Ekonomia

Ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore” hyjnë nesër në fuqi

Nga nesër hyjnë në fuqi ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore” përmes të cilave ashpërsohen masat për të gjithë ata që kapen duke bërë evazion fiskal.

Ndryshimet iu japin kohë bizneseve për të vetëdeklaruar dhe korrigjuar bilancet deri në fund të këtij viti. Penalitetet e reja me gjobë për bizneset variojnë nga 500 mijë lekë në 10 milionë lekë si dhe kallëzim penal.

Referuar këtyre ndryshimeve, me gjobë në masën 500 mijë lekë penalizohen bizneset që nuk deklarojnë adresën, nuk afishojnë listën e çmimeve të mallrave apo shërbimeve, nuk deklarojnë punonjësit, nuk
deklarojnë pagën reale të punonjësve apo nuk lëshon kupon tatimor.

Penaliteti me gjobë në vlerë 10 milionë lekë do të aplikohet për rastet kur bizneset e mallrave me shumicë nuk lëshojnë faturë tatimore, dëftesë tatimore apo faturë tatimore me TVSH. Po ashtu, e njëjta masë ndëshkimi aplikohet kur lëshohet kupon tatimor, dëftesë tatimore apo biletë me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj.

Me gjobë 10 milionë lekë penalizohet edhe tatimpaguesit e mallrave me shumicë që mbajnë në ruajtje, përdorin apo transportojnë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore. Përveç gjobës së lartë, penaliteti parashikon edhe konfiskimin e të gjithë sasisë së mallit dhe rivlerësimin tatimor të të ardhurave për një periudhë 6 mujore.

Ndryshimet e miratuara në procedurat tatimore parashikojnë edhe penalitete të tjera si mbledhjen me forcë përmes konfiskimit të detyrimeve të tatim-fitimit në rastet kur ka vonesa apo edhe faljen për bizneset që vetëdeklarojnë mangësitë e pasqyrave financiare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button