Ngadalësohet rënia e eksporteve, shtatori muaj i mbarë për prodhimet vendase
Kompanitë shqiptare shitën jashtë vendit 177 miliardë lekë mallra për 9 muajt e këtij viti, me një rënie prej 4.6% në raport me të njëjtën periudhë. Tkurrja e grupit “lëndë djegëse, minerale dhe energji”, është arsyeja kryesore që po ndikon në këtë trend negativ të eksporteve, ndërsa po amortizohet dukshëm nga ecuria e mirë e grupit “tekstile dhe këpucë”. Grupi “Ushqime, pije, duhan”, që kishte shënuar një rritje dy shifrore këtë vit, ka ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes muajt e fundit. Gjithsesi, për të dytin muaj radhazi eksportet kanë ngadalësuar ritmet e rënies, nga -6.6% për 7 mujorin në -5.3% për 8 mujorin, dhe -4.6% për janar-shtator (me bazë vjetore).
Eksportet e tekstile dhe këpucëve arritën në 80 miliardë lekë, me një zgjerim prej 20% me bazë vjetore. Aktorët e tregut pohojnë se ka një interes të lartë nga kompanitë e huaja, jo vetëm italiane, për të punuar me kontraktorët shqiptarë, ndonëse industria po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostove. Për periudhën janar-shtator, eksportet e këtij grupi përbënin 45% të totalit, nga 36% në të njëjtën periudhë të 2015-s, duke u bërë sërish segmenti më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare. Eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” ranë me 37% për 9 mujorin, në 32.8 miliardë lekë.
Pavarësisht se çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur në rreth 50 dollarë për fuçi, ky grup nuk po arrin të ndalë rënien, teksa aktorët e tregut pohojnë se tregu mbetet i dobët dhe nuk ka interes për naftën shqiptare. Rënia e çmimit vitin e kaluar çoi në një rënie të kontratave me blerësit e huaja, që tashmë duhen rikuperuar sërish. “Ushqimet, pijet dhe duhani”, që shënuan një ecuri mjaft të mirë përgjatë këtij viti, janë frenuar ndjeshëm në shtator, duke u zgjeruar me vetëm 7%, me bazë vjetore.
Gjithsesi, për 9 mujorin, ky grup është rritur me 21.7%, për të arritur në rreth 17 miliardë lekë. Grupet e tjera kanë shitje të ulëta dhe nuk kanë arritur të shënojnë ndonjë lulëzim këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluar kur eksportet e makinerive e pajisjeve dhe ato të prodhimeve të drurit dhe letrës shënuan rritje dyshifrore.