Nga “Taken” te Thethi; TikTokeri, me 4 milionë ndjekës, që i tregoi botës një Shqipëri tjetër
Kalani Smith, krijuesi amerikan i përmbajtjes i njohur si “Kalani Ghost Hunter”, me mbi 4 milionë ndjekës në platformat sociale, erdhi në Shqipëri duke ditur pak për vendin dhe me një imazh të krijuar pjesërisht nga e kaluara komuniste dhe kultura pop. U largua i befasuar nga Thethi, mikpritja, çmimet dhe një Shqipëri shumë më e sigurt nga sa perceptohet jashtë. Udhëtimi i tij tregon se, në epokën e TikTok-ut, një përvojë në një fermë, një bujtinë apo një festival në mal mund ta vendosë një destinacion në listën e udhëtimeve të njerëzve që deri dje nuk e kishin menduar fare.
Nga Deada Hyka
Para se të vinte në Shqipëri, Kalani dinte pak për vendin. E dinte se kishte qenë një vend komunist dhe një nga referencat e tij vinte nga filmi “Taken”. Nuk kishte krijuar një Shqipëri ideale në mendje dhe as nuk priste versionin e kuruar të destinacionit që sot qarkullon në rrjetet sociale.
“Të jem i sinqertë, dija pak për Shqipërinë. E dija që kishte qenë një vend komunist dhe që ishte përmendur në filmin ‘Taken’. Prisja të gjeja një vend që ishte në zhvillim. Përpiqem gjithmonë të kem një mendje të hapur për çdo vend ku udhëtoj”, thotë ai për “Monitor”.
Pastaj vizitoi Thethin. Në malet e Veriut, pritshmëritë dhe realiteti u ndanë përfundimisht. Ishte aty që Kalani pati momentin kur mendoi se kjo nuk ishte Shqipëria që kishte përfytyruar. “Në male, në Theth, pata këtë ndjesi. Ishte një pjesë jashtëzakonisht e bukur e vendit dhe një përvojë shumë e mirë”.
Ndër vendet që vizitoi, Thethi ishte ai që i tejkaloi pritshmëritë. Plazhet e Jugut i konsideron të bukura, por malet e impresionuan më shumë.
Ky vlerësim është interesant edhe për mënyrën se si po ndërtohet produkti turistik shqiptar. Në rrjetet sociale, Shqipëria shpesh shfaqet përmes Rivierës, ujërave të Jonit dhe hoteleve të reja.
Por përvoja e Kalani-t tregon një Shqipëri ku përvoja, kontakti me njerëzit, ushqimi lokal, malet dhe fshatrat mund të lënë më shumë gjurmë se fotografia e përsosur e një plazhi. Dhe për të, kujtimi më autentik i udhëtimit nuk nisi në një resort, por menjëherë pas mbërritjes, me një ftesë nga një shqiptar që e njihte nga interneti.
“Sapo mbërrita, u njoha me një vendas që kishte parë përmbajtjet e mia në internet dhe më ftoi të provoja restorantin e tij dhe të shkoja me të në një festival muzikor në male. Pasi e njoha pak më mirë, vendosa ta bëja këtë udhëtim me të, në fund, kjo u bë pika kulmore e vizitës sime dhe një nga kujtimet e mia më të bukura nga Shqipëria”, tregon ai.
Pikërisht njerëzit janë ndër surprizat e para pozitive që rendit kur pyetet për Shqipërinë. “Njerëzit kanë qenë të sjellshëm, mikpritja ka qenë e shkëlqyer dhe jam mahnitur nga peizazhet natyrore”. Të njëjtën ndjesi e ka marrë edhe nga strukturat e akomodimit. Për të, vlera nuk qëndron vetëm te çmimi i dhomës, por te përfshirja e mikpritësve.
“Për çmimin që paguan, Shqipëria ka një përzgjedhje shumë të mirë akomodimesh. Më pëlqeu gjithashtu përkushtimi i mikpritësve, kur mbërrin në një bujtinë, ata kujdesen personalisht që të mos të mungojë asgjë”.
Në një industri ku destinacionet konkurrojnë gjithnjë e më shumë për eksperiencën dhe jo vetëm për numrin e shtretërve, ky është një avantazh që nuk matet lehtë.
Kontakti personal në bujtina, restorante apo ferma është pjesë e produktit që vizitori merr me vete dhe, në rastin e një krijuesi përmbajtjeje, pjesë e historisë që më pas u tregohet mijëra njerëzve të tjerë. Sfida për Shqipërinë është që kjo karakteristikë të mos humbasë ndërsa turizmi bëhet më masiv.
Kalani pa gjithashtu një Shqipëri që nuk përputhet gjithmonë me versionin e kartolinës. “Edhe pse Shqipëria i ka këto gjëra, ka gjithashtu zona që janë ende në zhvillim. Në fshatra dhe zonat bujqësore mund të përjetosh një anë tjetër të vendit. Shqipëria ka peizazhe të jashtëzakonshme, por jo çdo vend duket si versioni që shohim në kartolina”, thotë ai.
Ky është një paradoks i turizmit të epokës së rrjeteve sociale. Instagram-i dhe TikTok-u mund të krijojnë destinacione përmes pamjeve spektakolare, por njëkohësisht kanë rritur vlerën e asaj që perceptohet si autentike: një fshat, një fermë, një pjatë lokale, një bujtinë apo një eksperiencë që nuk duket e krijuar posaçërisht për kamerën.
Në rastin e Kalani-t, përmbajtja nga Shqipëria që funksionoi më mirë nuk ishte një hotel luksoz apo një plazh. Ishte një përvojë gastronomike “nga ferma në tryezë”. Në rrjetet e tij sociale, në fakt ai ndiqet më së shumti për përvojat me shije gastronomike në shtete të ndryshme.
Historia e një TikToker-i amerikan që udhëton në Shqipëri kalon përtej përshtypjeve të një turisti. Ajo prek mënyrën se si po ndryshon marketingu i destinacioneve. Një vend nuk zbulohet më vetëm përmes agjencive turistike, guidave, reklamave apo fushatave zyrtare.
Mund të shfaqet papritur në ekranin e dikujt që nuk ka kërkuar kurrë informacion për Shqipërinë. Një video e shkurtër mund të jetë kontakti i parë me destinacionin dhe, siç tregojnë reagimet e ndjekësve të Kalani-t, mund ta zhvendosë atë nga një vend që nuk ishte fare në listë, në një destinacion që dikush dëshiron ta vizitojë.
Përtej përvojës dhe imazhit, Shqipëria ruan në sytë e tij edhe një avantazh më tradicional: çmimin. “Shqipëria është padyshim e përballueshme”, thotë ai. Frutat dhe perimet e stinës i janë dukur shumë të përballueshme, po ashtu edhe akomodimi.
Ushqimin shqiptar do t’ia përshkruante një amerikani si “ushqim i thjeshtë, por i përgatitur mirë, shumë i freskët dhe përdoren produktet e stinës”.
Megjithatë, pati një çmim që e befasoi: karburanti. “Surpriza më e madhe për sa u përket kostove ishte çmimi i karburantit”, thotë ai. Për një turist që dëshiron të lëvizë nga bregdeti në zonat malore apo rurale, ky nuk është një detaj i parëndësishëm, sidomos në një vend ku makina mbetet shpesh një nga mënyrat më praktike për të arritur në disa prej destinacioneve.
Dhe pikërisht te lëvizja nis pjesa më pak e këndshme e eksperiencës. Nëse njerëzit, mikpritja dhe natyra ishin surprizat pozitive, drejtimi i automjeteve kërkoi përshtatje. “Drejtuesit e automjeteve priren të jenë më agresivë nga sa jam mësuar, megjithëse vura re një prani të fortë të policisë, që punonte për të frenuar tejkalimin e shpejtësisë”, thotë ai.
Trafiku lidhet me një çështje më të gjerë që Kalani e identifikon kur pyetet nëse Shqipëria është e përgatitur për rritjen e shpejtë të turizmit. “Ka hapësirë për investime në infrastrukturë, veçanërisht në rrugë dhe transport publik.
Megjithatë, mendoj se Shqipëria do të vazhdojë të tërheqë turistë nga e gjithë bota dhe investimet e vazhdueshme vetëm sa do ta ndihmojnë këtë rritje”.
A është kjo një sfidë? Ndërsa fama e destinacionit mund të rritet me shpejtësinë e algoritmit, infrastruktura nuk mund të ndërtohet me të njëjtin ritëm. Një video mund të krijojë interes brenda pak orësh; rrugët, transporti publik dhe kapacitetet që duhet të përballojnë flukset e reja kërkojnë vite.
Për Shqipërinë, sfida po zhvendoset gradualisht nga pyetja se si të bindë turistët të vijnë, tek ajo se çfarë përvoje do t’u ofrojë pasi ata të kenë mbërritur.
Ka, megjithatë, një barrierë tjetër që nuk kërkon investime fizike: perceptimi. Kalani mbërriti me njohuri të kufizuara për Shqipërinë dhe u largua me një përgjigje të qartë për amerikanët që mund të jenë ende në dilemë.
“Do të thosha se njerëzit janë të thjeshtë, të mirë dhe të sinqertë, vendi është jashtëzakonisht i përballueshëm dhe ia vlen absolutisht të vizitohet. Të mësosh për historinë e Shqipërisë, nga qytetërimet e lashta deri tek e kaluara e saj komuniste, ishte një pjesë vërtet me vlerë e udhëtimit”.
Por perceptimi kryesor që do të donte të korrigjonte lidhet me sigurinë. “Perceptimi më i madh i gabuar që do të doja të korrigjoja është ideja se Shqipëria nuk është e sigurt. Nuk u ndjeva as edhe një herë i pasigurt dhe përvojat e mia me njerëzit ishin pozitive”.
Historia e TikToker-it
Historia e një TikToker-i amerikan që udhëton në Shqipëri kalon përtej përshtypjeve të një turisti. Ajo prek mënyrën se si po ndryshon marketingu i destinacioneve. Një vend nuk zbulohet më vetëm përmes agjencive turistike, guidave, reklamave apo fushatave zyrtare. Mund të shfaqet papritur në ekranin e dikujt që nuk ka kërkuar kurrë informacion për Shqipërinë.
Tik Tokeri me 4 milionë ndjekës
Kalani Smith, i njohur në rrjetet sociale si Kalani Ghost Hunter, është krijues amerikan përmbajtjeje, vloger udhëtimesh dhe recensues ushqimi. Me origjinë nga Nashville, Tennessee, ai e nisi karrierën digjitale duke eksploruar vende të përhumbura dhe duke publikuar video mbi fenomene paranormale, prej nga mori edhe emrin “Ghost Hunter”.
Më vonë, kalimi tek udhëtimet dhe gastronomia, veçanërisht videot për kuzhinën britanike, i solli popullaritet ndërkombëtar. Sot, Smith numëron mbi 4 milionë ndjekës në platformat sociale, ndërsa përmbajtjet e tij raportohet se kanë regjistruar mbi 1 miliard shikime brenda një viti.
Të ardhurat e tij vijnë nga monetizimi i përmbajtjes, reklamat dhe bashkëpunimet me marka. Sipas vlerësimeve online, pasuria e tij neto në vitin 2026 llogaritet rreth 1.5 milionë dollarë, nga rreth 1 milion dollarë më parë.
Shikimet
Kalani shpërndau disa momente të udhëtimit të tij në Shqipëri, nga arritja në Rinas, mbërritja në Theth, vizita në Rivierën e Jugut të Shqipërisë. Videot e tij patën shikueshmëri mbi 50k secila pas shpërndarjes.
INTERVISTA /

Kalani Smith “Shqipëria është e përballueshme, surprizë çmimi i karburantit”
Kalani Smith, i njohur nga miliona ndjekës si Kalani Ghost Hunter, vizitoi Shqipërinë dhe zbuloi një vend që, sipas tij, vazhdon të jetë shumë i përballueshëm për turistët e huaj, me një mikpritje që e veçon, por edhe me mangësi në rrugë dhe transport publik.
Mbi të gjitha, zbuloi se ajo që tërheq audiencën e tij ndërkombëtare nuk është domosdoshmërisht Shqipëria e hoteleve luksoze dhe fotografive të përsosura.
Videoja e tij më e suksesshme nga vendi ishte një përvojë gastronomike “nga ferma në tryezë”. Pas saj, ndjekës që më parë nuk e kishin menduar Shqipërinë si destinacion, nisën t’i shkruanin se donin ta vizitonin.
Në intervistën për “Monitor”, krijuesi amerikan i përmbajtjes flet për Shqipërinë që gjeti përtej ekranit, Thethin që i tejkaloi pritshmëritë, çmimet, trafikun dhe mikpritjen, por edhe për fuqinë që mund të ketë sot një video virale për ta kthyer një vend të panjohur në destinacionin e radhës.
Përpara se të vinit këtu, çfarë dinit për Shqipërinë dhe çfarë vendi prisnit të gjenit?
Të jem i sinqertë, dija pak për Shqipërinë. E dija që kishte qenë një vend komunist dhe që ishte përmendur në filmin “Taken”. Prisja të gjeja një vend që ishte në zhvillim. Përpiqem gjithmonë të kem një mendje të hapur për çdo vend ku udhëtoj.
Çfarë ju ka befasuar më shumë në Shqipëri, si pozitivisht, ashtu edhe negativisht?
Pozitivisht, njerëzit kanë qenë të sjellshëm, mikpritja ka qenë e shkëlqyer dhe jam mahnitur nga peizazhet natyrore. Negativisht: mënyra e drejtimit të automjeteve kërkoi pak kohë për t’u mësuar. Drejtuesit e automjeteve priren të jenë më agresivë nga sa jam mësuar, megjithëse vura re një prani të fortë të policisë, që punonte për të frenuar tejkalimin e shpejtësisë.
A pati ndonjë moment të veçantë kur menduat: “Kjo nuk është Shqipëria që kisha përfytyruar”?
Në male, në Theth, pata këtë ndjesi. Ishte një pjesë jashtëzakonisht e bukur e vendit dhe një përvojë shumë e mirë.
Cila ka qenë përvoja juaj më autentike me shqiptarët, kulturën apo jetën e përditshme në Shqipëri?
Sapo mbërrita, u njoha me një vendas që kishte parë përmbajtjet e mia në internet dhe më ftoi të provoja restorantin e tij dhe të shkoja me të në një festival muzikor në male.
Pasi e njoha pak më mirë, vendosa ta bëja këtë udhëtim me të, në fund, kjo u bë pika kulmore e vizitës sime dhe një nga kujtimet e mia më të bukura nga Shqipëria.
Ndër vendet që keni vizituar, cili i tejkaloi pritshmëritë tuaja dhe cili iu duk më i mbivlerësuar nga sa e prisnit?
Thethi i tejkaloi pritshmëritë. Plazhet në Jug ishin të bukura, por malet më mahnitën edhe më shumë.
Si do t’ia përshkruanit ushqimin shqiptar një amerikani dhe cilën pjatë do t’i rekomandonit të provonte fillimisht?
Është ushqim i thjeshtë, por i përgatitur mirë, shumë i freskët dhe përdoren produktet që janë të stinës. Pjata ime e preferuar ishte një specialitet tradicional i zonës, i bollshëm dhe me shumë shije.
Krahasuar me destinacione të tjera europiane, a vazhdon Shqipëria të jetë e përballueshme për vizitorët ndërkombëtarë?
Shqipëria është padyshim e përballueshme. Surpriza më e madhe për sa u përket kostove ishte çmimi i karburantit. Frutat dhe perimet e stinës ishin shumë të përballueshme dhe po kështu edhe akomodimi.
Si janë çmimet, akomodimi dhe cilësia e shërbimit në raport me atë që turistët marrin realisht në këmbim?
Për çmimin që paguan, Shqipëria ka një përzgjedhje shumë të mirë akomodimesh. Më pëlqeu gjithashtu përkushtimi i mikpritësve, kur mbërrin në një bujtinë, ata kujdesen personalisht që të mos të mungojë asgjë.
Turizmi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë. A mendoni se vendi është i përgatitur për një rritje kaq të shpejtë?
Ka hapësirë për investime në infrastrukturë, veçanërisht në rrugë dhe transport publik. Megjithatë, mendoj se Shqipëria do të vazhdojë të tërheqë turistë nga e gjithë bota dhe investimet e vazhdueshme vetëm sa do ta ndihmojnë këtë rritje.
Si krijues përmbajtjeje në TikTok me një audiencë të madhe ndërkombëtare, çfarë lloj përmbajtjeje për Shqipërinë funksionon më mirë dhe sa mund të ndikojë një video virale në vendimin e njerëzve për të vizituar një vend?
Kam ndjekës nga e gjithë bota që shohin atë që bëj. Përmbajtja ime që pati performancën më të mirë ishte për një përvojë gastronomike “nga ferma në tryezë” dhe njerëzve u pëlqeu shumë.
Shumë prej tyre komentuan se tani duan ta vizitojnë Shqipërinë pasi e panë atë, ishte një vend që më parë as nuk e kishin marrë në konsideratë.
Rrjetet sociale shpesh e paraqesin Shqipërinë përmes plazheve dhe hoteleve luksoze. Sa ndryshon realiteti nga këto imazhe?
Edhe pse Shqipëria i ka këto gjëra, ka gjithashtu zona që janë ende në zhvillim. Në fshatra dhe zonat bujqësore mund të përjetosh një anë tjetër të vendit. Shqipëria ka peizazhe të jashtëzakonshme, por jo çdo vend duket si versioni që shohim në kartolina.
Pasi e përjetuat vetë vendin, çfarë do t’u thoshit amerikanëve që po mendojnë të vizitojnë Shqipërinë dhe cilin perceptim të gabuar do të donit të korrigjonit?
Do të thosha se njerëzit janë të thjeshtë, të mirë dhe të sinqertë, vendi është jashtëzakonisht i përballueshëm dhe ia vlen absolutisht të vizitohet.
Të mësosh për historinë e Shqipërisë, nga qytetërimet e lashta deri tek e kaluara e saj komuniste, ishte një pjesë vërtet me vlerë e udhëtimit.
Perceptimi më i madh i gabuar që do të doja të korrigjoja është ideja se Shqipëria nuk është e sigurt. Nuk u ndjeva as edhe një herë i pasigurt dhe përvojat e mia me njerëzit atje ishin në pjesën dërrmuese pozitive.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.