“Nëse zbatoni reformat, ne do t’ju mbështesim në rrugën europiane”
Mesazhi
Iniciativa gjermano-angleze në lidhje me Bosnjë-Hercegovinën.
Liderët të bëjnë reforma për integrimin
Frank-Walter Steinmeier / Philip Hammond
Bosnjë-Hercegovina është një vend në zemër të Europës, i cili ende vuan pasojat e tmerrshme të një lufte, e cila ka përfunduar dy dekada më parë. Ndasitë etnike të ngulitura thellë në këtë vend kanë çuar në një ngërç politik, duke penguar kështu reformën aq shumë të nevojshme. Rezultati i ardhur ka qenë gjendja e keqe ekonomike dhe sociale, e cila vetëm sa u përkeqësua nga përmbytjet katastrofike gjatë pranverës së këtij viti. Një Parlament i ri u zgjodh muajin e shkuar nga qytetarët e vendit. Puna e tij gjatë katër viteve të ardhme do të jetë e një rëndësie thelbësore në përcaktimin e së ardhmes së vendit.
Përgjatë 20 viteve të fundit, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë investuar në një masë të madhe në Bosnjë-Hercegovinë: ushtarët tanë dhe forcat e policisë kanë qenë pjesë e misioneve stabilizuese të NATO-s dhe BE-së në vend, dhe përkrah përfshirjes sonë në nivel politik, kemi promovuar zhvillimin ekonomik të vendit. Fakti, se ende përpjekjet tona nuk kanë sjellë rezultat, nuk përbën kjo një arsye për të hequr dorë dhe për t’u larguar nga vendi. Përkundrazi, ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të ndihmuar Bosnjë-Hercegovinën në përmirësimin e së ardhmes së saj.
Ajo çka vendi kërkon dëshpërimisht është stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik, shoqëruar kjo dhe me një demokraci dhe institucione gjyqësore funksionuese. Arritja e tyre kërkon reforma të gjera, të cilat janë vonuar për shumë kohë. Ndërkohë që historia na tregon se, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian mund të shërbejë për të inkurajuar vendet në zbatimin e reformave thelbësore, për Bosnjë-Hercegovinën të përçarë nga ndarjet politike dhe etnike, kjo mrekulli nuk ka mundur të ndodhë. Nevojitet një qasje e re. Më 5 nëntor të këtij viti, në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të rajonit në Ambasadën Britanike në Berlin, me rastin e konferencës së Institutit Aspen mbi Europën Juglindore, kemi paraqitur idetë tona për reformimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Bosnjë-Hercegovinën. Këto propozime fokusohen kryesisht në politikat ekonomike dhe sociale, si dhe mirëqeverisjen dhe shtetin ligjor, të cilat do të kenë ndikimin më të madh në jetën e boshnjakëve të thjeshtë: politika për rritjen e punësimit dhe sundimit të ligjit dhe uljen e korrupsionit dhe kriminalitetit. Hapi i parë të cilin synojmë është që, liderët politikë të Bosnjë-Hercegovinës të bien dakord me shkrim për të bërë dy gjëra: së pari, të kryejnë reforma institucionale në të gjithë nivelet e shtetit, me qëllimin për ta bërë atë më funksional dhe të aftë për të bashkëpunuar efektivisht me Bashkimin Europian; dhe së dyti të bien dakord me BE për hartimin e një plani të gjerë reformash për të çuar vendin më tej në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo qasje nuk do të thotë ulje e standardeve për anëtarësimin e Bosnjë-Hercegovinës në Bashkimin Europian. Ndryshimet e vështira kushtetuese siç janë, dhënia e së drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës (çështja Sejdic-Finci), duhet ende të gjejnë zgjidhje. Por ajo që ne ju propozojmë është një proces reformash, hap pas hapi, duke u fokusuar në përmirësimin e mirëfilltë ekonomik dhe duke rritur gradualisht funksionimin e institucioneve shtetërore – një qasje që është e lidhur gjithashtu ngushtësisht me përparimin e Bosnjë- Hercegovinës në rrugën e saj drejt BE-së. Nuk është ky një kthim në ditët kur komuniteti ndërkombëtar diktonte legjislacionin në Bosnjë-Hercegovinë. Ne po u paraqesim, qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe politikanëve që ata kanë zgjedhur, një propozim dhe një ofertë: nëse ata zbatojnë reformat, ne do t’ju mbështesim në rrugën europiane. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrë këtë iniciativë; ne kërkojmë me insistim një mbështetje të gjerë politike, të nevojshme për arritjen e suksesit. Kemi nevojë që dhe vendet fqinje si Kroacia dhe Serbia, ashtu si partnerët tanë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të punojnë së bashku me ne. Por, mbi të gjitha, ju bëjmë thirrje politikanëve të Bosnjë-Hercegovinës që pavarësisht interesave etnike të adoptojnë një qasje e cila demonstron udhëheqje gjithëpërfshirëse për të gjithë vendin. Bosnjë-Hercegovina ka nevojë për një vizion të ardhëm, i cili të përputhet me pozitën e saj si një vend në zemër të Europës. Qytetarët e saj meritojnë shtet ligjor, kriminalitet të ulët, shërbime të mira publike, punë dhe zhvillim, po aq sa dhe qytetarët e vendeve fqinje. Sot, ne po i ofrojmë popullit të Bosnjë-Hercegovinës një rrugë përpara. Shpresojmë sinqerisht që ata do ta kuptojnë këtë.