Kosova

Në Prekaz shënohet Dita e Diasporës

Në Prekaz, në kompleksin memorial “Adem Jashari”, nën patronazhin e Ministrisë së Diasporës u mbajt manifestimi tashmë tradicional “Dita e Diasporës”, në të cilin morën pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve dhe përfaqësues të komunave e deputetë të Parlamentit të Kosovës.

Ky manifestim filloi me homazhe te varrezat e familjes Jashari, me moton “Një lule për Jasharët”. Pas homazheve, mbrëmë ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, para bashkatdhetarëve dhe shumë qytetarëve të tjerë, mbajti një fjalë përshëndetëse.

“Edhe këtë vit po mblidhemi në Prekaz, për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, sakrificë që shënoi një prej momenteve më kulminante të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri. Po takohemi këtu me bashkatdhetarët për të nderuar e kujtuar sakrificën e një familjeje simbol të lirisë, sepse vetë diaspora jonë ka qenë një prej shtyllave të përpjekjeve për liri”, tha ai.

Prekazi, vijoi ministri Murati, është dëshmia më e mirë se liria erdhi si produkt i përpjekjeve të pareshtura të popullit tonë për liri, përpjekje gati njëqindvjeçare, të cilat në fund gjetën përkrahjen edhe të botës demokratike. “Prekazi dhe sakrifica e Jasharajve për liri janë vlera universale, andaj i takojnë mbarë botës dhe njerëzimit”, tha ministri Murati.

Më pas, grupi muzikor nga Italia “Spartiti per Scutari”, në krye me drejtuesin artistik, shkodranin Bardh Jakova, mbajti një koncert që u karakterizua me këngë të bukura shqiptare. Manifestimi përfundoi me fjalën e Murat Jasharit, përfaqësues i familjes Jashari, i cili, pasi i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre në këtë manifestim, veçanërisht orkestrën “Spartiti per Scutare”, theksoi se është emocion i veçantë kur dëgjon një grup muzikor italian, në krye Bardh Jakovën, duke kënduar shqip.

Sot në mbrëmje, në Prishtinë, bëhet ndarja e çmimeve “Mërgimtari i Vitit” dhe “Gazetari me shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën”. Ndërkohë, në Prishtinë sot hapet shkolla verore për nxënësit shqiptarë nga diaspora, organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) dhe institutin Ed Guard. Hapjen zyrtare të shkollës verore e bëjnë ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, Valon Murati, dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i qeverisë së Shqipërisë, Blendi Klosi, bën të ditur njoftimi dërguar nga Ministria kosovare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button