Ndarja e pronësisë mbi tokën përfundon në 2016
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese diskutoi të martën projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”.
Procesi i ndarjes së titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore ende nuk ka përfunduar.
Në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar procesin e ndarjes së re administrative, qarqe si Shkodra, Dibra, Hasi dhe Lezha ende nuk kanë dokumente shfrytëzuese të tokave të ish-kooperativave.
Për këtë qëllim, ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë disa ndryshime në ligjin “Për krijimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Brenda vitit 2016, procesi i ndarjes së pronësisë mbi tokën duhet të ketë përfunduar.
Ndërsa në zonat veriore të vendit ky proces ka ngecur për shkak të problematikave të shumta të lidhura me pretendimet mbi pronësinë para se parcelat të shtetëzoheshin gjatë periudhës totalitare.