Ndërron jetë Sheremet Ademi, kryetari i parë i Këshillit të familjeve të personave të zhdukur
Avokati Sheremet Ademi, një nga themeluesit e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të Personave të Zhdukur të Kosovës, e kishte shndërruar dhimbjen e tij personale në një mision për të vërtetën dhe drejtësinë.
Ka ndërruar jetë avokati Sheremet Ademi, kryetari i parë dhe një nga themeluesit e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të Personave të Zhdukur të Kosovës, siç njofton Klan Kosova.
Lajmin e ka bërë të ditur Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, i cili në një shkrim përkujtimor ka vlerësuar kontributin jetësor të Ademit për familjet e personave të zhdukur.
Sipas raportimit të Klan Kosovës, Ademi e njihte nga afër dhimbjen e pritjes: gjatë luftës ai kishte pasur të zhdukur vëllain dhe dy nipër. Këtë dhimbje personale ai e shndërroi në mision për t’u qëndruar pranë familjeve të tjera, duke u bërë një nga zërat më të fuqishëm në kërkimin e së vërtetës dhe të drejtësisë pas luftës në Kosovë.
Gara ka theksuar se, pavarësisht sfidave shëndetësore në vitet e fundit, vullneti dhe përkushtimi i Ademit nuk u shuan kurrë, dhe se përkushtimi, qëndresa dhe kontributi i tij do të mbeten udhërrëfyes dhe borxh mirënjohjeje për shoqërinë dhe institucionet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.