Në pritje të liberalizimit, tregu i energjisë zgjerohet edhe me 40 biznese të reja
Në pritje të hapjes së tregut të energjisë dhe veçanërisht shtimit të investimeve në sektorin privat të energjisë, numri i kompanive që licencohen për prodhimin dhe tregtimin e energjisë ka ardhur në rritje.
Sipas të dhënave të Entit Rregullator gjatë vitit të kaluar, kanë aplikuar 40 subjekte në aktivitetet e ndryshme të sektorit të energjisë elektrike dhe gazit natyror, në zbatim të kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi.
Për 32 nga këto aplikime, Bordi i ERE-s ka vendosur licencimin e tyre, ndërsa 8 aplikime janë në proces dhe licencimi i tyre do të finalizohet gjatë vitit 2017.
ERE sqaron se për çdo aplikim janë zbatuar me korrektësi afatet e publikimit në median e shkruar të Vendimeve të Bordit të ERE-s për njohjen e të gjitha palëve të interesuara me këto Vendime. Gjithashtu çdo aplikim për licencim i është nënshtruar një analize të kujdesshme të rregullshmërisë dhe plotësimit me korrektësi të dokumentacionit ligjor, administrativ, financiar, teknik dhe marrjes së lejeve përkatëse të përdorimit të ujërave apo leje mjedisore, të dhëna nga institucionet e tjera në përputhje me aktivitetin që subjektet kanë kërkuar të licencohen.
Vitin e kaluar, ERE licencoi 11 kompani të reja në sektorin e tregtimit të energjisë. Disa prej këtyre kompanive operojnë edhe në sektorin e prodhimit, por për të maksimizuar fitimet janë licencuar edhe si tregtarë të energjisë së tyre.
ERE licencoi gjithashtu edhe 11 subjekte në sektorin e prodhimit të energjisë. Lejet e tregtimit dhe prodhimit i mori edhe “Dragobia Energy”, kompania që po ndërton HEC-et në lumin Valbonë dhe që vitin e kaluar përfshiu në një debat të nxehtë mbarë opinionin publik për dëmin që i krijon investimi një nga parqeve më të lakmuara të vendit në fushën e turizmit.
Tregut të energjisë ju shtuan edhe 7 subjekte të tjera në sektorin e furnizimit të energjisë, ndërsa dy leje të tjera u dhanë në sektorin e tregtimit dhe furnizimit me gaz natyror.
Liberalizimi i tregut
Sipas ligjit të për Sektorin e Energjisë, viti 2018 duhet t’i gjejë të gjitha bizneset në tregun privat të energjisë. Ligji detyron klientët e tensionit të mesëm të furnizohen nga privatët dhe jo nga OSHEE, që nga ky vit. Vitin e ardhshëm sipas ligjit, 40% e tregut synohet të liberalizohet në këtë mënyrë. Por procesi i liberalizimit nuk i ka ndjekur afatet ligjore pasi rregulloret dhe udhëzimet për hapjen e tregut nuk janë formuluar në kohë. Me krizën politike dhe zgjedhjet elektorale në sfond, liberalizimi nuk pritet të nisë as këtë vit, teksa afatet ligjore janë shkelur për të gjitha etapat.