Nikoliq: Vuçiqi ndikoi që dje të mos kishte kuorum në Kuvendin e Malit të Zi
Shefi i klubit parlamentar të DPS-së akuzon presidentin serb për ndërhyrje në punët e Kuvendit dhe njofton iniciativë të re për shkarkimin e Andrija Mandiqit.
Shefi i klubit parlamentar të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Andrija Nikoliq, ka deklaruar se mungesa e kuorumit në seancën e Kuvendit të Malit të Zi është rezultat i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë nga Beogradi, raporton Portali Analitika. Në një intervistë për emisionin “24 Sata” të Televizionit E, të dhënë mbrëmjen e së enjtes, Nikoliq akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ka ushtruar “ndikimin vendimtar” që në seancë të mos arrihej kuorumi.
Sipas Nikoliqit, Vuçiq, “në marrëveshje me Milan Knezheviqin”, i ndaloi tre deputetët e tij të merrnin pjesë dhe të jepnin kuorum. Ai shtoi se kryetari aktual i Kuvendit, Andrija Mandiq, “edhe një herë konfirmoi se është politikan i së kaluarës”, duke theksuar se “nuk ka bashkëjetesë mes një vojvode çetnik që mohon gjenocidin në Srebrenicë dhe lavdëron kriminelët e luftës, dhe rrugës evropiane të Malit të Zi”.
Nikoliq e cilësoi Mandiqin si “kryetarin e parë të parlamentit në historinë e parlamentarizmit malazez që iku nga parlamenti i tij”, me qëllim, sipas tij, për të fshehur frikën nga një votim besimi. Ai pretendoi gjithashtu se Mandiq organizoi mungesën e deputetëve duke “mbyllur të gjithë klubin e deputetëve të PES-it”, ndërsa deputetët Radinka Qinqur dhe Tonçi Janoviq u dërguan në udhëtime zyrtare vetëm për t’i mohuar kuorumin Kuvendit.
Ai kritikoi po ashtu ndalimin e gazetarëve në seancë dhe tha se kuorumi u përcaktua “pas dyerve të mbyllura”. Në fund, Nikoliq njoftoi se DPS-ja do ta ripërtërijë iniciativën për shkarkimin e Mandiqit, sapo të krijohet mundësia procedurale.
Burimi: Portal Analitika



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.