Politika

Negociatat “sekrete” të prokurorisë dhe politikës për dorëheqjen e guvernatorit

Hetimet 45-ditore 

Pas “dështimit”, akuza kërkoi burg. Shkeljet e inspektores së përgjithshme

Prokuroria kishte informacione se Fullani, duke qenë në krye të bankës, po “fshihte” provat

Shuma – Prokuroria e Tiranës po vijon me hetimin e kësaj çështjeje, ku fokusi kryesor vijon të mbetet destinacioni i shumës së vjedhur

Nga Sokol Çobo

Foto arkive e Guvernatorit te Bankes se Shqiperise, Ardian Fullani1Hetimet 45-ditore të Prokurorisë së Tiranës për supervjedhjen në Bankën e Shqipërisë kanë qenë tepër të tensionuara. Në momentet e para, në kohën kur u konstatua vjedhja miliona dollarëshe, prokuroria kërkoi që çështja të mos bëhej publike, por të hetohej “në fshehtësi”. Në atë kohë, më saktësisht në datën 21 korrik, mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe guvernatorit Ardian Fullani, pati një takim “kokë më kokë”, ku u diskutuan pikërisht detajet e vjedhjes. Por, një ditë më vonë, Banka e Shqipërisë, “dekonspiroi” organin e akuzës, duke publikuar vjedhjen në fjalë, si dhe denoncimin e dy punonjësve të saj. Më pas, ndodhi ajo që kemi parë të gjithë, ku mbarë opinioni publik u shokua nga ndodhia në Thesarin e Shtetit, një institucion që duhet të ishte më i sigurti në vend. Por, një punonjës arrinte që të merrte prej andej miliona USD, me lehtësinë më të madhe. Aktualisht, flitet se dëmi i shkaktuar shtetit është 713 milionë lekë, por akuza ende nuk e beson këtë shumë të nxjerrë nga auditet e Bankës së Shqipërisë. Por, të dhënat kontradiktore mes prokurorisë dhe bankës kanë vijuar edhe më pas. Banka pretendonte se e kishte zbuluar ajo këtë vjedhje, ndërsa akuza thotë se ka qenë Ardian Bitraj i cili u vetëdenoncua. Madje, të dhënat flasin se Bitraj mund të ketë dëshmuar gjerë e gjatë mbi vjedhjet në Thesarin e Shtetit, ndërsa ka dyshime të forta se ai nuk ka qenë i vetmi që ka kryer një gjë të tillë. Por, në pamundësi të verifikimeve në terren, pasi shumat janë djegur, akuza ka urdhëruar nisjen e një auditi të pavarur, për të gjetur sasinë e saktë të vlerës që mungon.

Por, gjatë hetimeve, ka pasur përplasje me hetimin e kësaj çështjeje, ku hetues të prokurorisë janë zmbrapsur në momentin që kanë shkuar në Bankën e Shqipërisë, me justifikimin se nuk kishin certifikatën e sigurisë. Por, akuza këmbëngul se çështja nuk ka qenë sekret shtetëror, por vetëm sekret hetimor. Nga burime pranë akuzës qendrore mësohet se ka pasur negociata “sekrete” për dorëheqjen e guvernatorit Ardian Fullani nga posti, me qëllim hetimin pa asnjë ndikim të kësaj çështjeje. Megjithëse kaluan rreth 45 ditë, Fullani nuk pranoi të dorëhiqej, por do të deklaronte në disa dalje publike se ai ishte personi i parë që interesohej për të zbardhur këtë çështje. Nga ana tjetër, informacionet e akuzës flisnin se Fullani, duke qenë në krye të Bankës së Shqipërisë, mund të pengonte hetimet, madje edhe të “fshinte” gjurmët nga shkeljet e konstatuara, por që nuk janë diskutuar asnjëherë në Këshillin Mbikëqyrës. Burimet tregojnë se në “lojë” është futur edhe politika, e cila ka negociuar për këto dorëheqje, e cila nuk ka ndodhur, derisa prokuroria kërkoi edhe masën e arrestit me burg pa afat.

Shkeljet e inspektores

Ndërkohë, prokuroria thotë se, nga hetimet e deritanishme, krahas përgjegjësisë ligjore të guvernatorit Ardian Fullani, ka gjetur shkelje edhe ndaj inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi. “Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores së departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e inspektorit të përgjithshëm” ishte shkelja e parë që rëndon ndaj Golemit. Shkelja e dytë konsiston se “ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë”.

“Së treti është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e inspektorit të përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim financiar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja. Së katërti, në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se inspektori i përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhe të parave”, pohon prokuroria.

Dyshimet

Bitraj po bashkëpunon me prokurorinë?

Organizatori i vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit mund të ketë bashkëpunuar me prokurorinë, e cila deri më tani ka vënë para përgjegjësisë penale 19 persona. Zhvillimet e fundit kanë krijuar bindjen se Bitraj ka folur për punën në Thesarin e Shtetit, madje një informacion i tillë u publikua nga Shqip në fillim të muajit gusht. Në atë kohë, kishte të dhëna se Bitraj është dorëzuar vetë në duart e drejtësisë, çka ka habitur edhe vetë grupin hetimor. Vjedhja nuk u konstatua nga Banka, por nga vetë Bitraj, i cili fare mirë mund të jepte dorëheqjen nga puna dhe të “jetonte i qetë” me paratë e vjedhura. Fakti se u vetëdorëzua ngjalli shumë pikëpyetje, ku Banka e Shqipërisë pretendonte se sistemi dhe administratorët kanë qenë konform ligjit, por kanë ceduar disa punonjës. Por, ka të dhëna se organizatori është penduar për supervjedhjen në Thesarin e Shtetit, prandaj dhe u dorëzua. Flitet se ai ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë në këmbim të sigurisë së tij dhe të familjes. Ende nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë bashkëpunim, por zhvillimet e fundit të lënë të kuptosh se diçka ka ndodhur dhe se prokuroria ka prova të forta që mund të gozhdojnë edhe vetë guvernatorin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button