Ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, gjobë 10 milionë lekë shitësve me shumicë
Pas votimit në Parlament të ndryshimeve në ligjin “Për procedurat tatimore” përligjet edhe gjoba 10 milionë lekë për tatimpaguesit, që shesin mallra me shumicë, që mbajnë në ruajtje, përdorin apo transportojnë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimor.
Sipas ligjit, tatimpaguesi, që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë lekë), konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall.
Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mbajë në ruajtje, të përdorë apo të transportojë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116 të ligjit dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin.