Ndryshimet në statut, PD: Krerët lokalë, jo kandidatë për deputetë
Opozita
Kuvendi Kombëtar mblidhet në shtator, priten debate për mandatin e kryetarit
NGA HERION MESI
Në shtator demokratët pritet të përfshihen në debatet e brendshme partiake, pasi parashikohet mbajtja e Kuvendit Kombëtar, i cili do të votojë edhe ndryshimet në statut. Pas përzgjedhjes së strukturave të reja në bazën e saj, vëmendja e drejtuesve të Partisë Demokratike është përqendruar edhe për ndryshimet e statutit të partisë, i cili nuk është rishikuar prej katër vitesh. Nga burimet prej selisë blu, mësohet se një rol të veçantë do të kenë pikërisht të zgjedhurit e rinj vendorë në krye të degëve të PD-së në rrethe. Në këtë kuadër, grupi i posaçëm i ngritur për rishikimin e statutit të PD-së ka menduar që kryetarët e rinj të kenë kompetenca më të forta në statutin e ri, por, nga ana tjetër, ata do të sanksionohen nga pjesëmarrja në zgjedhje, qoftë për kryetarë bashkie, qoftë edhe në zgjedhjet parlamentare. Kjo, pasi grupi i punës me ndryshimet në statut, ka përcaktuar se kryetarët e degëve nuk do të kenë mundësi të garojnë në proceset elektorale për deputetë apo dhe kryetarë bashkie. Por, në rast se do të propozohen për të kandiduar në këto procese zgjedhore, atëherë ata automatikisht duhet të dorëzojnë mandatin e kryetarit të degës së PD-së.
Mandati i kryetarit
Një tjetër rishikim në statut pritet të jetë edhe çështja e zgjedhjes dhe mandatit të kryetarit të PD-së, ku në statutin aktual nuk është e sanksionuar zgjedhja sipas parimit “një anëtar, një votë”. Por ajo që do të konsiderohet edhe si debati më i fortë, ku pritet që të dalin hapur kundërshtarët e Bashës, është pika që sanksionon dorëheqjen e kryetarit. Në statutin aktual të PD-së është përcaktuar se nëse kryetari i PD-së humbet zgjedhjet parlamentare atëherë ai duhet të japë dorëheqjen dhe të zgjidhet kryetari i ri. Por nuk është parashikuar nëse ajo është e revokueshme apo e parevokueshme, kësisoj këtu do të lindë edhe debati më i fortë. Sipas të gjitha gjasave, senatorët, të cilët janë kundër linjës së Bashës në PD, do të kërkojnë që të sanksionohet në statut dorëheqja e menjëhershme dhe pa të drejtë rikandidimi. Nga ana tjetër, përfundimi i zgjedhjeve të strukturave të reja në bazë pak ditë më parë, i ka hapur në këtë mënyrë rrugën thirrjes së Kuvendit Kombëtar, i cili do të mblidhet muajin e ardhshëm, nga ku do të marrë formën e plotë struktura e re drejtuese e Partisë Demokratike. Gjithashtu, gjatë punimeve të tij, Kuvendi i PD-së do të zgjedhë edhe kryesinë e lartë të kësaj partie, si dhe do të shpallet platforma politike e partisë më të madhe të opozitës. Drejtuesit e PD-së kanë menduar që puna për ristrukturimin e saj të zhvillohet paralelisht me hartimin e një programi të qartë elektoral, për hartimin e të cilit një rol të veçantë do të kenë pikërisht kryetarët e rinj të degëve të PD-së në të gjitha rrethet e vendit. Kjo, pasi puna e të zgjedhurve vendorë në PD do të matet me aftësinë e tyre për të hartuar programe konkrete dhe efikase zhvillimi në nivel vendor në çdo rreth. Për këtë arsye, krerët e rinj do të hartojnë një axhendë të aktivitetit të tyre dhe të degëve që ata drejtojnë, ku u është kërkuar që të jenë të informuar mbi të gjitha ngjarjet që ndodhin gjatë ditës në zonat që ata mbulojnë. Dhe për përballimin dhe menaxhimin e gjithë informacioneve në të gjitha degët, do të ngrihen një sërë departamentesh të veçanta, të cilët do të përpunojnë informacionet e ditës, ku pritet të përpilohen edhe raporte ditore që do i përcillen qendrës së PD-së në Tiranë nga kryetari i degës. Në këto departamente do të mblidhen informacione që do të kenë të bëjnë me rendin, sigurinë, punësimin, ekonominë, shërbimet, investimet, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë.
Ndryshimet në statut
Në ndryshimet e vitit 2010 në statutin e PD-së, demokratët vendosën që Kryesisë së partisë t’i hiqej e drejta për t’i propozuar Këshillit Kombëtar kandidatura për postet e larta, si në pushtetin legjislativ ashtu edhe në atë ekzekutiv, ndërkohë që ka mbetur në fuqi kompetenca e saj për ndërhyrjen dhe refuzimin për kandidatët që vijnë të përzgjedhur nga organet vendore. Me këtë ndryshim, i jepet dorë e lirë kryetarit të partisë që të zgjedhë vetë kandidaturat për në ekzekutiv dhe legjislativ, për sa kohë që statuti i ri nuk parashikon asgjë në këtë drejtim.
“Sms”-ja e Palokës
“Asnjë deputet në takimet zyrtare të Metës”
Ashpërsohet më tej qëndrimi i demokratëve ndaj Kuvendit të Shqipërisë dhe kryeparlamentarit Ilir Meta. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka urdhëruar nëpërmjet një sms-je deputetët e Partisë Demokratike, që të mos marrin pjesë në asnjë aktivitet të organizuar nga Parlamenti. Mesazhi i Bashës, është shpërndarë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i cili u shkruan deputetëve se qëndrimi i zyrtar i PD-së nuk ka ndryshuar, dhe se duhet të shmanget çdo aktivitet i organizuar nga kryeparlamentari Ilir Meta, përfshi edhe takimet me të huajt. “Qëndrimi ynë ndaj Parlamentit nuk ka ndryshuar. Me porosi të kryetarit të PD-së, nuk do të marrim pjesë në asnjë aktivitet të Parlamentit dhe të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, edhe kur janë takime me të huaj. Ju falënderoj për mirëkuptimin. Edi Paloka” – thuhet në sms-në, e cila sipas gazetës “Tema”, është shpërndarë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së. Mesa kuptohet, deputetë të ndryshëm do të kenë marrë pjesë në takime zyrtare të Ilir Metës me të huajt, tashmë me këtë urdhër të Bashës, PD-ja shkëput çdo marrëdhënie me Parlamentin.