Ekonomia

Në Përmetin e trëndafilave, ditën e lindjes së Usta Laverit dhe çeljes së sezonit turistik

“Qyteti i trëndafilave”. Kjo ndoshta është gjetja më e bukur për Përmetin, qytetin imazh të vlerave shpirtërore dhe traditave të mrekullueshme.

Përmetarët krenohen me gjithçka kanë trashëguar dhe i dallon nga zona të tjera të vendit. Sepse emërtimi i mësipërm nuk pasqyron dhe reflekton vetëm dashurinë që këta banorë kanë për natyrën, për bukurinë, për ngjyrat, por në rradhë të parë shpirtin e tyre të bukur.

Asgjë nuk e ka ndryshuar këtë imazh të përmetarëve, as këto vite të vështira të pas 1990-ës. Këta banorë i kanë ruajtur vlerat si gjënë më të vyer edhe pse, ndoshta kanë sakrifikuar mjaft nga pasuria materiale. Dhe një nga këto kryevlera, mbetet Usta Laver Bariu, kryemjeshtri simbol i përmetarëve.

Dita e lindjes së tij, 2 maji, është zgjedhur edhe si pikënisja e sezonit turistik të këtij viti. Në sheshin e qytetit, dhjetra artizanë, përfaqësues të njësive të tregtimit dhe lokaleve kanë ekspozuar prodhimet e tyre. Kjo është konceptuar si një mënyrë për të promovuar traditat. Sepse turizmi, sipas përmetarëve, nuk mund të konceptohet ndryshe përveçse si një ofertë e traditave të tyre ndaj turistëve të huaj dhe atyre vendas nga rrethe të tjera të vendit.

Përmeti është një mundësi, një mundësi që shumëkush duhet ta shijojë, ta përjetojë. Është një hapësirë ku natyra e virgjër në kuptimin më të plotë të saj gërshetohet me atë çka ofrojnë këta njerëz punëtorë, që dinë të ngrenë në art përjetimet, emocionet. Punimet në dru e në gur, qëndismat, vera e rrallë dhe rakia e jashtëzakonshme e Përmetit, janë resurse që kanë nisur të shfrytëzohen në funksion të zhvillimit.

“Përmeti konkurron në tregun turistik shqiptar me vlerat e veta dhe interesi i madh i njerëzve për të ndjekur e frekuentuar Përmetin, është një provë për këtë”, thotë akademik Vaso Tole, i pasionuar pas qytetit të tij. Ai nuk mungon në këtë ditë të shënuar dhe shprehet me krenari se, sot janë një, dita e çeljes së sezonit turistik dhe ajo e lindjes së Usta Laverit. “Përmeti në çeljen e sezonit turistik mobilizon të gjitha elementët dhe vlerat e veta materiale dhe të traditës. Dhe ky është një ogur i mbarë që, në ditën e lindjes së Usta Laverit, këto t’i japin kuptim Përmetit si një monument sa kulturor, por edhe shpirtëror”, nënvizon ai.

Ne diten e celjes se sezonit turistik ne Permet Foto Harilla Koçi (3)Këto ditë, Përmeti është i frekuentuar maksimalisht. Mysafirët janë të shumtë. Ata vijnë nga Tirana, Vlora, Gjirokastra, por edhe nga vende të tjera. Turistët e huaj kanë mbërritur nga vendet nordike dhe Gjermania. Qyteti ndihet i përkëdhelur. Mbrëmja e të premtes dhe e shtuna janë plot gjallëri.

Në hotele nuk gjen vend. “Kemi prenotuar 10 ditë më parë në një nga hotelet e qytetit, në të kundërt nuk do të gjenim dot vend”, thotë Artan Shabani, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, i cili ka zgjedhur për të kaluar fundjavën në Përmet. Ai ndihet i mrekulluar nga ky qytet, nga këta njerëz, nga kjo natyrë, nga ushqimet që dinë t’i gatuajnë vetëm përmetarët.

Valbona Mazreku, përfaqësuese e Projektit “RISE-OP”, i organizatave “Cesvi” dhe “Mileukontakt Albania”, financuar nga Kooperacioni Italian dhe mbështetur nga Bashkia, thotë se, çelja e sezonit turistik në këtë format është rrjedhojë e punës dy- vjeçare që është bërë për ringritjen dhe rikonceptimin e traditave të mrekullueshme të kësaj zone.

“Ne mblodhëm në një të vetme, çeljen e sezonit turistik dhe ditën e lindjes së Laver Bariut, mjeshtrit të madh e të paharruar të këtij qyteti e më gjerë. Synimi ynë është të promovojmë artizanatin, traditat, artet, shërbimet turistike. Sepse ky është edhe qëllimi i projektit tonë, duke u dhënë mundësi grave, vajzave dhe të rinjve të papunë të punësohen, për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme”, shprehet ajo.

Gjatë vitit të kaluar u trajnuan 100 gra dhe të rinj në fushën e artizanatit, në punimet e grurit, drurit, qëndismat, shportari dhe njëkohësisht edhe në shtëpitë turistike, në funksion të përmirësimit të banesave pritëse, për të pritur dhe menaxhuar numrin e turistëve që ka ardhur në rritje. Por, krahas kësaj edhe në funksion të prodhimit të guidave dhe të menaxhimit sa më të mirë të resurseve turistike të Përmetit, për të evidentuar traditat, bukuritë natyrore.

Ne diten e celjes se sezonit turistik ne Permet Foto Harilla KoçiPërmeti është një nga stacionet e lëvizjes së turistëve të huaj nga SHBA, nga vendet nordike e Gjermania, një stacion turistik dy ditor. Ndërkohë, synohet që të shndërrohet në një stacion kryesor turistik. Kjo mbetet edhe sfida për stafin e Bashkisë në vazhdimësi. Sepse, resurset natyrore duhet të alternohen me aftësinë e menaxhimit dhe të promovimit.

Pikat natyrore në fakt janë disa:

Janë Ujrat Termale të Bënjës që frekuentohen më shumë. Këtë e konstatuam gjatë udhëtimit tonë përmes asaj lugine për të shkuar në një nga pikat e mrekullueshme natyrore, diku mes Ujrave Termale të Bënjës dhe Malit të Bardhë, tek ajo që emërtohet “Hani i Coles”. Gjithçka këtu ishte krejtësisht natyrore. Edhe kompleksi turistik malor, por edhe ushqimi, një ushqim “bio“ që të ngelet gjatë në mendje. Mishi i kecit me një shije të rrallë, djathi i dhisë, i fortë dhe pa asnjë përzierje tjetër, vera vendase, salca e kosit, kukureci.

Pak më tej, një grup prej 11 turistësh amerikanë janë ulur të konsumojnë drekën, pas një udhëtimit prej 60 km me biçikleta. Porosisin supë, sallatra, bulmet, mish keci e qingji, verë dhe ujë nga burimi, që ndodhet aty pranë. Ndihen të mrekulluar dhe e shfaqin këtë me gjeste e fjalë, me buzëqeshjen e tyre. “Është bukur, shumë bukur“, thotë njëri prej tyre, Chack Nicols nga UTAH, që sjell prej tre vjetësh në Shqipëri, grupe turistësh të biçikletave.

Por ka edhe mjaft resurse të tjera, si kisha e zona të tjera, ku po i kushtohet vëmendje përshtatjes së banesave për të krijuar disa standarde pritjeje, të gërshetuara ato me traditën.

Përshembull, një i ri me kuaj, ka nisur t’u ofrojë turistëve një shërbim të veçantë për frekuentimin e natyrës së rrallë, që ka kjo zonë. Ndërkohë, një grup të rinjsh vendas po organizohen për rafting, për të ofruar këtë mundësi argëtimi për amatorët dhe të pasionuarit e shumtë.

Mazreku thekson se, një katalog elektronik i konceptuar dhe vënë së fundi në funksion është gjithashtu një tjetër mundësi për promovimin e resurseve turistike natyrore të Përmetit, që rezulton të jetë mjaft i klikuar. Përmes këtij katalogu, ofrohet edhe mundësia e porosive “online” për produkte të ndryshme artizanale.

Të gjitha këto u përfshinë në programin e ditës së çeljes së sezonit turistik, që ishte edhe një ditë e veçantë festive për banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button