Ndërtimi i Unazës së Vogël, zhvendoset nënstacioni i Qendrës
OSHEE ka nisur zhvendosjen e nënstacionit në qendër, pranë hotel “Tiranës”, operacion i cili do të zgjasë 30 ditë. Shkak për këtë zhvendosje është projekti i Unazës së Vogël të Tiranës. Kjo zhvendosje është e rëndësishme për vazhdimin e projektit të Unazës që kërkon zgjerimin e rrugëve ekzistuese “Urani Pano” dhe rrugës “Bardhok Biba”.
Për të menaxhuar situatën e furnizimit me energji të kryeqytetit, nisur nga stakimi i përkohshëm i këtij nënstacioni, OSHEE ka ngritur Shtabin Qendror të Gatishmërisë në të cilën marrin pjesë edhe përfaqësues të OST-së, Bashkisë dhe firmat kontraktore që po realizojnë punimet e spostimit të nënstacionit.
OSHEE njofton abonentët se janë marrë masat që gjatë kësaj periudhe të sigurohet furnizimi i pandërprerë me energji i gjithë klientëve të saj nëpërmjet rrjetit shpërndarës. Pas studimit të flukseve të energjisë në fidrat 20 kV dhe nënstacionet 110/20 kV, sipas skenarëve të ngarkesave maksimale të kryeqytetit është bërë rishpërndarja e tyre në skemat e reja të furnizimit me energji.
Fluksi i energjisë së fidrave të n/nstacionit Qendër, nëpërmjet skemave të reja do të shpërndahet në nënstacionet 110/20kV të Selitës, Autotraktora, Rajonale të cilat monitorohet nga grupet operacionale dhe ato të gatishmërisë.
OSHEE është në gatishmëri 24 orë për të garantuar furnizimin e sigurt të gjithë konsumatorëve gjatë gjithë periudhës së kryerjes së punimeve për spostimin e n/nstacionit Qendër.