Nga ditari i Lili Brikut
4 qershor 1930.
Në ëndrrën e dytë ishte ulur pranë Norës dhe përpiqej ta joshte, unë thashë diçka në lidhje me këtë. U hodh përpjetë dhe i drejtoi një revolver vetes në tëmth. E tmerruar, bëra sikur më ra të fikët. U frikësua, erdhi me vrap drejt meje dhe harroi t’ia hiqte vetes. Duke vrarë veten, Volodiku dha provë të një egoizmi të përbindshëm ndaj meje. Për të, sigurisht, ishte mënyra më e thjeshtë. Por unë do të bëja çfarëdolloj gjëje në botë për Osjan, dhe Volodja nuk duhej ta vriste veten – për mua dhe për Osjan.
7 qershor 1930.
Qaj për Volodjan dhe për veten – është e njëjta gjë.
9 qershor 1930.
Vetmi. Sot do të vrisja veten po të mos ishte Osja. Pashë në ëndërr Volodjan gjithë natën. Qaja, përpiqesha ta bindja të mos e vriste veten dhe ai thoshte se gjëja më e rëndësishme në këtë botë janë paratë. E gjitha kjo ndodhte gjatë një asambleje në një kështjellë me mobilie të stilit të larmishëm.
14 qershor 1930.
Shkova te krematoriumi. Nuk dija ç’të bëja atje brenda – kutia për mua nuk është lidhur në asnjë mënyrë me Volodjan. Pastaj shkova në kopshtin zoologjik – duke parë kafshët mendoja për të, më kishte marrë malli. Arusha të këndshme të zeshkëta me pulla të bardha, si kllapa në gjoks.
27 qershor 1930.
Sot në mëngjes fillova të shkruaj për Volodjan. Kam frikë se nuk do të dalë asgjë. Të shkruaj se si jetonim, grindeshim, pajtoheshim? Nuk e kam parë kurrë Volodjan nga jashtë.
28 qershor 1930.
“Lilja, dashuromë”. Të dua.
19 korrik 1930.
Fotografitë më kthejnë shumë pak nga Volodja. Nga ai më kujtohen jo tiparet, as fytyra, por aroma, ngrohtësia, faqet e buta, këmbët e bardha, thembrat e trëndafilta, duart e mëdha, thonjtë e shndritshëm …
6 gusht 1930.
Në dhomën e Volodjas janë shfaqur molat. Shkoj atje çdo ditë, përpiqem t’i eliminoj. Më pëlqen të rri aty duke pirë çajin, duke lexuar, e shtrirë në divan. Njësoj sikur Volodiku të kishte bërë pastrimin dhe pastaj të kishte dalë apo të ishte nisur.
3 shtator 1930
Sot lexova “Etër dhe bij”. Bazarovi i ngjan kaq shumë Volodjas sa ta lexoja ishte e dhembshme.
6 shtator 1930.
Një ditë Volodja pyeti Zina Sveshnikovën: do ta linte të shoqin nëse do të bëhej dashnorja e tij? Vazhdonte të verifikonte nëse të tjerët e donin, nëse ishte i nevojshëm për të tjerët, të kërkonte konfirmime të forcës së vet!
16 tetor 1930.
Bën ftohtë në shtëpinë e re. S’ka dru për të bërë banjën. Makina është në riparim … Pa Volodikun është e vështirë.
19 tetor 1930.
Volodik, vogëlushi im, këlysh. Sot qava në dhomën tënde në kalimin Lubjanksij. Përfytyrova gjithçka, gjithçka si ndodhi. Një dhomëzë tmerrësisht e vogël.
22 tetor 1930.
Osja kujtoi se kur Volodja shkoi – në Komitetin Qendror, besoj – për çështjen e revistës, i thanë se ishte vendosur të mos mbyllej REF-i, gjë së cilës Volodja iu përgjigj: “Askush nuk e hapi REF-in dhe askush nuk mund ta mbyllë, sepse nuk është një organizatë, por një këndvështrim mbi gjërat”. Nuk e provoj ndjenjën e ekzistencës sime. Nuk e harroj Volodjan për asnjë minutë të vetme.
2 dhjetor 1930.
Pashë në ëndërr Volodjan. I tregoja disa qen.
14 dhjetor 1930.
Vazhdoj të përpiqem të përfytyroj Volodjan. Rrugës apo ndërsa vjen në shtëpi, e hap derën me çelësin e tij, var bastunin në varësen e rrobave, heq ngadalë xhaketën, shkon në banjë, duke harruar peshqirin dhe kthehet në dhomën e tij me duart e mëdha që pikojnë. Në mëngjes e shoh të pijë çajin. Të lyejë bukën me gjalpë, të lexojë gazetën. I dashuri im, vogëlushi im. Është gjithnjë më e vështirë. Dhe nuk kuptohet, në mënyrën më absolute, për ç’dreq unë jam gjallë. Nuk mund ta lë Osjan. Mendoj se pikërisht kjo më ka mbajtur.
4 janar 1931.
Pashë në ëndërr Volodjan. Kishte shkuar të jetonte me Norën dhe më drejtohej “Ju”, sepse i dukej më e përshtatshme. Pastaj, në foyer-in e një teatri ose ndoshta pas kulisave, ishte nëna e Norës që ngashërehej duke thënë se e bija kishte vrarë veten dhe Volodja, duke buzëqeshur, më thoshte: Jo, nuk është aspak e vërtetë, Nora thjesht ka prerë dy rripa mëndafshi të gjelbëremë nga këmisha, pastaj i ka lidhur bashkë dhe i ka varur në një copë druri që digjej, por nuk ka arritur në kohë të vrasë veten.