Opinion

Ndjesa, kurajoja më e madhe e Ramës

Lorenc Vangjeli
Lorenc Vangjeli

Të paktën nga mënyra sesi u lexua në fillim, ligji për kriminalizimin e shpifjes i ngjante ligjit për mbrojtjen e monumenteve që e firmosën komunistët në vitin 1991. Mbasi u rrëzua statuja e Hoxhës në Tiranë e gjetkë, ata menduan që çfarë kishte mbetur nga simbolet e tjera të tyre t’i mbronin me ligj. Ligji u votua, por nuk ju hyri në punë për asgjë. Përkundrazi. Ai krijoi në fakt efektin e përkundërt sepse ishte tërësisht jashtë kohës, kundër rrjedhës së kohës dhe nuk kishte më kohë për komunistët që kërkonin të fitonin ende kohë për pushtetin e tyre. Ligji ra para se të binte statuja e fundit që donte të mbronte.

Qeveria shqiptare nuk ka pasur parasysh absolutisht asgjë të tillë. edhe nëse kriminalizohet shpifja për zyrtarët e lartë. Edhe pse u premtua që do të jetë e dekriminalizuar shpifja për gazetarët. Çdo krahasim me atë që ka ndodhur 25 vjet më parë është thjesht larg të vërtetës. Edhe më larg të vërtetës është ideja e shprehur nga armiqtë e tij se kreu i ekzekutivit kishte idenë, bindjen dhe skrupujt e nevojshëm për të mbrojtur me ligj veten nga vala e sulmeve politike ndaj tij. Aq më pak e aq më larg akoma ishte ideja se ai kërkonte të mbronte zyrtarë të tjerë të lartë. Rama nuk e meriton aspak këtë akuzë qesharake qoftë si formim, qoftë si traditë, qoftë edhe si eksperiencë personale.

Të enjten paradite Rama e Meta ishin si dy orë zvicerane të kurdisura nga e njëjta dorë. Nga i njëjti vullnet që i bëri bashkë dy vjet e ca më parë. Edhe Rama, kreu i pushtetit ekzekutiv, edhe Meta kreu i pushtetit legjislativ lajmëruan tërheqjen e projektligjit. Edhe njëri, edhe tjetri përdorën të njëjtin term: “Keqkuptim” duke tentuar të shmangin një betejë të panevojshme, të pakuptimtë dhe të pabarabartë me pushtetin e katërt, shtypin.

I pari, kryeministri është në një raport të tendosur dhe nervoz me median prej disa kohësh. Ai e ka kaluar projektligjin e sherrin rreth dy muaj më parë, pa parashikuar pikërisht “keqkuptimin” dhe pëshpjellimin që ai do të shkaktonte dhe që do të ishte një mjet që i bënte bashkë kundër tij edhe miqtë që kanë nisur t’i pakësohen, edhe armiqtë që kanë nisur t’i shtohen.

I dyti, kryetari i Kuvendit kishte në kalendar për tre javët e ardhshme kalimin në seancë të projektligjit të sherrit. Me tërheqjen e atij projektligji, Meta gjeti një rast për të rikonfirmuar aleancën me aleatin e tij në qeverisje dhe shmangien nga një betejë e cila nuk ishte e tija, por që ishte një betejë e pakuptimtë për nga qëllimi, e pasigurt për nga rezultati dhe tërësisht e padobishme për nga marrëdhënia që pushtetet e ndryshme në Shqipëri krijojnë me njëri-tjetrin; në këtë rast, Ekzekutivi e Legjislativi me pushtetin e katërt – median – duke futur në mes pushtetin e tretë, drejtësinë shqiptare, që për momentin është e drejtë si drapëri, e përthyeshme si metër marangozi dhe elastike si geta grash.

Gjithë javën e shkuar Edi Rama demonstroi lodhje nga rreshtimi i fortë i kundërshtarëve të tij përballë. Një pjesë e tyre edhe e improvizuar në momentin e fundit, ndërsa shumica e tyre, e shpikur po nga ai vetë, në kohët kur ndjente se i mungonin armiqtë. Në kohën kur Ramës i pëlqente të rrinte pranë konsensusit total në gjithçka që e afrojnë vetëm servilët dhe të dobtit.

Duke nisur nga e enjtja dhe duke vazhduar me të premten paradite – takimi në vilën e një ish-kryeministri – Rama e Meta duket se po krijojnë një mundësi të re për marrëdhënien e tyre. Një marrëdhënie e cila realisht nuk ka pasur kurrë miqësi; një marrëdhënie e frymëzuar nga pasiguria që vinte e vjen qoftë nga provat e armiqësive të së shkuarës, qoftë nga veprime jomiqësore të së tashmes. Por në harkun e 48 orëve të dy së bashku prodhuan një sinjal të përbashkët, jo miqësie, por partneriteti për njëri-tjetrin.

Të enjten paradite kryeministri bëri një akt të pashembullt force. Duke kërkuar ndjesë dhe duke u tërhequr nga një projekt absurd ai nuk dëshmoi dobësi, por pjekurinë e një politikani evropian. Ndjesa e Ramës e tregoi shumë më të fortë kryeministrin sesa do të donin ta shihnin kritikët e tij.

Të premten, të dy drejtuesit e shumicës së majtë ishin bashkë. Duke u ndarë nga njëri-tjetri ata u bashkuan në të njëjtin mesazh: Koalicioni është i fortë dhe i qëndrueshëm. Duke trishtuar kështu ata që shpresonin ndryshimin e status quo-së dhe duke ju dhënë një minutë kohë për frymëmarrje atyre që i tremb ndryshimi i status quo-së. Sepse sot në Tiranë, edhe miqtë, edhe armiqtë i kishin mendjen dhe sytë tek dy miqarmiqtë e të majtës që vendosin çuditërisht jo vetëm për veten, por edhe për fatin e nesërm të së djathtës. Të paktën deri tani, në këtë mes nëntori që ngjan si pranverë, është ende kështu dhe as njëri dhe as tjetri, nuk kërkuan ndjesë për iluzionet e krijuara majtas e djathtas.  (javanews.al)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button