Ndërkombëtarët janë kundër zgjedhjeve. Ja pse!
Një pjesë e ndërkombëtarëve janë kategorik kundër zgjedhjeve. Burime ndërkombëtare i kanë thënë Gazetës Blic se janë dy arsye kryesore që kanë bërë që ndërkombëtarët me çdo kusht të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve.
Si arsye e parë, përmendet mundësia e përsëritjes së situatës së njëjtë edhe pas zgjedhjeve.
“Mund të na përsëritet situatë e njëjtë, që të mos ketë marrëveshje parazgjedhore mes LDK-së dhe partive të tjera të Bllokut, dhe kësisoj PDK të dalë prapë e parë. Në këtë situatë do të na paraqitet me gjasë situatë thuajse e njëjtë. Prandaj, zgjedhjet mund të jenë sërish jo- produktive”, ka thënë ky burim ndërkombëtar, duke preferuar që çështja ndoshta të shkoj sërish para Gjykatës Kushtetuese, ose që të arrijnë partitë ndonjë marrëveshje ndërmjet vete.
Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë që e ka dhënë për mediet ka kërkuar që presidentja e vendit, Atifete Jahjaga sërish t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndonëse kjo e fundit përmes këshilltarit të saj, Arbër Vllahiu ka bërë të ditur se nuk do t’i drejtohen më Gjykatës.
Lideri i LDK-së, Mustafa ka bërë të ditur se nëse një gjë të tillë nuk e bën Jahjaga, atëherë vetë deputetët do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, burimet ndërkombëtare si arsye të dytë se përse nuk preferojnë zgjedhje të reja, kanë përmendur edhe rrezikun eventual të eskalimit të situatës sidomos në ditën e zgjedhjeve dhe zvarritja e proceseve të ndjeshme për Kosovën, si themelimi i Gjykatës Speciale dhe bisedimet me Serbinë.
“Zgjedhjet e reja mund të sjellin tensionin, për shkak të thellimit të hendekut ndërmjet PDK-së në njërën anë dhe partive tjera në anën tjetër. Mund të tensionohej situata, dhe ekziston edhe rreziku që ajo të eskalohet. Dhe vonesat që mund të shkaktohen, sidomos tani kur ka presion për themelimin e Gjykatës Speciale dhe për vazhdimin sa më të shpejtë të bisedimeve me Serbinë”, ka thënë ky burim ndërkombëtarë.
Ambasadori britanik, Ian Cliff është ndër më të zëshmit kundër zgjedhjeve të reja. Ai thuajse në secilën paraqitje publike është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve.
Megjithatë, PDK-ja është partia e cila me ngulm po kërkon zgjedhje të reja. Zyrtarët e saj në secilën paraqitje po deklarojnë se nëse s’ka marrëveshje me ta, atëherë vendi do të shkoj në zgjedhje të reja.
Në anën tjetër, Blloku nuk duket edhe shumë unik. Derisa një pjesë e partnerëve insistojnë se s’ka nevojë për zgjedhje, ka edhe prej tyre që janë të gatshëm edhe për zgjedhje. Në opinion kanë qarkulluar edhe ide se LVAN do të hyjë së bashku në zgjedhje, mirëpo, zyrtarisht një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende deri më tani.
Ndërkohë, kanë kaluar më shumë se katër muaj prej se janë mbajtur zgjedhjet dhe Kosova vazhdon që të mos ketë institucione. PDK edhe pse doli e para në zgjedhje me mbi 30 për qind, nuk arriti që ta bind asnjë parti politike që të hyj në koalicion me të. Në anën tjetër, Blloku LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje ndonëse i kanë numrat, një vendim i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kryekuvendarit, duket se ka prishur gjithçka, duke e futur vendin në krizë të thellë politike.