Politika

Ndryshimi i pritur prej Partisë Demokratike jo vetëm nuk nisi në Dibër, por rezultati i tyre ishte tronditës

“Le ta fillojmë nga Dibra ndryshimin që do ta çojmë në të gjithë Shqipërinë”, deklaronte Lulzim Basha në mbyllje të fushatës elektorale në Dibër. Ndryshimi i pritur prej Partisë Demokratike jo vetëm nuk nisi me zgjedhjet në Dibër, por rezultati i tyre ishte tronditës për opozitën.
Kandidati i koalicionit qeveritarë siguroi një fitore plebishitare, duke tejkaluar ndjeshëm rezultatin e paraardhësit të shkarkuar për një aferë seksuale, çështje kjo që mesa duket nuk ka ndikuar aspak në votën pro mjekut Muharem Rama.
Ai ka disafishuar mbështetjen në njësitë me më shumë votues, duke rikonfirmuar indirekt një mbështetje po kaq të madhe për koalicionin qeveritar, pavarësisht se qeveria “Rama” nuk ka bërë në Dibër investime domethënëse dhe Rruga e Arbrit është ende e pandërtuar, ndërsa rënia e shifrave në kampin opozitar është e dukshme.
Kandidati Sherefedin Shehu ka fituar vetëm në një qendër të papërfillshme në Kalanë e Dodes dhe ka humbur thellë në qendrat më të mëdha administrative të bashkisë, përfshirë edhe dy zona të mëdha votuese të Partisë Demokratike, Maqellaren dhe Tominin.
Sherefedin Shehu nuk ia doli të fitonte as në fshatin e tij të lindjes. Të dhënat tregojnë se ai ka marrë shumë më pak vota se paraardhësi i tij demokrat dhe në fund pritet të ketë të njëjtat vota sa ato të koalicionit opozitar vitin e kaluar. Por cilat janë arsyet e këtij resultati? A mund të shpjegohet kjo vetëm me largimin e PDIU? Përse as skandali i Xhelilit, as premtimi i pambajtur për Rrugën e Arbrit, as problemet e brendshme të koalicionit të majtë, nuk ishin mjaft për fitoren e PD, e cila kishte deklaruar se nuk ishte më e përçarë si një vit më parë?
Përgjigja duket është shumë më e thjeshtë se kaq. Zgjedhjet e Dibrës mbetën vetëm zgjedhje lokale dhe faktori kryesor mbeti zgjedhja e kandidatit. Sherefedin Shehu ishte zgjedhja e gabuar për Dibrën, jo për nga vlerat personale të padiskueshme që ai ka, por për Dibrën, një kandidat që nuk jetonte, e për më tepër, as nuk votonte dot në qytetin ku kandidoi, nuk ishte një alternativë e mjaftueshme. Përballë tij kandidoi një njeri i thjeshtë, një doktor, që i ka mjekuar të gjithë, të majtë e të djathtë me dorën e tij.
A u blenë vota në Dibër? Me gjasë zgjedhjet e së dielës nuk janë shëruar dot nga sëmundja e vjetër elektorale shqiptare, por a u blenë aq vota sa gati ta dhjetëfishonin diferencën mes kandidatit të Qeverisë dhe atij të opozitës?
Kjo mbetet një pyetje retorike sa kohë Partia Demokratike u mbështet më shumë tek akuzat sesa tek provat. Tani i mbetet asaj që të provojë të kundërtën e asaj që kreu Lulzim Basha tha në fillim: se Dibra në fakt nuk mund të jetë testi i asaj që do ndodhë në zgjedhjet politike të vitit 2017.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button