Rajoni

Ngjarjet në Mal të Zi/ Ish-ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor apel BE-së dhe NATO-s: Dialog aktiv politik me të gjithë aktorët politikë e socialë

Zhvillimet e ditëve të fundit në Mal të Zi, të cilat lidhen me shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse, kanë bërë bashkë ish-ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe politikanë me kontribute të ndryshme në jetën publike, në një apel për drejtuesit më të lartë të institucioneve të BE-së dhe NATO-s.

Në këtë letër drejtuar Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, Presidentes së Komisionit Europian Ursula von dear Leyen si dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, ish-zyrtarët e lartë të qeverive të Ballkanit Perëndimor bëjnë thirrje për nisjen e menjëhershme të dialogut politik gjithpërfshirës me qëllim gjetjen e zgjidhjeve paqësore e tejtakilimin e konfliktit dhe nga ana tjetër, mos lejimin e zbehjes së rolit të BE-së dhe NATO-s në këtë kënd të Europës.

Letra e plotë:

 “Ne, ish ministrat respektiv të qeverive në rajon, po ndjekim me shqetësim të shtuar zhvillimet e fundit në Malin e Zi. Pasi të gjithë i kemi përjetuar luftërat e 1990-ës në Ballkan, nuk mund të mos shohim ngjashmëritë alarmante mes asaj çfarë po ndodh sot në Malin e Zi, dhe ngjarjeve të cilat na çuan në luftrat e para 25-30 viteve. Mali i Zi nuk është një vend me popullsi të madhe, por është i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike jo vetëm për stabilitetin e Europës Juglindore por edhe të gjithë basenit të Adriatikut. Anëtarësimi së fundmi në NATO i Malit të Zi ka kontribuar gjerësisht për stabilitetin rajonal në këtë pjesë të Europës.

Ndonëse, ngjarjet që lidhen me shugurimin e drejtuesit të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, mund të duken si një çështje me sfond fetar, në fakt ato nuk kanë të bëjnë as me besimin, as me politikën apo me ideologjinë. Edhe njëherë tjetër ato janë manifestim i konfliktit mes forcave që mendojnë se Mal i Zi nuk duhet të ekzistojë si një shtet i pavarur dhe atyre që besojnë se duhet të jetë një shtet i pavarur dhe sovran.

Nuk ka dyshim se qeveria e mëparshme malazeze mund të kritikohet për shumë gjëra. Megjithatë, pavarësisht këtyre mangësive, ajo besonte fuqimisht në një Mal të Zi të pavrur, si një anëtar vital i NATO-s dhe në të ardhmen anëtar i Bashkimit Europian.

Kundërshtimi më i ashpër vjen nga ai grup njerëzish që refuzojnë shtetësinë dhe pavarësinë politike të Malit të Zi.

Ndalesa shumëvjeçare e procesit të anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, inkurajon instinktet dhe veprimet që janë një kujtesë e së kaluarës së hidhur.

Nuk ka nevojë të jesh specialist për historinë e Ballkanit për të kuptuar se të gjitha përpjekjet për të ndryshuar kufijtë në këtë rajon janë pasuar nga luftëra, vuajtje njerëzore dhe tragjedi të mëdha. Një tjetër vatër e hapur konflikti dhe krize në Europë është gjëja e fundit që i duhet Europës dhe botës në këto kohë.

Për këtë arsye, ne nxisim institucionet e BE-së dhe aleatët e tjerë që të angazhohen në një dialog aktiv politik me të gjithë aktorët politikë dhe socialë për krizën aktuale në Mal të Zi dhe të ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhje paqësore të konfliktit të përshkallëzuar në vend. Pretendimi se asgjë nuk po ndodh do të ketë pasoja të tmerrshme për Malin e Zi dhe rajonin.

Veçanërisht, është tejet e rëndësishme të evidentohen dhe kundërshtohen përpjekjet aktuale për të paraqitur qeverinë e Malit të Zi si të dobët politikisht, si një qeveri anti-NATO dhe kundër ndikimit të Bashkimit Europian.

6 Shtator 2021

Ditmir Bushati, ish-Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Shqipëri.

Enver Hoxhaj, ish- Ministër i Punëve të Jashtme, Kosovë

Roman Jakič, ish-Ministër i Mbrotjes dhe Deputetet i Parlamentit Europian, Slloveni

Emil Kirjas, ish- Sekretar Shteti për Punët e Jashtme, Maqedonia e Veriut.

Žarko Korać, ish-Zëvëndëskryeministër dhe ish- Zëvëndëskryetar Parlamenti, Serbi,

Zlatko Lagumdžija, ish-Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Jashtëm, Bosnje-Hercegovinë

Vesna Pusić, ish- zëvëndëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme, Kroaci

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button