Ndryshime në postet e PD-së në Kuvend e në komisione
Ndryshimet në lidershipin e Partisë Demokratike, të paktën ato që kanë lidhje me Kuvendin do të bëhen brenda muajit shtator. Edhe pse nga selia e PD-së shprehen se nuk do të ndodhin ndryshime pa u bërë më parë analiza e humbjes në çdo seksion të partisë, koha nuk pret për sesionin e ri parlamentar. Kuvendi mblidhet në ditët e para të shtatorit dhe që në seancat e para duhen të zgjidhen kryesia e tij, kryetarët e grupeve parlamentare si dhe komisionet parlamentare.
Nga ana tjetër në Partinë Demokratike analiza e humbjes nuk është bërë ende në qendër e jo më në çdo seksion, ashtu siç po reklamohet se janë planet e kryesisë së partisë. Për këtë arsye ndryshimet në lidershipin e demokratëve, sidomos ato që kanë lidhje me parlamentin tashmë janë konfiguruar.
Nga burime të Shqiptarja.com mësohet se do ketë disa ndryshime të rëndësishme të figurave drejtuese të PD-së në Kuvend, por jo spastrime masive, pasi disa prej kryetarëve ose nënkryetarëve të komisioneve parlamentare priten të rikonfirmohen
Kryesia e Kuvendit
Ashtu siç ka bërë të ditur “Shqiptarja.com” në një shkrim të sajin disa ditë më parë nënkryetare e Parlamentit pritet të jetë Dhurata Çupi, ndërsa kryetar i grupit parlamentar të demokratëve, Enkeled Alibeaj.
Dy figura këto që pritet të promovonen nga kryetari Basha si zgjedhje të tij. Por tashmë mësohet se veç tyre do të ketë edhe disa ndryshime të tjera në kryesinë e grupit parlamentar të PD-së.
Burime të gazetës kanë konfirmuar se për nënkryetar të grupit parlamentar janë tre emra: Edmond Spaho, Eduard Halimi ose Gent Strazimiri. Sekretar grupi pritet të jetë Edi Paloka, ndërsa për zëdhënës grupi janë dy emra Grida Duma dhe Oriola Pampuri.
Ndryshime tek komisionet
Tek komisionet parlamentare pritet që të bëhen disa ndryshime të rëndësishme, por edhe rikonfirmime.
Po e nisim nga këto të fundit. Në dy komisione të rëndësishme, ku opozita ka postin e nënkryetarit, pasi kryetari i takon mazhorancës, në atë të Ligjeve dhe të Sigurisë, rikonfrimohen përkatësisht Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka. Po kështu edhe tek Komisioni i Jashtëm rikonfirmohet si nënkryetar Aldo Bumçi.
Mos futja në listën e deputetëve të Majlinda Bregut dhe Ridvan Bodes ka lënë vakant vendet tek Komisioni i Integrimit dhe tek ai i Ekonomisë. Kryetar i Komisionit të Integrimit me shumë gjasa do të jetë Jorida Tabaku, ndërsa tek Ekonomia pritet Edmond Spaho si nënkryetar i komisionit.
Po kështu mosrikandidimi i Genc Rulit ka lënë vakant vendin e nënkryetarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, kur pritet të caktohet deputeti i ri Agron Shehaj.
Ndryshime emrash pritet të ketë në dy komisione ku opozita ka postin e kryetarit në atë të Shëndetësisë dhe të Medias. Edhe pse, Albana Vokshi dhe Genc Pollo janë rizgjedhur deputet, me shumë gjasa ata nuk do t’i kryesojnë këto komisione. Tek Shëndetësia në vend të Albana Vokshit, kryetar pritet të jetë Tritan Shehu ose Bardh Spahia, ndërsa tek komisionit i Arsimi e Medias, në vend të Genc Pollos pritet të caktohet Luçiano Boçi. / Shqiptarja.com
Postet e PD në Kuvend
Nënkryetare e Parlamentit Dhurata Çupi
Kryetar Grupi Enkeled Alibeaj
Nënkryetar grupi Edmond Spaho ose Eduard Halimi ose Gent Strazimiri
Sekretar grupi Edi Paloka
Zëdhënëse grupi Grida Duma
Kryetar i Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku
Kryetar i Komisionit të Arsimit e Medias Luçiano Boçi
Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë Tritan Shehu ose Bardh Spahia
Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve Oerd Bylykbashi
Nënkryetar i Komisionit të Jashtëm Aldo Bumçi
Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Flamur Noka
Nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë Edmond Spaho
Nënkryetar i Komisionit Veprimtaria Prodhuese Agron Shehaj