Nikoloski nga Podgorica: Modernizimi i infrastrukturës së transportit, kusht për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim më të fortë rajonal
Zv/kryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, u takua sot në Podgoricë me ministrin malazez të Transportit, Radush Zheçeviç, në kuadër të vizitës së tij në Malin e Zi, siç njofton agjencia Makfax. Në takim u diskutua përmirësimi i lidhjes transportuese mes dy vendeve, qasja më e mirë ndaj porteve rajonale dhe politika të reja zhvillimi për bashkëpunim të ndërsjellë.
Sipas raportimit të Makfax, dy zyrtarët biseduan edhe për shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, nevojën për lidhje më të mirë rajonale dhe modernizimin e infrastrukturës së transportit. Nikoloski theksoi se Maqedonia punon për përfundimin dhe modernizimin e korridoreve europiane të transportit, me synim lidhjen më të mirë të rajonit, lehtësimin e transportit dhe sigurimin e qasjes më të mirë ndaj porteve rajonale.
Në takim u shkëmbyen gjithashtu përvoja dhe praktika në trafikun detar, ndërsa palët ranë dakord të avancojnë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, për të krijuar kushte më të mira për transportin, tregtinë, investimet dhe zhvillimin ekonomik.
Vizita e Nikoloskit në Podgoricë vjen në një moment kur Shkupi synon të forcojë partneritetet rajonale në infrastrukturë, duke e vendosur modernizimin e korridoreve të transportit si prioritet të agjendës së qeverisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.