🌫️
Tiranë 20°C · Mjegull 12 September 2026
S&P 500 7,657 ▲0.86%
DOW 52,573 ▲0.98%
NASDAQ 26,333 ▲0.96%
NAFTA 100.05 ▼2.37%
ARI 4,409 ▲0.04%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9465 EUR/ALL 92.0477 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3518 EUR/TRY 56.3896 EUR/JPY 178.41 EUR/CAD 1.6082 EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9465 EUR/ALL 92.0477 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3518 EUR/TRY 56.3896 EUR/JPY 178.41 EUR/CAD 1.6082
₿ CRYPTO
BTC $77,171 ▼ -0.3% ETH $2,523 ▼ -0.61% XRP $1.3642 ▼ -0.1% SOL $101.3900 ▼ -1.4%
S&P 500 7,657 ▲0.86 % DOW 52,573 ▲0.98 % NASDAQ 26,333 ▲0.96 % NAFTA 100.05 ▼2.37 % ARI 4,409 ▲0.04 % S&P 500 7,657 ▲0.86 % DOW 52,573 ▲0.98 % NASDAQ 26,333 ▲0.96 % NAFTA 100.05 ▼2.37 % ARI 4,409 ▲0.04 %
EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9465 EUR/ALL 92.0477 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3518 EUR/TRY 56.3896 EUR/JPY 178.41 EUR/CAD 1.6082 EUR/USD 1.1601 EUR/GBP 0.8579 EUR/CHF 0.9465 EUR/ALL 92.0477 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3518 EUR/TRY 56.3896 EUR/JPY 178.41 EUR/CAD 1.6082
12 Sep 2026
Breaking
Kosova

Çfarë fshihet pas teorisë së Prokurorisë? Eksperti amerikan ‘zbërthen’ rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Profesori amerikan Timothy Waters, ekspert i së drejtës penale ndërkombëtare, ka dhënë një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), ku ka komentuar procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Waters, profesor i së Drejtës në Universitetin e Indianës dhe ekspert i drejtësisë ndërkombëtare, i cili ka punuar edhe në çështjen e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në Tribunalin për ish-Jugosllavinë, është ndalur veçanërisht te mënyra se si Prokuroria ka ndërtuar rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas tij, teknikisht në gjykim janë vetëm katër individë. Megjithatë, teoria juridike mbi të cilën është mbështetur Prokuroria, e njohur si “ndërmarrja e përbashkët kriminale”, mund të ketë pasoja shumë më të gjera.

Waters shpjegon se kjo teori përdoret për të lidhur individë me krime që nuk pretendohet se i kanë kryer apo urdhëruar drejtpërdrejt. Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, ajo është edhe një nga teoritë më të debatueshme në drejtësinë penale ndërkombëtare.

Në intervistën për REL, Waters thotë se në aspektin juridik gjykohen vetëm Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi. Megjithatë, ai vlerëson se një proces i tillë shpesh shihet nga publiku si një gjykim për një lëvizje më të gjerë politike apo ushtarake.

Sipas tij, kjo nuk është diçka e pazakontë në gjykimet për krimet e luftës. Që nga Tribunalet e pas Luftës së Dytë Botërore, procese të tilla kanë pasur një ndikim që shkon përtej përgjegjësisë individuale.

Waters thotë se kjo është edhe arsyeja pse raste të tilla mund të perceptohen si gjykime ndaj një lëvizjeje të tërë.

Sipas Waters, pjesa më e vështirë e këtij procesi nuk është domosdoshmërisht të provohet se janë kryer krime, por të dëshmohet lidhja mes këtyre krimeve dhe personave që ndodhen në bankën e të akuzuarve.

Ai shpjegon se Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë nuk akuzohen domosdoshmërisht se kanë kryer vetë krimet. Prokuroria përpiqet të dëshmojë se ata kanë pasur një marrëdhënie me strukturat dhe personat që dyshohet se i kanë kryer ato.

Këtu hyn në lojë teoria e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Waters thotë se kjo teori mundëson që një person të mbajë përgjegjësi për krime të kryera nga persona të tjerë, edhe në rrethana kur ai nuk pretendohet se ka qenë fizikisht i pranishëm në vendin ku është kryer krimi.

Ai sjell si shembull rastin e Sllobodan Millosheviqit, ku lidhja mes tij dhe krimeve në Kosovë, Bosnje e Kroaci ndërtohej përmes komunikimeve, urdhrave dhe marrëdhënieve me persona të tjerë.

Sipas Waters, kjo është edhe pjesa më e vështirë për t’u provuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

Profesori amerikan thotë se mund të jetë relativisht më e lehtë të provohet se një krim ka ndodhur. Mund të ketë dëshmi, viktima, prova materiale, pamje filmike apo dëshmitarë.

Por pyetja kryesore është: çfarë lidhjeje ka një krim i kryer në terren me një person që ndodhet në një strukturë politike apo ushtarake?

Sipas tij, kjo është pikërisht ajo që duhet të dëshmojë Prokuroria.

Waters thekson se teoria e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” i jep Prokurorisë mundësinë që ta ndërtojë këtë lidhje në një mënyrë më të gjerë.

Për këtë arsye, ai thotë se teoria është kritikuar shpesh, pasi mund të krijojë një lidhje shumë të gjerë mes të akuzuarve dhe një numri të madh veprimesh të kryera gjatë luftës.

Waters vlerëson se është plotësisht e mundur që gjyqtarët të arrijnë në përfundimin se disa krime janë kryer, por në të njëjtën kohë të mos gjejnë prova të mjaftueshme për t’i lidhur ato me katër të akuzuarit.

Sipas tij, kjo do të ishte një mundësi normale në një proces penal, pasi përgjegjësia individuale duhet të provohet përtej standardit të kërkuar nga gjykata.

Ai thekson se qëllimi i një gjykimi nuk duhet të jetë dënimi i njerëzve me çdo kusht, por përcaktimi nëse akuzat janë provuar apo jo.

Nëse Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shpallen fajtorë, Waters thotë se vendimi, në radhë të parë, do të jetë ndaj katër individëve.

Megjithatë, ai pret që vendimi të interpretohet politikisht në mënyra të ndryshme.

Sipas tij, në Serbi një vendim fajësie mund të shihet si dëshmi për paligjshmërinë e UÇK-së në përgjithësi, ndërsa në Kosovë një pjesë e madhe e shoqërisë mund ta refuzojë vendimin si të padrejtë ose jolegjitim.

Waters thotë se kjo ka ndodhur edhe me gjykimet e mëparshme për luftërat në ish-Jugosllavi, ku vendimet shpesh janë interpretuar sipas përkatësive politike dhe etnike.

Një nga kritikat kryesore të Waters lidhet me pritshmëritë që janë vendosur mbi gjykatat ndërkombëtare.

Sipas tij, Tribunali për ish-Jugosllavinë kishte edhe synimin për të kontribuar në pajtimin mes shoqërive të përfshira në luftëra. Por, në vlerësimin e tij, ky objektiv nuk është arritur.

Waters thotë se është e vështirë të besohet se një gjykatë e jashtme mund të ndryshojë mënyrën se si një shoqëri e sheh të kaluarën e saj, sidomos kur një pjesë e madhe e njerëzve nuk e konsiderojnë atë gjykatë legjitime.

Ai e lidh këtë edhe me Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat, ndonëse janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, funksionojnë në Hagë dhe përbëhen nga gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.

Sipas Waters, vendimi i 16 shtatorit do të ketë rëndësi të madhe politike në Kosovë dhe rajon.

Për botën juridike, rëndësi të veçantë do të ketë mënyra se si gjykata do të trajtojë teorinë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” dhe nëse vendimi do të sjellë ndonjë zhvillim të ri në të drejtën penale ndërkombëtare.

Por ai është skeptik se vendimi do të ndryshojë mënyrën se si shqiptarët në Kosovë apo serbët në Serbi e shohin historinë e luftës.

Sipas tij, njerëzit zakonisht e ndërtojnë këtë narrativë përmes familjeve, arsimit, shoqërisë dhe përvojave të tyre dhe jo përmes vendimeve të gjykatave.

Waters shpreh skepticizëm edhe për nevojën që drejtësia për krimet e luftës të vijë gjithmonë nga gjykata ndërkombëtare.

Sipas tij, një alternativë mund të jetë që shoqëritë t’i zhvillojnë vetë proceset, kur të jenë të gatshme për ta bërë këtë. Ai përmend gjithashtu forma të tjera të përballjes me të kaluarën, si studimi i historisë, arsimi dhe projekte të ndryshme shoqërore.

Duke iu referuar Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, Waters thotë se ndryshimi i qëndrimit të shoqërisë gjermane ndaj së kaluarës nuk erdhi vetëm nga procesi i Nurembergut, por nga një transformim shumë më i gjerë shoqëror që zgjati për dekada.

Në fund, ai thekson se drejtësia penale është vetëm një pjesë e përballjes me të kaluarën dhe se një gjykim, sado i rëndësishëm, nuk mund të zëvendësojë procesin më të gjerë shoqëror./Radio Evropa e Lirë/

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.