Ndodhemi në një moment kritik për burimet e rritjes ekonomike
Interviste mne prof. Arben Malaj, President i Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen
Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen ekonomike në vitin 2016, cilat janë shanset dhe rreziqet?
Rishikimi në ulje i parashikimit për rritjen ekonomike në 2016 nga 4% në 3.4% të PBB-së është një hap pozitiv po të mbajmë parasysh indikacionet jo pozitive që sjellin parashikimet over-optimiste, sidomos mbi menaxhimin e buxhetit. Niveli i ri 3.4% i ka shanset më të mira se niveli 4% për të pasur luhatje brenda një intervali të menaxhueshëm. Risqet mund të jenë politike dhe ekonomike.
Cilët janë sektorët që pritet të udhëheqin këtë rritje?
Analiza fillon sipas peshës specifike në ndikimin e PPB-së. Bujqësia, në vitin 2015, po karakterizohet përsëri me përmbytje dhe mund të rezultojë me ndikim jo pozitiv. Një evidentim më i saktë i dëmeve dhe efektin e tyre në ciklin bujqësor mund të qartësojë shkallën e efektit negativ. Industria, për shkak të disa faktorëve, mund të mos jetë sektori që të mbështesë këtë nivel rritje. Këtu mund të përfshijmë: rënia e çmimit të naftës në arenën ndërkombëtare, i cili pritet të vazhdojë dhe problemet që janë hapur mes shtetit shqiptar dhe kompanive të nxjerrjes së naftës do të kenë ndikim negativ; sektorët përpunues të mbështetur mbi lëndën drusore do të preken nga ligji për mbrojtjen e pyjeve; agro-industria e lidhur me sektorin bujqësor, përsëri nuk pritet pozitive për shkak të lidhjes që ka me sektorin bujqësor, por ka një peshë të vogël në totalin e industrisë, ndërsa industritë e tjera besoj se do jenë në një nivel konstant.
Ndërtimi pritet të ketë efekt pozitiv, për shkak të fillimeve të punimeve të TAP-it, i cili, në pjesën e parë të projektit, pritet të ketë më shumë fokus në infrastrukturën përkatëse. Grupi i tregtisë dhe aktivitetet e akomodimit mund të jenë sektori që do të kenë rritjen më të madhe. Kjo për faktin e formalizimit të ekonomisë, ku deklarimet nga bizneset do të jenë më të larta (faktor kyç në vlerësimin e PBB-së), si dhe pritshmëritë e qeverisë për të rritur turizmin (pra sektorin e hotelerisë dhe tregtisë).
Informacioni dhe komunikacioni, mund të jenë sektori me rritje për vitin 2016, shërbimet e informacionit dhe komunikacionit janë sektorë që për shkak të ndryshimeve të shpeshta teknologjike të kenë një rritje të vazhdueshme, dhe në Shqipëri vihet re një gjë e tillë.
Aktivitetet financiare mund të kenë një trend rritje për shkak se për disa vite rresht, aktiviteti i tyre ka qenë në kufij të rritjeve të ulëta, ndërsa ekonomia ka më shumë nevojë për burime financimi nga tregu financiar dhe sidomos ai bankar, më shumë kredi për individët dhe bizneset. Zhvillimi i tregjeve të tjera financiare, sidomos ai i sigurimeve, i cili në Shqipëri dominohet vetëm nga ai i jo-jetës për makinat, mundet të synojë produkte të reja.
Për sa i përket grupit të administratës publike, arsimi, shëndetësia, argëtimi, aktivitete shkencore, etj., duke ju referuar buxhetit të vitit 2016, ku nuk ka masa konkrete për këtë sektor (rritje pagash, rritje të buxhetit për arsim dhe shëndetësi, rritje për kërkime), nuk pritet që të ketë ndikim në ekonomi për vitin 2016.
Për vitin 2016, sektorët udhëheqës të ekonomisë mendoj se do të jenë ndërtimi, tregtia dhe hoteleri shërbime, informacioni dhe komunikacioni dhe sektori financiar.
Çfarë efekti prisni që të japin masat antiinformalitet në të ardhurat tatimore, gjithashtu dhe në ambientin për të bërë biznes dhe prirjet e konsumit?
Rritja e të ardhurave mund të jetë një efekt pozitiv dhe i qëndrueshëm n.q.s. vjen nga reformat e përmirësimit të funksionimit të shtetit ligjor, lehtësimi i të bërit biznes dhe përmirësimi i administrimit publik. Reduktimi i informalitetit nëpërmjet një mentaliteti penalizues nuk është strategjia e duhur për t’u përballur me këtë sfidë.
Qeveria, pa hequr dorë nga një prej reformave strukturore prioritare – reduktimin e ekonomisë informale – duhet ta rishikojë, ndryshojë dhe përmirësojë këndvështrimin aktual, politikat e përzgjedhura dhe penalitetet ligjore që kërkon të aplikojë, të cilët me ligjin e procedurave tatimore kanë cenuar deri parimet themelore të një demokracie dhe ekonomie funksionale. Ngrirja e këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese e vendit tonë, është një hap pozitiv që duhet të materializohet në vendimin përfundimtar që qartëson parimet dhe kufijtë konkretë të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve edhe në fushën e dënimeve administrative dhe penale. Parimi i proporcionalitetit duhet të jetë i shenjtë në qeverisjen e vendit.
Gjithnjë e më shumë po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik, teksa burimet e deritanishme të rritjes po shterojnë. Cili është rekomandimi juaj, ku dhe si duhet të përqendrohet qeveria?
Modeli i ri ekonomik, burimet po shterojnë? Njoftimi i fundit i Bankës Botërore e përligj shqetësimin. Problematika është e njohur. Vendi ynë ka nivelet më të ulëta të garantimit të të drejtave të pronës, të lirisë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit; të mundësisë për të bërë biznes, të nivelit të kreditimit të ekonomisë, ka një nivel të lartë të deficitit tregtar, nivelin më të lartë të subvencionimit të deficitit të skemës së pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore, është në grupin e vendeve të fundit në botë për lejet e ndërtimit, për pagimin e taksave, për financimin nga fondet publike dhe private në kërkimet shkencore dhe zhvillimin, si dhe në lidhjen shumë të dobët midis kërkimit shkencor dhe sfidave të aftësisë konkurruese që duhet të ketë ekonomia e vendit tonë.
Disa i shikojnë këta tregues si prova të dështimit tonë. Parapëlqej t’i shikoj si burime të pashfrytëzuara, të cilat po t’i përmirësojmë, do të ndihmojnë jo vetëm debatin për modelin e ri ekonomik, por sidomos rritjen e aftësisë konkurruese dhe një rritje ekonomike më të lartë në funksion të një zhvillimi më cilësor. P.sh., eksportet si burim potencial duhen parë jo vetëm për një grup të caktuar mallrash tradicionalë, jo eksporte kryesisht bruto, jo thjesht eksportim i burimeve të papërpunuara apo i fuqisë së lirë punëtore, por një strategji kombëtare e orientuar tek ekonomia e dijes.
Faktori tjetër potencial??! Të ardhurat mesatare për frymë në vlerë absolute janë rreth 12% e të ardhurave të vendeve të BB-së dhe në paritet të fuqisë blerëse rreth 33%. Dy këndvështrime të ndryshme kemi edhe për këtë faktor.
I pari – disa e keqpërdorin thjesht për të provuar “profecitë” e tyre për dështimet tona historike. Disa kolegë ku parapëlqej të bëj pjesë edhe unë – bazuar në teoritë e rritjes dhe zhvillimit – e shohin si provë e mundësisë për t’u rritur me ritme më të larta dhe për një periudhë jo të shkurtër.
Diferenca midis nivelit të të ardhurave për frymë midis vendeve në zhvillim dhe vendeve të zhvilluara, pasqyron procesin e konvergjencës. Po si mund ta reduktojmë ne këtë distancë/diferencë dhe për sa vite?
Teorikisht kjo diferencë e madhe për vendet në zhvillim është një mundësi që ato të rriten me ritme më të larta se vendet e tjera.
Ku pengohet procesi i “catch up”??
Le t’i identifikojmë dhe t’i trajtojmë në mënyrë shkencore, bazuar në reforma, strategji dhe projekte konkrete.
Çdo analizë, për ta bërë ekonominë tonë sa më konkurruese në sektorë të ekonomisë reale, është e dobishme, por ato kanë pengesa të përbashkëta të cilat identifikohen profesionalisht shumë më mirë edhe në indekset ndërkombëtare.
Reformat strukturore që reduktojnë pengesat konkrete në ambientin e biznesit, që rritin të drejtat e pronës, që reduktojnë korrupsionin dhe eliminojnë kapjen e shtetit – pra një rritje ekonomike e bazuar tek reduktimi i barrierave dhe promovimi i ekonomisë së dijes, duhet të jenë në themel të çdo strategjie për një model të ri ekonomik.
Qeveria parashikon të dalë në vitin 2016 me balancë primare pozitive. Sa të arritshëm e shikoni këtë objektiv dhe planet e qeverisë për konsolidimin fiskal afatmesëm (duke pasur parasysh se në 2015, financat dështuan dy herë në parashikimin për rritjen e të ardhurave dhe e përqendruan konsolidimin te shkurtimi i shpenzimeve).
Para pak ditësh “simotra” juaj, revista “The economist”, botoi një shkrim: “No – more cuts”. Ndodhemi në një moment kritik për burimet e rritjes ekonomike. Së pari, lidhur me faktorët përcaktues, ku kapitali social në ekonomitë moderne merr një rëndësi shumë më të madhe se faktorët e tjerë të rritjes. Por cilësia e kapitalit social kushtëzohet nga politikat, reformat por edhe nga mbështetja buxhetore për mirarsimimin që nga niveli parashkollor, nga cilësia e shëndetit, nga cilësia e infrastrukturës institucionale dhe fizike e zhvillimit.
Në analizën e kuadrit makroekonomik 2016-2020 do të konstatohet se në kushtet kur rritja e të ardhurave buxhetore është afërsisht e njëjtë, rreth 27-27.3% e PBB-së, reduktimi i deficitit dhe borxhit publik rezulton se është bazuar kryesisht në shkurtimin e shpenzimeve publike.
Por reduktimi i mbështetjes publike për sektorët e rritjes cilësore ekonomike është në rënie. Administrata është shkurtuar në minimumin e saj – kjo krijon problem me cilësinë e funksioneve dhe shërbimeve publike; mbështetja për arsimin dhe shëndetësinë kanë ngrirë në nivele kritike – kjo dëmton cilësinë e kapitalit social në të ardhmen; investimet publike po kthehen në shtratin e mesatares së periudhave afatgjata deri në 5% të PBB-së, kreditimi i ekonomisë ka ngrirë, pasiguria po i pengon investimet individuale dhe private.
Reduktimi i administratës publike, ulja relative e dërgesave nga emigrantët, reduktimi i fondeve të projekteve të kohezionit social, reduktimi i kreditimit të ekonomisë, mbledhja e sforcuar e detyrimeve të prapambetura – janë disa faktorë që kanë reduktuar kërkesën agregate në ekonomi. Në këtë analizë strukturore të PBB-së konkludon se rritja ekonomike me ritme më të larta po vështirësohet. Identifikimi i burimeve dhe pengesave për një rritje më të lartë ekonomike, imponon analizë një për një të çdo elementi të strukturës së PPB-së.
Sfida jonë është se si këta faktorë lehtësohen të gjallërohen, të rriten dhe të prodhojnë më shumë punësim dhe mirëqenie. Duhen identifikuar pengesat, kufizimet me të cilat përballet aktualisht çdo element i strukturës së PPB-së.
Duhet ndërmarrë të gjitha reformat strukturore, duke filluar nga funksionimi më i mirë i shtetit ligjor, ambientit të biznesit dhe i një administrate publike sa më profesionale. Pa çliruar liritë e shtypura ekonomike, që fillojnë me funksionimin më mirë të shtetit ligjor, çdo strategji, fokus dhe prioritarizim i investimeve publike në sektorët realë të ekonomisë rrezikohet të prodhojë më pak efekte pozitive të qëndrueshme.
Një mentalitet i ri qeverisës është parakusht i rëndësishëm. Shqiptarët meritojnë një qeverisje të mençur për një ekonomi që duhet të bazohet më shumë te produktivititeti i saj, tek ekonomia e dijes, se sa kryesisht tek ekonomia tradicionale.