Politika

Negociatat Shqipëri-BE/ Ambasadori bullgar: Shpresojmë shumë të hapen vitin e ardhshëm

Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në vendin tonë, Momtchil Stoyanov Raytchevski, deklaroi sot nga Vlora se realizimi i detyrave është çelësi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në një konferencë për shtyp, pas takimit me kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ambasadori Raytchevski, theksoi se “nuk ka ndryshim në qëndrimin e Bullgarisë sa i përket të ardhmes europiane të Shqipërisë. Sa i përket pozitës së Bullgarisë ajo është në sinkron me qëndrimin e partnerëve tanë të tjerë në BE, që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë planin e tyre që duhet të realizojnë”.

“E thashë edhe në takimin me kryetarin e bashkisë Leli se nuk ka ndryshim as në vendosmërinë e Bashkimit Europian që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut t’i bashkohen familjes europiane”, – nënvizoi Raytchevski.

Ambasadori bullgar u shpreh se “institucionet shqiptare i dinë cilat janë detyrat që duhet të përfundojnë, kushtet që duhet të plotësojnë dhe të tregojnë rezultate. Më pas Bullgaria dhe vendet anëtare të japin përgjigje pozitive. Shpresojmë shumë që kjo të ndodhë vitin e ardhshëm”.

Sipas tij, BE ka sfidat e veta, duhet të marrë vendime si të karakterit të brendshëm, edhe në atë ndërkombëtar.

“Ajo që BE do të tregojë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është që anëtarësimi në BE është një detyrë kryesore e politikës së jashtme të vendeve reciproke. Në sajë të angazhimit të kryesisë së Bullgarisë, zgjerimi i Ballkanit Perëndimor në BE u ngrit i pari në rend dite, por nëse shikoni çështjet e mëdha që këtë vit qëndrojnë përpara BE-së vetë fakti që vendet anëtare i kanë kushtuar më shumë se një orë e gjysmë diskutimit mbi kushtet dhe të ardhmen e vendeve drejt BE tregon rëndësinë e madhe që Bullgaria i kushton procesit të zgjerimit të BE duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor”, – tha Raytchevski.

Ai shtoi se shqiptarët duhet ta dinë se devotshmëria për anëtarësim qëndron njësoj, detyrat që vendi duhet të përmbushë janë njësoj, vetëm duhet të kryejmë punën tonë dhe në BE do të futeni.

Ambasadori theksoi se “duhet të arrihet një konsensus në shoqërinë shqiptare dhe gjithashtu në radhët e politikës shqiptare”.

Sa i përket minishengenit të Ballkanit u shpreh se “për ne rëndësi ka ligjshmëria e këtij bashkimi, dëshira jonë është krijimi i lidhjes mes vendeve të Ballkanit dhe vendeve të tjera në Europë”.

“Lehtësirat kufitare do të jenë më shumë për biznesin, kushtet më të mira për pritjen në dogana, taksat administrative, por gjithmonë kam bërë thirrje që të konkretizohen nocionet, të sqarohen kushtet e këtij bashkimi në Ballkan, që të mos keqkuptohen qytetarët”, – tha Raytchevski.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button