Parlamentare

Ndryshimet në kodin rrugor, debate në komisionin e Integrimit

Ndryshimet në kodin rrugor që parashikojnë ashpërsim të masave për drejtuesit e mjeteve dhe kryesisht rastet e kalimit me semafor të kuq u debatuan sot në parim në komisionin parlamentar të Integrimit.

Komisioni parlamentar i Integrimit
Komisioni parlamentar i Integrimit

Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës, Eduard Seitaj, duke mbrojtur draftin e qeverisë, tha se të gjithë ata persona që do të kalojnë semaforin me të kuqe, me automjetet e tyre, duhet të gjobiten me 40 mijë lekë të reja nga policia rrugore.
Në përgjigje të interesimit të deputetëve të maxhorancës për gjobat e rritura, Seitaj tha se kjo nismë nuk synon shtimin e arkëtimeve, por vetëm uljen e numrit të aksidenteve. “Ministria e Transporteve ka menduar që 10-fishimi i gjobës do të sillte ndërgjegjësim tek qytetarët”, tha zyrtari i ministrisë.
Por, deputetët e maxhorancës u shprehën skeptikë për zbatimin e këtij ligji, i cili sipas tyre do të hasë në vështirësi. Nënkryetari i komisionit Taulant Balla tha se pakesimi i shkeljes së rregullave të qarkullimit do të duhet të bëhet me pikëzim të patentës dhe jo përmes rritjes së gjobave.
“Duhet vendosur pikëzim i lejeve të drejtimit dhe jo rritje e gjobave, me të cilat do të rritej dhe korrupsioni”, tha Balla.
Ndërsa, deputeti Ben Blushi theksoi se me ndryshimet e sjella nga qeveria në kodin rrugor, shoferët paragjykohen për shkak të moshës dhe nuk vlerësohen për aftësitë e tyre. “Parashikoni të ulni, nuk e di se për çarë arëye, moshën e patentës për transport mallrash, duke e çuar në 70 vjeç. E paragjykoni për shkak të moshës dhe jo për shkak të aftësisë. Në fshat, ku përdoret transporti për bujqësi pse të mos e bëj këtë një 70-vjeçar, por të paragjykohet”, tha Blushi.
Ndryshimet në ligjin e Kodit Rrugor, që po shqyrtohen në komisionet parlamentare, janë pritur me rezerva nga deputetët e maxhorancës, të cilët kanë kundërshtuar rritjen e gjobave, duke i konsideruar shumë të ashpra. Sipas tyre ky do të ishte një stonim shumë i madh dhe që mund të ndikonte në rritjen e korrupsionit.
Kodi rrugor i ndryshuar, që i bashkangjitet përditësimit të ligjeve në fushën e transportit, sipas direktivave të Bashkimit Europian, sjell një sërë risish, si për shembull, të gjithë personat që kanë varësi nga alkooli apo lëndët narkotike nuk do të pajisen me leje drejtimi, apo personat që transportojnë fëmijët në shkolla duhet të kenë leje të posaçme për ta kryer këtë funksion.
Risi tjetër e projektit është dhe detyrimi për drejtuesit e mjeteve që t’i pajisin automjetet me ndenjëse të posaçme për fëmijët deri në 12 vjeç. Po ashtu, personat që do të merren me transport pasagjerësh do të pajisen me leje të veçantë drejtimi. Me ligjin e ri, ndryshon dhe masa administrative e vendosjes së gjobave, kryesisht për mbrojtjen e infrastrukturës rrugore nga dëmtimet dhe vjedhjet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button