Ndryshimet klimaterike, kleçka e marrëveshjes së G20-s
Negociatorët në samitin e G20 në Hamburg po punojnë për një deklaratë të përbashkët ku ndryshimet klimetarike janë çështje e vetme problematike.
Sipas zyrtarëve të pranishëm, pjesëmarrësit kanë arritur një pozicion të përbashkët për tregtinë dhe të gjitha vendet janë zotuar ti rezistojnë proteksionizmit.
Negociatorët punuan gjatë gjithë natës në përpjekje për të arritur një kompromis për termat që do të përdoren në deklaratë, e cila pritet gjatë ditës së shtunë.
Mikpritësja e G20, kancelarja Angela Merkel zhvilloi një mëngjes pune të shtunën me Presidentin rus Vladimir Putin dhe atë të Francës, Emmanuel Macron, ndërsa më herët i kishte cilësuar bisedime e së premtes mjaft të vështira.
Por të shtunën, një zyrtar i BE i tha agjencisë “Reuters” se rezultati është mjaft i mirë. duke ruajtur anonimitetin, zyrtari në fjalë deklaroi se komunikata është gati dhe problemi i vetëm është çështja e ndryshimeve klimaterike.
Në këtë kuadër, liderët në samit janë përpjekur që të gjejnë terren të përbashkët me SHBA, pas vendimit të Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja e klimës e Parisit.
Mësohet se çështja e pazgjidhur në komunikatë është dëshira e SHBA për të pasur një referencë për karburantet fosile.
Ndërsa bisedimet mes palëve në G20 vazhdojnë, po kështu kanë vazhduar edhe protesta e dhunshme në Hamburg që u zhvilluan sidomos gjatë natës.
Protestuesit antikapitalistë u ndeshën sërish me policinë deri në orët e para të së shtunës duke shndërruar disa rrugë në Hamburgut thuajse në zona lufte.
Policia gjermane është angazhuar në një seri operacionesh masive për të mos lejuar protestuesit që t’i afrohen ndërtesës së samitit dhe deri tani ja ka dalë mjaft mirë.