Nën sfondin e rastit Beleri, vendoset busti i babait të kryeministrit grek në Derviçan
Në Shqipëri, nën sfondin e përplasjeve të forta mes Tiranës dhe Athinës, për rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, u inaugurua sot në Derviçan të Gjirokastrës busti i ish kryeministrit grek Kostandinos Mitsotakis, babit të kreut aktual të qeverisë greke. Afro 33 vjet më parë ai ishte i pari kryeministër grek që vizitonte Shqipërinë dhe Derviçanin, zonë e banuar nga minoritarë grek.
Kur në dhjetor të vitit të kaluar, ishte në Shqipëri dhe vizitoi edhe zonat minoritare, kryeministri aktual Kyriakos Mitsotakis, kishte premtuar se do të rikthehej kur të vendosej busti i babait të tij dhe sheshi i fshatit do të merrte emrin e tij. Por nuk ndodhi kështu.
“Do kisha dëshiruar shumë që sot të ishte këtu dhe Kiriakos Mitsotakis, djali i Kostandinosit, kryeministri i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur, por me siguri dhe ai do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar, ku që nga sot, sheshi mban emrin e të atit”, tha zoti Rama gjatë fjalës së tij, ndërsa në ceremoni ishte i pranishëm Dimitris Avramopoulos, ish zëvendëspresident i Komisionit europian dhe deputeti i partisë Demokracia e Re të zotit Mitsotakis, si dhe ambasadorja greke në Shqipëri.
Arrestimi i zotit Beleri, dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit dhe procesi ndaj tij nën akuzat për shitblerje të votës, konsiderohet nga Athina, ndër të tjera, dhe si shkelje e të drejtave të pakicave. Duket se jo më kot, zoti Rama theksoi sot se ndjehet krenar që Shqipëria është një vend “ku minoritetet gëzojnë me ligj dhe me zakon të drejtat e barabarta me shqiptarët etnikë dhe ku asnjë hall, asnjë problem, asnjë shqetësim nuk ndryshon nga hallet, problemet, shqetësimet e të gjithë qytetarëve të Republikës sonë, por po ashtu nuk ndryshojnë as shkalla e vëmendjes, kujdesit dhe e përpjekjeve tona për t’i adresuar hallet, problemet dhe shqetësimet me të njëjtin pasion dhe angazhim si në Tiranë e në Tropojë e si në Dropull, si në Durrës”.
Kryeministri shqiptar vuri në dukje se pakicat greke janë “një pasuri e çmuar, një urë e pazëvendësueshme fqinjësie të mirë me Greqinë, një lidhje e pandashme mendjesh e zemrash mes popujve, e cila, jo vetëm nuk këputet kurrë brenda njerëzve, por as nuk dobësohet dot, kur politika hyn në mes tyre së prapthi me tekat dhe arsyet e mos arsyes së saj”, deklaroi zoti Rama, duke shprehur besimin se mosmarrëveshjet janë të tejkalueshme. “Fatkeqësisht hera-herës, politika elektorale me nevojat e saj jo domethënëse për fatet e vendeve dhe të popujve tanë trazon edhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë së plazmuar qysh në lindjen e kohërave mes fqinjëve si Shqipëria dhe Greqia, por janë gjëra që kalojnë edhe pse do të ishte mirë të mos ndodhnin, siç mirë do ishte të mos ndodhin, por herë më lehtë dhe herë më vështirë kalojnë dhe sherret dhe keqkuptimet mes vëllezërish që jetojnë në shtëpi të ndryshme”, u shpreh ai.