë e tij. Boshti i shfaqjes është konflikti mes Dantonit dhe Robespjerit, përkatësisht përplasja mes dy qëndrimeve mbi çështjen si duhet të jetë shteti pasi të përfundojë revolucioni. Dantoni, që nga fillimi paraqitet si njeri dekadent, hedonist, por qëndrimet e tij politike janë liberale dhe tolerante. Robespjeri nga ana tjetër, betohet në virtyte, por vet të gjithë ata që mendojnë ndryshe prej tij. Robespjeri e konsideron Dantonin tradhtar që nuk dëshiron ta çojë revolucionin deri në fund, prandaj edhe pse ky i fundit është hero i popullit dhe mik i tij, ai vendos ta dërgojë në gijotinë. Kështu, Dantoni gjendet përpara një gjykate të korruptuar, pa pasur mundësinë e mbrojtjes.
ÇMIMET
Aktori i ri më i mirë: Kristian Koroveshi; Aktorja e re më e mirë: Hajat Toçilla; Kostumografia më e mirë: Sofi Kara; Skenografia më e mirë: Mentor Berisha; Aktori joprotagonist më i mirë: Shkëlzen Veseli; Aktorja joprotagoniste më e mirë: Gresa Pallaska; Aktori protagonist më i mirë: Reshat Arbana; Aktorja protagoniste më e mirë: Luiza Xhuvani; Çmimi i Karrierës: Roza Anagnosti; Regjia më e mirë: Altin Basha; Shfaqja më e mirë: Vdekja e Dantonit.
Perse mos te kemi me shume aktivitete te tilla ne fushen e artit e ti sherbejne shoqerise qe ka shume nevoje per ate.