Keshilla

Në punë apo në shkollë, jo më parë se ora dhjetë e mëngjesit

T’u kërkosh njerëzve nën moshën 55-vjeçare të fillojnë punën përpara orës nëntë të mëngjesit, është e ngjashme me torturën, sipas një nga ekspertëve më të mirë të gjumit në Britani.

Ata që e detyrojnë stafin të punojë nga ora nëntë deri në pesë, shkaktojnë te punëmarrësit rraskapitje dhe stres, të gjitha këto për shkak të deprivimit të gjumit, thotë doktor Paul Kelley.

Akademiku nga Universiteti i Oksfordit tha se mungesa e gjumit është një kërcënim për performancën e mirë në punë për të gjithë ata persona deri në moshën 55-vjeçare. Pas kësaj moshe, njerëzit kanë nevojë për më pak gjumë.

Doktor Kelley, tha: “Ne nuk mund ta ndryshojmë ritmin tonë 24-orësh. Nuk mund të mësojmë të zgjohemi në një orë të caktuar. Trupi ynë i përshtatet dritës së diellit dhe ne nuk jemi të vetëdijshëm për këtë, sepse i përket hipotalamusit, jo shikimit”.

“Kjo është e vërtetë edhe për burgjet dhe spitalet. Ata i zgjojnë njerëzit dhe i japin ushqim, të cilin nuk e duan. Ata janë më të bindur, sepse e kanë humbur toruan. Mungesa e gjumit është një torturë.”

Doktor Kelley, një kërkues klinik në Institutin e Neuroshkencës dhe Gjumit në Universitetin e Oksfordit, tha se ekzistonte nevoja që shoqëria të ndryshojë kohën e fillimit të shkollës dhe punës, për t’u përshtatur me orën natyrore të trupit.

Kompanitë që i detyrojnë punonjësit të fillojnë të punojnë herët, rrezikojnë të dëmtojnë performancën e tyre dhe t’u sjellin atyre probleme shëndetësore.

Ai thotë se “ky është një problem i madh i shoqërisë sonë, puna duhet të fillojë në dhjetë të mëngjesit. Nuk duhet të punoni përpara kësaj ore pa kaluar moshën 55-vjeçare”.

Punonjësve zakonisht u privohet gjumi. Ne jemi një shoqëri e privuar nga gjumi. Kjo dëmton shumë sistemet tona trupore, sepse prek sistemet fizike, emocionale dhe performancën e trupit.

“Mëlçia dhe zemra juaj kanë funksionim tjetër dhe ju u kërkoni atyre të ndryshojnë rutinën me dy ose tri orë. Ky është një problem ndërkombëtar. Kushdo po vuan dhe ne nuk kemi përse e bëjmë këtë gjë.”

Dr. Kelley bëri thirrje për të ndryshuar orën e fillimit të shkollës dhe punës, pasi këtë e imponon vetë ritmi 24-orësh i trupit të njeriut. Trupi ka një matës të ritmit, që është i përbërë nga receptorë të specializuar në sy, gjë që ndikon më pas në të gjithë trupin.

Mungesa e gjumit është zbuluar se prek vëmendjen dhe kujtesën afatgjatë, nxit abuzimin me drogën dhe alkoolin. Mund të shkaktojë gjithashtu zemërim, ankth, acarim, sjellje impulsive, shtim në peshë, presion të lartë të gjakut, stres dhe probleme mendore.

“Të rinjtë janë veçanërisht të rrezikuar nga mungesa e gjumit dhe një ditë shkolle e filluar mirë, duhet të jetë ora 11 e mëngjesit, gjë që u lejon fëmijëve të ngopen me gjumë”, thotë dr. Kelley.

Ata humbin çdo ditë dy orë gjumë, gjë që, sipas studiuesit, çon në aftësi në të nxënë, më të dobëta. Duke i lejuar nxënësit të qëndrojnë më gjatë në shtrat, ne u japim atyre mundësinë të kenë rreth 10 për qind rezultate më të mira në provime.

Fëmijët më të vegjël në moshë zgjohen herët për nga natyra, kështu që nga mosha 10-vjeçare ata mund ta fillojnë shkollën në orën 08:30. Por fëmijët apo adoleshentët nga mosha 16 duhet ta fillojnë shkollën në orën dhjetë të mëngjesit, ndërsa 18-vjeçarët në orën 11 të mëngjesit.

Kjo u lejon atyre të flenë më shumë gjumë, por fillimi më i vonë i shkollës mund të ulë mundësinë e aksidenteve dhe të zhbllokojë trafikun e orëve të nxehta. Teksa fëmijët bëhen adoleshentë, ata kërkojnë më tepër gjumë, pasi ndryshon ora e brendshme e trupit dhe ata qëndrojnë më vonë zgjuar.

Adoleshentëve u duhet më tepër kohë për të fjetur gjumë në mbrëmje, çka kërkuesit e kanë quajtur një shtim të zonës së zgjimit.

Studiuesi dhe kolegët e tij shkruan për revistën “Shkrimi në mësim, media dhe teknologjia” se kjo është arsyeja përse ne, përfshirë adoleshentët, nuk mund të flemë normalisht më herët, pasi truri është ende duke nxitur qëndrimin zgjuar.

Duke fjetur më shumë, adoleshentët kanë aftësi më të mira për të mësuar dhe kërkuesit pretendojnë se do të kenë më pak probleme sjelljesh.

“Ndryshimi i ditës së shkollës është një hap relativisht i thjeshtë, që nuk kërkon shumë metoda mësimi, testimi apo shpenzime shtesë”, pretenduan studiuesit.

*Burimi: Daily Mail

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button