Në Gjermani rritet ksenofobia. Veç politikanëve, edhe protesta në rrugë ndaj emigrantëve
Sulmet ndaj qendrave të akomodimit të azilkërkuesve janë rritur ndjeshëm në Gjermani. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, vetëm sivjet ka pasur 173 të tilla.
Mbrëmjen e së hënës, më shumë se 2000 vetë marshuan në rrugët e Dresdenit në mbështetje të lëvizjes “Pegida”, lëvizje që lufton kundër “islamizimit të Perëndimit” e që tërheq sa përkrahës të ekstremit të djathtë, ashtu edhe njerëz të thjeshtë, të cilët emigracionit i kundërvihen vetëm sepse u druhen pasojave të tij.
Sulmet dhe protestat e shqetësojnë pjesën dërrmuese të gjermanëve, mjaft nga të cilët ndajnë bindjen se është detyrë e vendeve të pasura të ndihmojnë refugjatët. Të tjerë e shohin emigracionin si zgjidhje të mundshme të vjetërimit demografik të vendit apo nevojës për krah pune të specializuar. Por, mbi të gjitha, në një vend ku e kaluara ende e njollos të tashmen, çdo manifestim i ndjenjave raciste shkakton trazim të thellë.
Ministri i Drejtësisë, Heiko Maas, foli në emër të shumë bashkëkombasve të tij kur tha se “nuk ka vend në Gjermani për ksenofobinë”. “Der Spiegel” kishte fotografinë e një grupi refugjatësh në faqen e saj të parë, të shoqëruar me titullin: “Urrejtja ndaj azilkërkuesve po e helmon Gjermaninë”.
Atmosfera në vend është ndezur dhe politikanët janë përfshirë prej muajsh tashmë në një debat që vërtitet rreth këtyre dy pyetjeve: e para, përse duhet paguar për refugjatët që vërshojnë në Gjermani? Dhe pyetja tjetër: a ka ndonjë mënyrë për ta reduktuar numrin e tyre?
Qeveria federale gjermane pranoi së fundi t’u akordojë landeve 1 milion euro në mënyrë që t’i bëjnë ballë faturës gjithmonë e më të lartë të emigracionit. Për kryeministrin e Bavarisë, një shumë e tillë nuk ishte e mjaftueshme. Horst Seehofer, kryetar i CSU-së, partia simotër e konservatorëve të Angela Merkelit, është njeriu që qëndron pas planeve të shumëdebatuara për uljen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.
Në muajin dhjetor, Berlini shpalli Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë vende të origjinës së sigurtë, çka e bën më të lehtë refuzimin e azilkërkuesve prej këtyre shteteve. Me numrin e refugjatëve kosovarë, shqiptarë e malazezë të rritur në nivelin 500%, nuk është çudi që mjaft politikanë gjermanë janë treguar të gatshëm t’i shtojnë kësaj liste edhe vendin tonë e Kosovën.