Nëntë gjëra që duhen shmangur kur jeni në Londër
Me rreth 17 milionë vizitorë në vit, kryeqendra e Britanisë së Madhe është dhe destinacioni më i preferuar në mbarë botën. Mirëpo janë disa rregulla, të cilave turistët duhen t’i përmbahen patjetër gjatë qëndrimit të tyre atje .
Mund ta shkatërrosh reputacionin tënd nëse nuk sillesh siç duhet. E kjo vlen më shumë se çdo gjë në Londër, si i huaj edhe më shumë. Londra me 17 milionë turistë nga e gjithë bota, është destinacioni më i preferuar global.
Për të mos rënë nga njëri rreng në tjetrin, iu futëm një kërkimi nëpër forumet e komunitetit më të madh virtual të turistëve në botë “TripAdvisor”. Cilat këshilla e sugjerime japin ata që e kanë shkelur atë si të tillë? Për çfarë paralajmërojnë të bëhet kujdes? Më poshtë gjeni nëntë pika për t’u ndier më mirë kur të jeni në vendin e traditave konservatore e miteve të famshme – duke i shërbyer në radhë të parë edhe vetë ruajtjes së shëndetit tuaj.
- Mos e ofendoni Madhërinë e Saj
Kush do të bëjë shaka me një britanik qysh në fillim të udhëtimit të tij, duhej të bëjë kujdes që të mos e cenojë apo vërë në dyshim legjitimitetin e familjes mbretërore, e të harrojë kështu kritikat, e lëre pastaj cilësimet ofenduese ndaj Madhërisë së Saj, Mbretëreshës. Kjo, pasi anglezët i duan mbretërorët e tyre dhe e kanë seriozisht.
- Të shtyheni në radhë
S’ka rëndësi nëse je në radhë për të blerë bileta teatri, po hipën në autobus apo para një kase në supermarket: Asnjëherë, asnjëherë (!) nuk duhej të shtyni e të mos respektoni radhën. Anglezët janë një popull shumë i mirësjellshëm – edhe në vetë Londrën kozmopolitane e të trazuar. Respekti reciprok është atje Alfa dhe Zeta. Dhe ai nuk shprehet vetëm duke thënë “Thank you!”, “Please!” apo “Sorry!”, por edhe duke qëndruar me durim në fund të një radhe të gjatë, derisa t’ju vijë radha.
- Të mbërrish me vonesë
Si shumë ofenduese dhe të pasjellshme e shohin britanikët edhe kur ti nuk je korrekt me takimet dhe kohën e caktuar për to. Kësisoj, këshillohet që më mirë të mbërrini pesë minuta më parë sesa më vonë në vendtakim me një londinez.
- Të humbasësh darkën
Britanikët kanë pak të përbashkëta me vendet e Europës Jugore e asaj kontinentale në përgjithësi – edhe në çështjen e vakteve të të ngrënit. Kush për shembull, sipas mënyrës spanjolle e italiane, shkon të darkojë në orën 22:00, i bie që të shkojë me barkun bosh në shtrat. Shumë restorante në Londër në këtë orë të mbrëmjes, janë mbyllur.
- Dy gishtat, kurrsesi lart
Ata që preferojnë gjestikulacionet sidoqoftë duhet të bëjnë kujdes me një shenjë që në vende të tjera të botës është e zakonshme: ajo me dy gishtat lart në formën e V-së që do të thotë “Victory”-fitore. Shenja e përftuar nga nxjerra në pah e dy gishtave në këtë vend është një ofendim edhe më i keq sesa ai kur nxjerr gishtin e mesit. Pra, shumë kujdes: sidomos kur në ndonjë pab porositni dy birra duke drejtuar dy gishtat drejt banakut.
- Të kalosh pa vëmendje në rrugë
Për të ruajtur shëndetin, brenda mundësive, bëni kujdes kur kaloni nga njëra anë e rrugës në tjetrën, duke parë në vend të së djathtës, nga e majta, e më pas e kundërta, duke e përsëritur. Edhe kur shkelni mbi shinat e tramvajit. Për siguri.
- Mos harroni çadrën dhe syzet e diellit
Edhe pse Londra, përkundër perceptimit publik ndërkombëtar, nuk është qyteti me mesataren më të lartë të reshjeve në vit, ajo është vërtet e famshme për të gjithë për sasinë e madhe të shiut që e lag. Dhe një mjet që s’duhet harruar kurrsesi është çadra, ose “ombrella” e famshme. E po ju japim edhe një porosi tjetër, të cilën nuk e gjeni në çdo manual: mos harroni gjithashtu as syzet e diellit.
- Në pab prisni me durim t’ju shërbejnë
Edhe pse përgatitja e vaktit të mëngjesit anglez shkakton keqkuptime e kontestime: pa bathë të pjekura, salsiçe, proshuta të tymosura dhe domate, kjo punë nuk shkon. Në tavolinë, duke pritur të shërbehesh, mund të shkojë paksa gjatë: në pabe porositet direkt në banak, e me paratë në kesh – dhe madje me parapagim.
- Mos harroni “Tea Time”
Edhe pse kjo mund të mos ishte me pasoja për qëndrimin tuaj në Londër: kush nuk ka shijuar një “Afternoon Tea” (çaj të pasdites) duke marrë rrugën e kthimit për në atdhe, i ka hequr vetes me të drejtë njërën ndër kënaqësitë apo përjetimet që të bëjnë vërtet të ndihesh “very british”. E veç saj, të mos provosh pak kulaç me krem të mpiksur dhe marmelatë luleshtrydhesh, meqë ra fjala, do të kish qenë vërtet një gabim fatal. Mirëpo ka dhe më keq, apo jo?
Dhe një gjë: mos u bëni merak gjithsesi, nëse anglishtja juaj shqiptohet me theksin e vendit nga vini. Tek e fundit, nuk jeni i vetmi – dhe deri diku, edhe vetë anglezëve kjo gjë ju duket “very nice”.