Bota

Nëndetëse gjermane për Izraelin

Gjermania lejohet të eksportojë një nëndetëse tjetër në Izrael. Këshilli Federal i Sigurisë, sipas një raporti të medieve e miratoi eksportin. Për furnizimet e kaluara ka pasur kritika.

Nendetese gjermane per Izraelin

Këshilli Federal i Sigurise miratoi eksportin e një nëndetëseje tjetër gjermane për Izraelin. Kjo rezulton nga një informacion përkatës për Komisionin e Ekonomisë të Bundestagut, bën të ditur gazeta “Süddeutsche Zeitung”. Bëhet fjalë për nëndetësen e pestë, nga gjithsej gjashtë nëndetëse, të cilat i janë premtuar Izraelit. Një e treta e çmimit të kësaj nëndetëseje është financuar me para të taksapaguesve gjermanë. Nëndetësen e katërt e dorëzoi shtatorin e kaluar koncerni ThyssenKrupp në Kiel, në veri të Gjermanisë.

Kjo marrëveshje eksporti midis Gjermanisë dhe Izraelit i ka fillesat në vitin 2005. Dërgimet e nëndetëseve deri tani kanë shkaktuar debate në Gjermani. Mediet patën bërë të ditur se ato mund të pajisen me armë bërthamore. Qeveria gjermane e mbrojti biznesin dhe tha se nëndetëset po i jepen të paarmatosura Izraelit. Armatosja apo jo e nëndetëseve është në përgjegjësinë e Izraelit, tha Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Thomas de Maizière në vitin 2012.

Nëndetëset e tipit Dolphin janë prodhime të posaçme, të cilat janë përgatitur në përputhje me nevojat ushtarake të Izraelit. Nëse bashkë me to Gjermania dërgon edhe sisteme të posaçme mbajtjeje për koka shpërthyese bërthamore, kjo mbetet pjesë e sekretit ushtarak. Gjermania është për nga rëndësia, pas SHBA furnizuesi i dytë me armë i Izraelit. Veç nëndeteseve, në të kaluarën Gjermania e ka furnizuar Izraelin me pjesë për tanke dhe me aparate për kërkimin e minave.

Në Këshillin Federal të Sigurisë, që vendos për biznese delikate armatimi me botën e jashtme bën pjesë kancelarja, ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes, ministri i Brendshëm dhe ai i Financave. Anëtarët e tjerë janë drejtuesit e dikastereve të Ekonomisë, Drejtësisë dhe të Ndihmës për Zhvillim si dhe shefi i Zyrës Kancelarore.

Furnizime për Indinë dhe Algjerinë

Krahas biznesit me nëndetëse, Këshilli Federal i Sigurisë miratoi edhe eksportin e 336 kamionëve në Algjeri. Sipas të dhënave qeveritare, këta kamionë nuk janë të pajisur me armë, por për shkak të aftësisë së tyre për të udhëtuar në ujë dhe ndriçimit të maskuar kategorizohen në pajisje ushtarake

Veç kësaj u miratua furnizimi me mjete dhe pjesë këmbimi për prodhimin e municionit të kalibrit të vogël në Indi. Në Indi veç kësaj do të eksportohen gjashtë pajisje për zbulimin e nëndeteseve dhe të siluruesve. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i cili hapi me kancelaren të dielën (12.04.2015) panairin e Hanoverit, do të pritet të martën zyrtarisht në Berlin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button