Ekonomia

Nikolin Jaka: Rritja e taksave në kohë krize nuk jep produkt

nikolinKryetari i Dhomës së Tregtisë së Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, thotë se barra e rëndë fiskale dëmton biznesin, dëmton konkurrencën e ndershme, rrit mundësinë për evazion dhe nuk kontribuon në rritjen e të ardhurave nga taksat në proporcion me rritjen e tyre. Ai thotë se, nga ana qeverisë, duhet të kuptohet se është e nevojshme asistenca e FMN-së, por teoria e rritjes së taksave në kohë krize nuk jep produkt

Zoti Jaka, qeveria dhe FMN janë në një fazë të nxehtë negociatash që synojnë një rritje të mëtejshme të taksave më 2015. A po konsultohet paralelisht edhe me ju Ministria e Financave para se të arrijë në konkluzione përfundimtare?

Në ndryshim nga ndërtimi i paketës fiskale 2014, e cila, sikurse u pohua edhe nga vetë ministri i Financave, u bë e shpejtuar dhe pa tërheqje të mendimit nga palët e interesuara, këtë vit kanë filluar konsultimet nga ana e Ministrisë me objekt “Tërheqje të mendimeve dhe propozimeve që kanë shoqatat e ndryshme dhe palët e interesuara në paketën fiskale 2015”. Por do të duhet të themi se procesi këtë vit ka disa veçori, kjo për arsyet se: Është kërkuar ndryshimi rrënjësor i ligjeve, të cilat janë shumë të vjetra dhe me shumë ndryshime. Konkretisht, ligji për TVSH-në është i porsamiratuar me aktin nr. 92/2014, datë 24.07.2014 dhe nuk pranohen përmirësime apo ndryshime për paketën fiskale 2015. Po punohet nga korriku i 2014-s veçmas për ligjin nr. 9920 “Procedurat tatimore në RSH”, si dhe ka filluar puna për ribërjen e ligjit nr. 8438 “Për tatimin e fitimit dhe atë të të ardhurave personale”. Për t’u theksuar është që, pavarësisht zellit dhe dëshirës së institucionit përkatës për t’u dëgjuar me palët e interesuara, ne kërkojmë që ndryshimet të cilat i propozon Ministria të kalojnë në një proces të mirëfilltë të diskutimit mes palëve. Pra thjesht sugjerohet nga ana jonë dhe nëse merren apo jo parasysh më tej është “no coment”. Sa më transparente dhe publike të jenë diskutimet për ndryshim dhe marrja e mendimit nga palët e interesuara, aq më efektive dhe afatgjata në zbatim do të jenë këto politika. Edhe në vitin 2014 u tha që nuk do të ketë shumë ndryshime ligjore, por në të vërtetë janë prekur të gjitha ligjet dhe ka pasur ndryshime pa fund, duke vazhduar të japin efekte negative, si në kuptimin dhe zbatimin nga administratat përkatëse tatimore dhe doganore, ashtu edhe në perceptim dhe zbatim nga ana e subjekteve tatimpagues.

Ekspertët e qeverisë thonë se rritja e taksave është e domosdoshme për mbajtjen e borxhit nën kontroll. A mendoni ju se ka rrugë të tjera?

Mendoj se mbajtja e borxhit nën kontroll nuk kërkon domosdoshmërisht rritjen e taksave. Kjo do të ishte gjëja më e lehtë për qeverinë. Ne mendojmë se një gjë e tillë arrihet edhe pa rritur taksat, pasi aktualisht ato janë në nivelet më të larta të rajonit. Qeveria mund të gjejë mundësi të tjera për këtë qëllim, siç mund të jenë: Rritja e performancës së administratës për arkëtimin e tatimeve e taksave; zgjerimi i bazës së taksueshme (përfshirja në skemë e bizneseve të palicencuara apo riklasifikimi sipas nivelit të xhiros); ndikimi për krijimin e kushteve për konkurrencë të ndershme midis bizneseve, duke krijuar ambient të përshtatshëm për trajtim të barabartë e të paanshëm të tatimpaguesve; vazhdimi i krijimit të lehtësirave të komunikimit midis tatimpaguesve dhe administratës tatimore, me qëllim eliminimin e takimit fizik të biznesit me administratën tatimore; menaxhimi i mirë i shpenzimeve publike; krijimi i kushteve për rritjen e investimeve të huaja dhe për rritjen e kapaciteteve menaxhuese për thithjen dhe ekzekutimin e fondeve (grante apo kredi të buta) të akorduara nga institucionet financiare ndërkombëtare, Komuniteti Europian, shtete të veçanta apo donatorë të tjerë, duke synuar përmirësimin e raportit grant/kredi në favor dhe me përparësi të garantëve; konkurrencë të ndershme në prokurimet publike.

Taksat e rritura të këtij viti, (akciza, tatimi mbi fitimin, etj.) rezultuan në fund të 8-mujorit me një grumbullim më të ulët se plani gati 4 miliardë lekë, kur në fakt duhet të ndodhte e kundërta. Sipas jush, pse ka ndodhur kështu?

Mendoj që ka ende vend për përmirësimin e performancës së administratës doganore dhe asaj tatimore, por këtu njëkohësisht ka ndikuar edhe terreni i përgjithshëm i situatës ekonomike, vazhdimi i krizës, mungesa e investimeve të rëndësishme publike, frenimi dhe pezullimi i aktiviteteve të ndërtimit, sidomos në banesa, etj. Do të theksoja gjithashtu se rritja e mëtejshme e tarifave do të çonte në mundësinë e rritjes së evazionit fiskal, me pasojë mosdeklarim dhe mospagim të detyrimeve tatimore.

Organizata të tjera të biznesit kanë pohuar se, edhe me taksat aktuale, Shqipëria radhitet si vendi me barrën fiskale nga më të lartat në rajon dhe kjo e dëmton konkurrencën. Cili është këndvështrimi juaj?

Po, është i njëjti konkluzion edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Barra e rëndë fiskale dëmton biznesin, dëmton konkurrencën e ndershme, rrit mundësinë për evazion dhe nuk kontribuon në rritjen e të ardhurave nga taksat në proporcion me rritjen e tyre. Unë do të jap shembullin e Portugalisë, ku Banka Botërore dhe FMN-ja në mbikëqyrje të qeverisë vendase për kalimin nga kriza, sugjeruan të veprohej duke reduktuar shpenzimet publike dhe duke rritur taksat. Këto politika rezultuan të gabuara, pasi çuan në ulje të konsumit dhe të investimeve në vend, duke mos bërë rritje të PBB-së, por thjesht duke rritur presionin fiskal, i cili nuk të çon në rritje ekonomike. Pra, nga ana e qeverisë duhet të kuptohet se është e nevojshme asistenca e FMN-së, por teoria e rritjes së taksave në kohë krize nuk jep produkt. Politikat duhet të drejtohen dhe të nxisin kreditimin, konsumin dhe investimet e huaja. Pas këtyre vjen edhe ulja në përqindje e papunësisë. Të gjitha këto mendoj se janë rruga e vetme që çojnë në rritje ekonomike.

A i keni bërë propozimet tuaja për paketën fiskale të këtij viti. Çfarë synojnë ato?

Patjetër kemi bërë propozime dhe jemi aktivë, por shumë nga sugjerimet tona janë të natyrës makro që ndikojnë në politikat fiskale. Një gjë e tillë duket sikur është pjesë dhe e drejtë vetëm e qeverisë për ta zgjidhur, por dimë që ekonomia shqiptare është në fazën më delikate të krizës së saj dhe në rast se nuk veprohet me politika nxitëse, do të jetë e vështirë të ketë rritje ekonomike. Propozimet tona janë ofruar përgjatë gjithë vitit për shumë tema dhe ndryshime. Por për sa u përket propozimeve për paketën fiskale 2015, Dhoma deklaroi e para dhe propozimet tona janë të fokusuara në: futja në TVSH edhe e bizneseve deri në 5 apo 8 milionë lekë, pasi përjashtimi i kësaj fashe biznesi po shtrembëron konkurrencën dhe ka evazion të lartë; ulja në nivel 10% e TVSH-së për agrobiznesin, ku përfshihen bizneset që duhet të jenë prioritet i qeverisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit, si bujqësia-blegtoria, përpunimi dhe turizmi; shtim të investimeve në transportin publik dhe heqja e TVSH-së dhe akcizës së naftës për këtë shërbim. Më e rëndësishmja e propozimeve tona dhe që jemi të mendimit se efektet do të jenë pozitive në rast të aplikimit të një amnistie të gjerë dhe të plotë fiskale për legalizim të kapitalit, pasi deri më tani janë kryer tre të tilla në 2008, 2011 dhe kjo e fundit në vitin 2014 për gjobat, dhe asnjëra prej tyre nuk ka qenë e studiuar apo e aplikuar, duke mos ditur çfarë është arritur dhe duke mos realizuar qëllimin për të cilin u ndërmorën.

A po sheh ambienti i biznesit në vend përmirësime apo edhe përkeqësime. Si është pozicionuar biznesi tani në krye të një viti me qeverisjen e re?

Për zhvillimin e vendit dhe ecjen para të ekonomisë është i domosdoshëm dëgjimi dhe marrja në konsideratë e asaj çfarë ne themi. Kjo është më imediate në kushtet në të cilat ndodhemi, sepse kemi edhe praktika të viteve kur rritja ekonomike ka qenë e mirë dhe qeveria, duke menduar se është vetëm puna e saj, nuk ka bërë pjesë të vendimmarrjes apo politikëbërjes palët e interesuara. Ndërkohë, sot, kjo është e pashmangshme, pasi në të kundërt do të prodhonte efekte negative. Faktori politik ka shumë për të bërë në këtë drejtim, për të qenë largpamës në strategjitë që propozon dhe për të mos u shkëputur nga ajo çfarë ndodh në realitet me ekonominë e vendit, gjë që shprehet nëpërmjet zërit tonë si Dhomë Tregtie dhe palëve të interesuara. Në përfundim mendojmë se në përgjithësi është bërë një punë e mirë në këtë aspekt, por gjithnjë ka vend për shumë më tepër bashkërendim dhe bashkëpunim midis palëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button