Opinion

Nga Filozofia e Rilindjes tek Nard Ndoka Filozof

Armand Shkullaku
Armand Shkullaku

Partia Socialiste ka përmbyllur me sukses të lartë sasior një cirk elektoral me të cilin do të dalë në shfaqjen e 21 qershorit. Nën siglën e Aleancës për të Ardhmen Europiane janë rreshtuar mbi 40 parti (nga komunistët tek ish të përndjekurit, nga muslimanët tek demokristianët, nga maqedonët tek çamët, nga Topi tek Dobi, nga profesor Paskali tek Cicollari) duke shtruar përpara opinionit një pyetje të thjeshtë. Përse i duhet Edi Ramës një koalicion i tillë lara- bala?

Përgjigja e parë që të vjen natyrshëm ëhtë nevoja për çdo votë. Konsumi i qeverisjes kaotike në këto dy vjet, dështimet e premtimeve të bujshme elektorale, gjendja e vështirë ekonomike, skandalet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, pasiguria në rritje, etj, e kanë detyruar kryeministrin të bëjë llogari për t’i bërë pritë çdo rrjedhje të mundshme elektorale.
E njëjta përgjigje shkon edhe për mobilizimin e këtij cirku elektoral në funksion të bashkisë së Tiranës. Duke qenë se kandidatura e Erjon Velisë ishte e vetmja që në sondazhe rezultonte më poshtë se e majta dhe duke qenë se Rama nuk kishte ndërmend të hiqte dorë prej saj, ai është munduar që këtë hendek ta mbushë me votat e çdo ngjyre për të mos e rrezikuar fitoren në Tiranë. E nëse për Tiranën bën punë edhe Bamiri apo merr vlerë edhe malli i “tregut çam”, për bashkitë e tjera janë tufëzuar partia e muslimanëve, e maqedonëve, demokristianët e kristiandemokratët, komunistët dhe të përndjekurit, Petro Koçi e Gaqo Apostoli. Hesapi zgjedhor i ka treguar Edi Ramës se këta personazhe i duhen në këto zgjedhje dhe pushteti, ashtu si mjalti apo ndonjë produkt tjetër, nuk e ka të vështirë t’i mbledhë bletët dhe mizat rreth tij. Kryeminstri ka për të gjithë.
Kjo logjikë pragmatiste, ashtu siç mund t’i japë një shpjegim kësaj kooperative elektorale të tipit të lartë, po ashtu nxjerr në pah një krizë të madhe të mazhorancës së majtë. Edi Rama dhe Partia Socialiste erdhën në pushtet duke shpallur një filozofi të re politike. Atë të Rilindjes, të moralit politik, të frymës moderne dhe të ideve të reja. Kjo filozofi, gati idealiste, ishte në kundërshtim të plotë, madje e fshikullonte, pragmatizmin e Sali Berishës për t’i shtuar vagona të lodhur trenit të tij elektoral. Edi Rama proklamonte se zgjedhjet fitohen me një projekt politik të qartë dhe jo me arnime të thesit të votave. Por pa kaluar as dy vjet, filozofia e Rilindjes përfundoi tek Nard Ndoka filozof. Nëse në zgjedhjet që e sollën në pushtet, koalicioni me LSI u kapërdi me nevojën për të fituar ndaj Sali Berishës, kjo që po ndodh sot me “rilinidistët” është gati e turpshme.
Eshtë e tillë edhe për faktin se vetë Edi Rama është tallur dhe ka ironizuar në ekstrem nevojën e kundërshtarit të tij për të bërë koalicione të të gjitha ngjyrave nga halli i një grushti votash më shumë. Ai i ka telendisur nëpër ekrane e konferenca shtypi personazhet e “tregut çam” dhe të famshmin Nard Ndoka. Mirëpo sot, vetëm në dy vjet kohë, ai ka ulur kokën për të pranuar de facto se nuk është hiç i ndryshëm nga kundërshtarët e tij. Madje më keq se ata.
Mund të konsiderohet fatkeqësi që në shumë pak kohë në pushtet, Partia Socialiste e sheh veten të obliguar t’i thotë derrit dajë dhe t’u zgjasë dorën atyre që më parë i kishte shpallur mercenarë politikë. Kjo është shenja më e qartë se Edi Rama nuk është më në gjendje të prodhojë qeverisje të mirë, të mbajë premtimet elektorale, të bëjë reforma dhe në fund t’u kërkojë përsëri votën shqiptarëve pa patur frikë se ata mund ta ndëshkojnë. Kryeministri është i qartë se ka bërë aq pak nga Rilindja e tij, saqë në cirkun laraman i duhen edhe medemek të djathtët si Bamiri e Kurt Kola, edhe Partia e Bashkimit Musliman edhe Mark Frroku edhe Shpëtim Idrizi.
Për këtë arsye ai po merr hua miellin e skaduar me të cilin as Sali Berisha nuk arriti të bëjë bukë në 23 qershor 2013. Por nëse Sali Berisha e pati këtë hall në fund të mandatit të tij, Edi Rama ka nisur shumë shpejt ta kopjojë paraardhësin e tij. Jo vetëm tek çuarja për lesh e filozofisë së Rilindjes, por edhe tek degradimi i përditshëm i një shumice të fortë në numra por të dobët në rezultate.
Pikërisht mungesa e rezultateve në qeverisje, paaftësia për të bërë reforma, dështimi në mjaft premtime dhe skandalet e shumta, po e bëjnë Ramën të sillet si paraardhësi i tij në fund të mandatit të dytë. Jo vetëm me vagonat e marrë borxh nga treni i Berishës, por edhe me referimet nacionaliste, me patetizmat patriotikë, me daljet e pafundme e të stërzgjatura në ekran, me ndarjet e tapive që të kujtojnë arrorët e manaferrat e Doktorit, me humorin gjithë ngërç dhe fjalimet pa pikë e presje, Edi Rama po manifeston simptomat e një lideri në krizë. Që po e çojnë deri në tallje të vetvetes. “Rama mund të bëjë çfarë të dojë sepse nuk bën asgjë”, do thoshte Nard Ndoka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button