Ekonomia

Në Tiranë do ndërtohet shumë, pritet ngecje e shitjeve, bankat janë tërhequr

Flet Presidenti i Grupit Balfin, Samir Mane: Diversifikim rajonal, do të zvogëlojmë portofolin në Shqipëri

Shqipëria duket tashmë tepër e vogël për grupin Balfin, më i madhi në vend. Pasi së fundi është diversifikuar në sistemin financiar dhe po vijon me intensitet investimet në turizëm, presidenti i grupit, Samir Mane, pohon se tashmë i rëndësishëm është diversifikimi rajonal, ndërsa në Shqipëri, sfida është zvogëlimi i portofolit. Balfin ka filluar të shesë bizneset e vogla, që i marrin grupit shumë kohë menaxheriale.
Një tjetër tërheqje është edhe nga sektori i real estate, në kryeqytet, ku grupi shiti së fundmi aksionet që zotëronte në qiellgërvishtësin Down Town Albania.
Z. Mane përsërit se oferta për apartamente në Tiranë pritet të rritet ndjeshëm, nëse do të zbatohen të gjitha projektet e planifikuara dhe kjo mund të çojë në një ngecje të shitjeve në të ardhmen. Por, ai shton se nuk ka rrezik për flluskë, pasi këto projekte nuk po financohen nga bankat, teksa këto të fundit kanë një lloj tërheqjeje nga financimet në real estate.

Cila ka qenë ecuria e kompanive të grupit në vitin 2017? Sa është qarkullimi vjetor nga aktiviteti në Shqipëri dhe në total për grupin?

Viti 2017 ka qenë më i miri nga pikëpamja e performancës dhe qarkullimit vjetor. Qarkullimi total vjetor i Balfin Group, përfshirë aktivitetin në Maqedoni, Bosnjë, Kosovë, ishte 440 milionë euro, nga e cila 72% është realizuar në Shqipëri.

Së fundmi, grupi Balfin bleu uzinën e ferronikelit në Kosovë. Pse e bëtë këtë blerje, sa kushtoi dhe cilat janë planet për të ardhmen?

Qëllimi kryesor ishte diversifikimi i aktivitetit. Ne jemi në sistemin e integruar të mineraleve, me kromin dhe ferrokromin, kemi përvojë si të nxjerrim minerale, si të shkrijmë minerale. Ferronikeli është një metal tjetër dhe fabrika e saj është në gjendje shumë të mirë, e rindërtuar në vitin 2007, pas prishjes. Çmimi i ferronikelit në bursë nuk ka qenë më i miri i mundshëm, por është në tendenca rritëse, sipas projeksioneve 5-vjeçare. Si rrjedhojë, ne pamë një mundësi për ta blerë.

Ky është një biznes privat, nuk është koncesion si në rastin e Albchrome. Në një kohë rekord filluam punën. Më parë, miniera kishte pesë muaj pa punë. Që ditën që e morëm, ne filluam punën, ndërkohë që tani eksportojmë dhjetëra milionë dollarë ferronikel. Pa dyshim që, e vetmja arsye pse e blemë, është për shkak të përvojës që kemi krijuar me kromin, si dhe për t’u diversifikuar në rajon.

Sa ishte çmimi i blerjes?

Çmimi i blerjes ka qenë një kombinim i pagesave të prapambetura që shoqëria u kishte furnitorëve kyç në kompani prej shumë vitesh, të cilat kapnin vlerën prej 30 milionë dollarësh. A është kjo vlera e blerjes? Natyrisht që nuk është vetëm kjo, sepse janë edhe detyrimet e bankave. Por, kjo shumë do të jetë si kapital (equity).

Pse e morët vendimin për të hyrë në tregun bankar përmes blerjes së Tirana Bank. Cilat janë planet?

Banka ishte gjithashtu një mundësi biznesi. Së bashku me Komercijalna Banka, një nga bankat më të mëdha në rajon, ne vendosëm të blejmë Tirana Bank, ata me ekspertizën e tyre dhe ne e pamë si oportunitet biznesi. Pa dyshim që është një aktivitet i ri në biznesin tonë, por ne mendojmë që sistemi bankar po vjen duke u konsoliduar dhe jam i sigurt që aktorë si Balfin janë të nevojshëm në tregun bankar. Banka për ne është një nga bizneset e tjera, pasi prej kohësh kishim në plan të diversifikoheshim për shkak të performancës së mirë të grupit në dy vitet e fundit.

Ka pasur një lloj skepticizmi nga FMN që të mos lejohen grupe nga biznesi, që nuk kanë përvojë në sistemin bankar…

Ne nuk jemi njohur me këtë deklaratë të FMN-së, por ky nuk është rasti ynë, për arsye se ne kemi një përvojë, kemi Komercijalna Banka, që do të jetë aksionere. Pra këshilla e FMN-së nuk është e vlefshme për rastin tonë, pasi përmes Komercijalna Bank kemi përvojë bankare, pasi ajo është një nga bankat më të mëdha të rajonit.

Në drejtim të kundërt, grupi u tërhoq nga ndërtimi i qiellgërvishtësit te 7 Xhuxhat. Pse dhe si e vlerësoni ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme dhe vrullit të shtuar për ndërtime në Tiranë?

Tërheqja nga Down Town ishte zgjedhje biznesi. Pamë mundësi të tjera për të investuar. Unë jam privatisht si aksioner i tokës, por kam dalë si aksioner investues. Pa dyshim që investitori që e ka marrë, i ka të gjitha mundësitë për ta realizuar atë projekt, por kjo ishte një zgjedhje e biznesit e momentit për ne.
Ne jemi të fokusuar në turizëm. Ne mendojmë që investimet në real estate në turizëm do të jenë tërheqëse për vitet e ardhshme. Bota ka një tendencë shumë të fortë drejt rritjes së turizmit. Edhe Shqipëria do të jetë një pjesë e vogël e atij turizmi të madh botëror, që pritet në 10 vitet e ardhshme. Jemi të fokusuar në hotele dhe në apartamente rezidenciale në bregdet. Tiranën, për momentin, nuk e kemi prioritet.

Pse?

Pa dyshim që çmimet e momentit janë favorizuese, por sërish e përsëris se, nëse të gjithë këto projekte që dëgjojmë do të ndërtohen, do të realizohen, mund të ketë ngecje të shitjeve.

A mund të rrezikohet një flluskë nëse do të ndërtohen të gjitha këto projekte?

Unë nuk besoj që rrezikohet një flluskë, sepse problem do të kishte nëse këto investime të mëdha do të mbështeteshin nga bankat. Por, me sa duket, bankat kanë një lloj tërheqjeje nga financimet në real estate, pra në rezidenca. Nëse nuk do të mbështeten nga bankat, një pjesë e biznesit, ose do t’i shtyjnë në kohë projektet, ose do të kenë vështirësi për t’i mbaruar, ose do të transferohen në duar të tjera.
Për momentin, tregu është mirë, pra nuk them që shitjet e atyre që kemi po ecin keq, por nëse të gjitha këto që dëgjojmë do të ndërtohen, eventualisht mund të ketë sërish një ngecje.

Pra do të ketë mbiofertë?

Për momentin, nuk ka mbiofertë, por jam i sigurt që në rast se do të bëhen të gjitha, do të ketë mbiofertë.

Në përgjithësi, sa apartamente cilësore kërkohen në vit?

Me aq sa ne kemi studiuar, vlerësoj se Tirana ka nevojë për 100 deri në 150 apartamente të shtrenjta në vit dhe sipas statistikave që kemi dëgjuar, mund të prodhohen më tepër, rreth 300 – 350. Pra, do të ketë mbiofertë.

Po për sa u përket qendrave tregtare, se vrulli i ndërtimeve vazhdon dhe në kullat e reja do të ketë ambiente qendrash…

Qendrat tregtare të kullave të reja nuk janë në të vërtetë një retail i organizuar. Ato kanë njësi prej 2-4 mijë metra katrorë, të cilat nuk janë tërheqëse për konsumatorin e madh. E kanë provuar në shumë vende, edhe në Shqipëri, edhe në vende të tjera të botës, që këto godina me dyqane poshtë, jo patjetër janë zgjedhje. Pothuajse në asnjë vend nuk kanë funksionuar dhe unë besoj se edhe në Shqipëri do të kenë të njëjtën tendencë. Do bëhen kulla, do të bëhen zyra, por qendrat tregtare në to nuk do të jenë tërheqëse.
Unë vazhdoj të them që retal i organizuar ka arritur një nivel dhe më shumë se kaq, do të ishte jo efektive.

Si një nga operatorët më të mëdhenj të retail në vend, si e vlerësoni ecurinë e konsumit? A keni vënë re efektin e tkurrjes së popullsisë dhe si parashikoni të përshtateni ndaj këtij fenomeni?

Pa dyshim që tkurrja e popullsisë është një problem, por këto janë procese gjeopolitike dhe demografike, që kanë ndodhur në të gjithë botën. E kam thënë vazhdimisht, që ne duhet të liberalizojmë më tepër ardhjen e njerëzve të tjerë. Dikush ikën, dikush vjen. Ne na duhen konsumatorë, na duhen punonjës, na duhet që vendi të ketë konsumatorë dhe një nga gjërat më të rëndësishme do të ishte liberalizimi i mundësive, që njerëz të tjerë të vijnë të jetojnë te ne, siç ka bërë e gjithë bota dhe ne nuk duhet të jemi fare pesimistë se pse kjo duhet të ndodhë. Ka lëvizje masive të popullsisë në 500 vitet e fundit.

Bizneset tona performojnë pozitivisht. Ka një rritje në të gjitha drejtimet. Në ato që jemi strukturuar ka më pak, në ato që janë në zhvillim e sipër ka më shumë. Por, ne nuk jemi modeli i duhur për t’u marrë në statistikë, për arsye se ne kemi një rritje organike për shkak të cilësisë së bizneseve tona dhe performancës sonë. Unë nuk besoj që rritja e tregut është kaq e madhe sa rritja e bizneseve tona.
Megjithatë, e ritheksoj, që ne jemi vendi më i keq në drejtim të retail të organizuar, në raport me fqinjët tanë. Jemi shumë më keq se Maqedonia dhe Kosova, për shkak të nivelit të lartë të informalitetit.

Cilat janë planet e tjera për investime për 2018 dhe në vijim në Shqipëri dhe jashtë saj? Cilët janë sektorët ku vlerësoni se ka ende potencial për të investuar brenda vendit?

Ne do të përqendrohemi kryesisht te turizmi. Plane të tjera në Shqipëri për investime, për momentin, nuk kemi. Në fakt jemi në proces riorganizimi për shitjen e një pjese të bizneseve, të cilat na kërkojnë shumë kohë menaxheriale. Pra ne i kemi kapacitetet administrative dhe financiare për t’u zgjeruar, por do të shikojmë të dalim nga biznese, të cilat na marrin shumë kohë, megjithëse të gjitha bizneset performojnë mirë. Një rast, p.sh., ishte shitja e Final, ku ne ishim një nga aksionerët kryesorë.

Kemi negocime edhe për shitjen e një pjese të bizneseve të vogla, të cilat na kërkojnë kohë të madhe administrative. Zvogëlimi i portofolit në Shqipëri është një nga sfidat e vitit 2018-2019 dhe padyshim sfidë tjetër është diversifikimi rajonal dhe shtrirja rajonale. Balfin i ka të gjitha kapacitetet që të investojë në çdo cep të Europës pa asnjë lloj problemi. Zhvillimi i kompanisë është në atë fazë që ne mund të shkojmë të investojmë kudo dhe këtë do të bëjmë. Në Shqipëri, për momentin, nuk kemi asnjë plan, përveç atyre që i kemi filluar tashmë, të paktën deri në vitin 2025.

Vitet e fundit, grupi po zgjerohet me shpejtësi. Si po e menaxhoni këtë rritje?

Menaxhimi i rritjes është pa dyshim një nga problemet që ne hasim në aktivitetin e përditshëm. Nga ky vit kemi filluar të marrim specialistë të fushave nga e gjithë bota. Brenda tetorit do të marrim dy specialistë të huaj, një amerikan dhe një kanadez, që do të jenë pjesë e bordit tonë të ri, të cilët kanë një përvojë shumë të gjerë në fushat e biznesit. Janë mbyllur kontratat dhe ata do të jenë pjesë e strukturave tona menaxheriale të larta. Pra, përveç punonjësve shqiptarë, që po ecin në drejtimin e duhur dhe po shkojnë drejt superkualifikimit, jam i sigurt që Balfin do të ketë edhe përvojën europiane dhe botërore në menaxhim.

Si e vlerësoni mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri?

Mjedisi për të bërë biznes në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, nuk është më i miri i mundshëm. Pa dyshim ka problematikat e veta, por sigurisht që progres ka. A është progresi aq i shpejtë sa të zhvillohet biznesi. Unë nuk mendoj që është. Ka lehtësim praktikash, ka lehtësim procedurash, por të gjitha gjërat bëhen jo në kohën e duhur. Pra do të ishte mirë që njerëzit të mendojnë që biznesi vjen i pari dhe politika, e dyta.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button