Kryeartikull

Në kërkim të bukurisë së humbur

ILIR YZEIRI

Ilir YzeiriNëse do të vështrosh ligjërimin publik në Shqipëri dhe këtu kam parasysh gjithçka që shkruhet apo paraqitet në media, gjithçka që flitet apo shkruhet në sallat politike, gjithçka që shkruhet apo shihet në bisedat e përditshme mes njerëzve, do të vëresh se përmbajtja e këtij ligjërimi është e keqja që zotëron kudo. Të gjithë po bëhen specialistë të hetimit dhe të paraqitjes së asaj që nuk shkon, që nuk ecën. Një sindromë e tillë fataliteti, në një kuptim më të gjerë, karakterizon edhe hapësirën globale për shkak të shumë problemeve dhe plagëve që janë hapur mbi glob këtë shekull. Edgar Morin, filozofi i njohur francez, një prej këtyre plagëve të mëdha e ka shpjeguar me feed-back-un, duke thënë se njerëzimi po vuan tani përgjigjen e planetit. Prej shumë shekujsh, vijon ai, ne e kemi bombarduar planetin me mesazhe negative, duke shkatërruar faunën, duke e betonizuar dhe duke e mbytur ajrin me ndotje nga më të ndryshmet dhe tani, planeti po na përgjigjet me përmbytje, stuhi dhe lloj-lloj gjëmash të tjera që ai i quan si një feed-back të planetit, pra si një përgjigje ndaj mesazheve negative që ne si njerëz i kemi dërguar tokës. Më tej ai thotë se një prej kontradiktave është ajo mes njerëzve dhe planetit. Kështu, zotërimi i së keqes si argument për ligjërimin publik e bën atmosferën tonë në dukje pak moderne, por, po ta vështrosh me qetësi, kjo mënyrë dhe ky stil po e kthejnë këtë vend në një projeksion gri dhe dalëngadalë, ne rrezikojmë të instalojmë këtu patosin e së keqes. Mirëpo vështrimi realist, cinizmi, gjakftohtësia dhe shpirti kritik janë dukuri të shoqërisë borgjeze. Në thelb të kësaj shoqërie është pakënaqësia, trishtimi dhe melankolia për shkak se njeriu zbulon pamundësinë e tij për ta ndryshuar fatin ekzistencial. Gjithsesi, shoqëritë moderne perëndimore kanë arritur ta shpëtojnë popullsinë e tyre nga projektimi fatalist dhe kanë krijuar një drejtpeshim mes shpirtit kritik cinik dhe së bukurës. Sot, Perëndimi, me gjithë krizën e rëndë dhe të thellë ekonomike që po përjeton ka mbetur pikë referimi për pjesën tjetër të globit. Mijëra e mijëra emigrantë fatkeq e shohin ende Perëndimin ashtu siç edhe është në të vërtetë si “tokën e premtuar”. Pikërisht kështu, për fat të keq, e shohin Perëndimin edhe shqiptarët sot e gjithë ditën. Po pse? Natyrisht nuk ka një përgjigje shteruese për këtë pyetje. Megjithatë një pyetje tjetër mund të na çojë drejt argumentit tonë. Si ka mundësi që edhe ata shqiptarë që kanë një standard të mirë jetese në Shqipëri mendojnë se ky vend nuk jetohet, se këtu jeta është e rëndë. Nga ana tjetër, po t’i referohemi asaj që pamë ditën e shtunë në Elbasan, shqiptarët në tërësi dhe sidomos ajo pjesë shqiptarësh që kërkojnë apo bëjnë të gjitha përpjekjet për të gjetur një mundësi që të emigrojnë në Perëndim, ata shqiptarë, pra, dje ishin të ngazëllyer nga emri Shqipëri dhe shpërthenin në parulla “Shqipëri etnike” apo plot parulla të tjera që kishin në qendër lartësimin e identitetit kuqezi. Si ka mundësi që njerëzit glorifikojnë dhe kalojnë deri në ekstazë për një areal që ata nuk i bën të lumtur? Ky është një problem delikat dhe ka shumë interpretime. Por ajo që bën ballë qysh në fillim është vetëdija e dyfishtë e njeriut, i cili e ka një përmasë të unit të tij të lidhur me përkatësinë e grupit, etnisë dhe një përmasë tjetër me narcizmin e egos. Po ashtu, në tërësi, ne, shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Ballkanit, e projektojmë unin tonë në identitetin e grupit, në imazhin kolektiv të etnisë dhe kur flasim për fatin e jetës, nuk e shohim atë në raport me individin, por në raport me grupin, etninë, duke mbetur gjithsesi në fazën folklorike të zhvillimit. Po ç’lidhje ka e bukura me gjithë sa përshkrova deri tani? Sipas mendimit tim, e bukura është një nga përmasat e pazëvendësueshme të njeriut. Këtu nuk është rasti që të bëjmë estetikë, por njeriu perëndimor e ka kombinuar në mënyrë të përsosur raportin e tij me ambientin ku jeton. Në qoftë se themi që Perëndimi është i bukur, veç të tjerash, çmojmë në atë qytetërim kujtesën e tyre historike që është e mbushur me arkitekturë, pikturë, skulpturë, muzikë, letërsi dhe gjithçka tjetër që krijon harmoni në shpirtin e njeriut. Vendi ku ne jetojmë, e ka të gjymtuar këtë përmasë, madje mbi këtë përmasë, mbi të shkuarën, shqiptarët janë kampionë të përleshjeve me njëri-tjetrin. Nga një pikëpamje të duket sikur të gjithëve na ndjek një mallkim fatal, sepse e shkuara jonë nuk na ka shërbyer kurrë për të qenë të bashkuar, por për të qenë të ndarë. Ne jemi kampionë në Europë që jetojmë vetëm me një përmasë kohore, përkatësisht me të shkuarën. Ndaj edhe e bukura, si një përmasë e jetës së këtij vendi, nuk ekziston. Atë përpiqemi ta projektojmë jo në Shqipërinë konkrete, por në Shqipërinë abstrakte. Edukimi me të bukurën dhe afrimi me të do të duhej që të bëhej një normë e edukimit të fëmijëve tanë dhe atyre nuk duhet t’u tregojmë vetëm malet e fushat apo detin e lumenjtë, por edhe atdheun e njerizuar, por edhe veprat e bukura të shqiptarëve dhe të europianëve. Dhe më në fund fare, rikonstruksioni modern i stadiumit të Elbasanit duhet të jetë një shenjë drejt kthimit ndaj së bukurës, drejt zbukurimit të habitatit shqiptar, sepse kështu mund të përqasemi me të bukurën europiane. Sipas mendimit tim, zotërimi i së bukurës duhet të bëhet përmasë e parë e edukimit te ne, në mënyrë që kur të flasim për këtë vend, të mos t’u tregojmë të tjerëve vetëm një atdhe gjeografikisht të bukur, por të populluar me njerëz jo normalë, por një atdhe gjeografikisht të bukur që popullohet me njerëz që adhurojnë të bukurën në jetë dhe e respektojnë atë më shumë se kallashnikovin, tritolin apo plumbin ballit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button