Ndalohet për 48 orë një zyrtar në Prishtinë, dyshohet se zbuloi informata për prona në këmbim të ryshfetit
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se i ndaluari me inicialet N.A. dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, pas hetimeve disamujore.
Një person është ndaluar për 48 orë në Prishtinë, nën dyshimin se ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara në këmbim të ryshfetit. Siç njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë në komunikatën që e përcjell Indeksonline, ndalimi u bë pas hetimeve disamujore, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Sipas Prokurorisë, i ndaluari me inicialet N.A. dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer tri vepra penale: keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje të ryshfetit dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare. Ndërkaq, Sinjali raporton se i ndaluari është Nebi Alshiqi.
Nga të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se informacionet zyrtare për prona të caktuara u janë zbuluar personave të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim të tjetërsimit të atyre pronave, vlera e të cilave dyshohet të jetë shumë e madhe.
Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë dhe institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. Personi i ndaluar prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.