Ndryshon skema e pagesës së kontributeve, si bëhet ajo
Së fundmi qeveria ka miratuar një akt normativ i cili sjell disa ndryshime në mënyrën e pagesës së kontributeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore. Kjo shtesë akti sipas argumentit është bërë si shkak i boshllëkut ligjor të krijuar nga vendimi nr.60/2016, i Gjykatës Kushtetuese, për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të nenit 4, të ligjit nr.143/2015, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9136, datë 11.9.2013, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, si dhe efektet e ndërsjella për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si për të vetëpunësuarit edhe për buxhetin e shtetit. Kështu në ligjin nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen një sërë ndryshimesh që kanë të bëjnë kryesisht me pagesat për të vetëpunësuarit.
Kështu pika 3, e nenit 6, ndryshohet ku shtohet që “personi i vetëpunësuar është përgjegjës për pagesën e kontributit edhe për punonjësit e papaguar të familjes”. Po kështu ndryshon dhe mënyra e regjistrimit në organet tatimore dhe pikërisht neni 7 i ligjit aktual. “Personat juridikë ose fizikë, brenda dy ditëve pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore, deklarojnë në organin tatimor listën e të punësuarve, pagën përkatëse, përfshirë për personin fizik edhe punonjësit e papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht”.
Po kështu “për personat fizikë të vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes mbi 16 vjec, me të cilët ai punon dhe bashkëjeton ligjërisht, pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore, ky deklarim në organin tatimor bëhet të paktën 3 ditë përpara afatit të paraqitjes së deklaratës, siç përcaktohet në nenin 11, të këtij ligji, por llogaritja e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet me efekte nga data e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore”.
Si bëhet llogaritja e kontributeve për personat e vetëpunësuar
Sipas aktit normativ me ndryshimet përkatëse të miratuar së fundmi kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar, llogariten si përqindje mbi një pagë bruto, jo më të ulët se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore pёr punonjësin e papaguar të familjes llogariten mbi pagën minimale në shkallë vendi. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale në shkallë vendi. Po kështu “kur veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit fillon, ndërpritet, përfundon apo kalon në regjistrin pasiv gjatë një muaji, llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore bëhet në bazë të pagës për ditët e punuara për muajin”.